MEDITIMI I DITËS – DASHURIA PËR HYJIN DHE NJERIUN

Written by on March 23, 2017

Mk 12, 28-34 DASHURIA PËR HYJIN DHE NJERIUN

 

Kërkoj hirin që ta kuptoj se dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit nuk ndahen nga njëra-tjetra.

 

28 Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?”

«Cili urdhër është më i rëndësishmi?» Pyetja ishte e vlefshme, e rëndësishme dhe serioze, pa marrë parasysh nëse bëhej sinqerisht, për provokim apo për ta zënë në gabim. Duket se kjo pyetje ishte e sinqertë, sepse Jezusi në fund e lavdëroi mësuesin e Ligjit për qëndrimin dhe meditimin e tij. Prapëseprapë, këtu bëhet fjalë vetëm për urdhër, për diçka që njeriu e kupton vetëm si detyrë që duhet kryer. Njeriu para urdhrit mbart në vetvete frikën për arsye të tradhtisë së mundshme. Kur e shkel, përjeton brejtjen e ndërgjegjes për shkak të tradhtisë që e bëri ndaj detyrimit që mori. Përgjigjja e Jezusit del jashtë fushës së urdhërimeve, sepse flet për dashurinë. Dashuria nuk mund të ushtrohet dhunshëm. Ose jepet falas, me mirësi, pa detyrim, ose nuk ekziston fare.

29 Jezusi iu përgjigj:“I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’

Jezusi, duke u përgjigjur, mbeti në përmasën e pyetjes që ia bëri mësuesi i Ligjit për urdhërimet. Kur kjo gjë nuk ishte e nevojshme, Jezusi nuk dëshironte ta turbullonte e as të përgjigjej ndryshe. Ai ishte besnik ndaj traditës dhe ndaj Shkrimeve. Mirëpo, në përgjigjen e vet, u ngrit përmbi urdhrin e thjeshtë, sepse foli për dashurinë ndaj Hyjit, që në vetvete përmban gjithçka, në të cilën është e pranishme çdo gjë. Ky urdhër e përfshin njeriun në tërësi: krejt zemrën, shpirtin, mendjen dhe krejt fuqinë e tij. Ky urdhër e mbart njeriun. Prandaj, nuk mund të jetë vetëm urdhër, sepse në të është kuptimi njerëzor. Kjo ishte përgjigjja e Jezusit. Ai e jetoi konkretisht këtë përgjigje në jetën e vet. Jeta e tij ishte dashuria ndaj Atit.

Me jetën time, edhe unë e jap përgjigjen në këtë «urdhër të dashurisë». Cila është përgjigjja ime? Nuk mjafton që të flas me buzë në mënyrë teorike për dashurinë ndaj Hyjit. Kjo gjë duhet të shihet në jetën konkrete. A jam i themeluar në dashurinë që më deshi e para dhe më shënoi në varrët e duarve? Në jetën time, a e zë Hyji vendin e parë?

O Zot, bëj që të jem i tejdukshëm në dashuri për Ty. Më mëso që edhe unë të të dua me krejt qenien time.

31 Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.

Me përgjigjen e Jezusit, mësuesi i Ligjit mori më shumë se ajo që priste. Jezusi bashkoi ato gjëra që Besëlidhja e Vjetër i thotë në shumë vende të ndryshme. Bashkoi librin e Ligjit të Përtërirë, që flet për dashurinë e parë, dhe librin e Levitikut, që flet për dashurinë e dytë. Jo, nuk mund ta duam Hyjin, të cilin nuk e shohim, në qoftë se nuk e duam vëllain dhe motrën që i shohim.

Të falënderoj, o Zot, që i bashkon dhe i lidh këto dy dashuri: dashurinë për Hyjin dhe dashurinë për të afërmin. Ti kërkon që të mos e ndajmë njërën prej tjetrës! Ky është Lajmi i Gëzueshëm, të cilin e sjell Ti. Të falënderoj që i zgjeron horizontet! Të duash të afërmin, jo dosido, por si vetveten! Nëse nuk e dua vetveten, nuk mund ta dua as të afërmin. Vërtet, a di unë të dua? A mund të them në vetvete sinqerisht se e dua tjetrin si vetveten? A i kërkoj për të tjerët ato gjëra që i kërkoj për veten? Ose, a i kërkoj ndryshe për vete? Më duhet që të mos largohem lehtë prej këtyre pyetjeve! Kreshmët ma japin mundësinë që të përgjigjem sinqerisht në këto dhe të marr vendime të drejta. Nëse flas, hesht, punoj, a i bëj për dashuri? Që të veproj me dashuri, më duhet ta luftoj dhe ta shmang urrejtjen.

32 Skribi u përgjigj: “Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. 33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, ’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret”.

Mësuesi i Ligjit e ndjeu se Jezusi tha më shumë se sa ajo që priste. E falënderonte dhe e uronte Jezusin në mënyrë të lirë dhe të sinqertë. Dashuria, që e predikonte dhe e jetonte Jezusi, i kapërcente urdhërimet, i kapërcente të gjitha flitë dhe të gjitha vetëmohimet që bëheshin. Ta duash Hyjin dhe të afërmin është gjëja më e lartë, që kapërcen të gjitha flijimet dhe vetëmohimet, sado të mëdha dhe kërkuese që të jenë ato. Shumë herë, edhe ne e kemi shumë më të lehtë të flijohemi sesa ta duam të afërmin, duke u flijuar për të. O Zot, Ti the: «Më shumë më pëlqen dashuria se flija!» Më ndihmo që ta realizoj këtë gjë në jetën time!

34 Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit”. Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.

O Zot, Ti e lavdërove njeriun që e pranoi dhe e kuptoi përgjigjen tënde. Kjo ishte për atë nxitje që të jetonte në përputhje me këto dy dashuri. Të kuptosh përgjigjen tënde, do të thotë të jesh afër Mbretërisë së Hyjit. Të jesh në Mbretërinë Tënde, do të thotë thjesht të dashurosh. Kur na thërret në tryezën tënde, atëherë këto dy dashuri bëhen një: takim i dashurisë me Ty dhe të afërmin. Na ndihmo që të mos mbyllemi kurrë para asnjërës dashuri.

 


Current track

Title

Artist