MEDITIMI I DITËS – DASHURIA NË VEPËR
Written by Radio Maria on January 4, 2017
1 Gjn 3, 11-21 DASHURIA NË VEPËR
Kërkoj hirin: që dashurinë time për të afërmit ta tregoj me vepra!
11 Sepse kjo është shpallja që e dëgjuat që në fillim: që ta duam njëri-tjetrin! 12 Jo, si Kaini që ishte prej Djallit dhe e vrau të vëllanë. E pse e vrau? Pse veprat i kishte të këqija, kurse ato të të vëllait ishin të drejta. 13 (Dhe) Mos u çuditni, vëllezër, nëse ju urren bota!
Shën Gjoni i mbetet besnik temës së vet të dashur – dashurisë. A nuk është kjo më e rëndësishmja. Dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit! Ku nuk ka dashuri aty mbretëron urrejtja dhe vdekja. Dashuria, përkundrazi, sjell gëzimin. Ajo është jetë. Ai që nuk është në anën e dashurisë, e vendos vetveten në anën e të Keqit. Shembulli i Kainit është porosi e qartë të cilën e sjell Shën Gjoni.
Në qoftë se më kalon dita pa pas bërë asgjë, atëherë ajo ditë është e zbrazët. Në qoftë se gjatë një dite nuk i shoh as nuk i dalloj shenjat e dashurisë të cilat Hyjit dhe të tjerët mi dhurojnë, atëherë ajo ditë është e vdekur. Në profesionin tim, a janë të pranishme shenjat e dashurisë, në qoftë se nuk janë, atëherë kjo jetë është e kotë, e ashpër, e zbrazët. Familja në të cilën pjestarët nuk tregojnë dashuri njëri për tjetrin dhe nuk e dallojnë dashurinë e njëri tjetrit është familje e mjerë. Në të vërtetë kjo familje është varrezë në të cilën ndjehet atmosfera e vdekjes. Sa shumë është e rëndësishme për të dashur dhe për ta përjetuar dashurinë. O Zot, më mëso që të dua dhe t’i njoh shenjat e dashurisë që të afërmit mi dhurojnë. Më ndihmo që ta dëgjoj shpalljen tënde që është që nga fillimi: ta duam njëri-tjetrin!
14 Ne e dimë se kemi kaluar prej vdekjes në jetë, për arsye se i duam vëllezërit. Kush nuk ka dashuri, mbetet në vdekje. 15 Kushdo e urren të vëllanë, është vrastar. Dhe mirë e dini se asnjë vrastar nuk e ka në vetvete jetën e pasosur. 16 Me këtë gjë e njohëm dashurinë: Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi për detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër.
Derisa Shën Gjoni i shkruan këto fjalë, ai e ka shikimin e ngulur në Zotërinë në mënyrë të vazhdueshme. Ai është pika e qëndrimit të tij dhe e qëndrimit tonë, ai është pika e dashurisë që i lëviz të gjitha. Ja kjo është dashuria e vërtetë. Atë e shohim në të vërtetën e saj të plotë në foshnjën e vogël që flenë në grazhd. Që në grazhd, Zotëria e ka dorëzuar jetën e vet për ne. Pyetja që bëjmë në këtë Kohë të Kërshëndellave është shumë konkrete: këto shenja të dashurisë, a janë të pranishme në mua? Ose ndoshta zemra ime është bërë strofull i urrejtjes dhe i përjashtimit të të tjerëve? Cilat forma i ka urrejtja në mua? Cilin person e shmang? Kush nuk është i mirëseardhur në shoqërinë time? Cilin njeri do ta përjashtoja plotësisht vetëm të kisha mundësi ta bëj këtë gjë? Të gjitha këto janë shenja të vrasjes dhe të vdekjes brenda meje që më bëjnë të vdekur. O Zot, më shëro prej të gjitha këtyre gjërave. Më ndihmo që të kem mundësi të pranoj dhe të duroj njerëzit që i dua. Më jep fuqi që t’i dua edhe ata njerëz të cilët vetëm me fuqitë e mia nuk kam mundësi t’i dua.
17 Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllain e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të? 18 Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë .
Shën Gjoni është shumë konkret dhe i sjell shenjat e thjeshta dhe shumë konkrete të cilat na ndihmojnë ta njohim vetën a kemi dashuri në vetvete. Dashuria nuk është vetëm fjalë, ndjenjë ose përjetim. Dashuria është përcaktim dhe vepër konkrete. Mjafton të shikoj çfarë bëj gjatë ditës dhe menjëherë do ta di a jam përbrenda dashurisë apo jo. Pa ta paraqes, o Zot, ditën time dhe të gjitha ato që i bëj. Më ndihmo që të vendos më shumë dashuri në veprimet që kryej. Jepi frytshmëri punës sime. Bekoj të afërmit e mi dhe shenjat e përditshme të dashurisë së tyre të cilat i tregojnë përballë meje.
19 (Dhe) Me këtë gjë e dimë a jemi prej së vërtetës. Dhe do ta qetësojmë zemrën tonë para Tij 20 në qoftë se ajo na qorton për ndonjë gjë. Sepse Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka.
Paqja në zemër është njëra ndër kërkesat themelore të njeriut të sotëm që është i copëzuar nga luftërat e brendshme. Këtë paqe kemi mundësi ta realizojmë vetëm në praninë e Hyjit. Shën Augustini këtë gjë e përjetoj në mënyrë shumë të ashpër prandaj tha se zemra jonë nuk qetësohet dot derisa nuk qetësohet në Hyjin. Zemra na gjykon për çdo gjë që nuk e kemi bërë me dashuri. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për gjërat i kemi kryer në jetën tonë pa dashuri. Prandaj kemi dëshirë shumë herë t’i braktisim të gjitha. Kemi dëshirë për të ikur nga Hyji, nga i afërmi dhe më në fund edhe prej vetvetes. Ikja është shenja e dëshirës që kemi për paqe të cilën e kërkojmë në vende të gabuara. Psalmisti digjej për paqe: Ku të fshihem nga shpirti yt dhe ku të fshihem nga fytyra jote?. Ai është strehimi më i sigurt tek i cili kemi mundësi të kthehemi pas bredhjeve dhe luftërave tona. Shën Gjoni e shijoj thellësisht dashurinë e Hyjit si edhe jetën e brendshme të hirit. Ai e ndjente sa e mbështete bota e padukshme e Hyjit botën e tij personale dhe të dukshme. Prandaj na fton që të komunikojmë në mënyrë të thellë me këtë botë duke u bashkuar me të në mënyrë intime. Hyji është më i madh se zemra jonë. Këto janë fjalë ngushëlluese për njeriun që në zemër nuk ka paqe. Hyji i di të gjitha. Ai është shumë më intim me ne se ne më vetveten.
O Zot, dëshiroj të të lutem para teje dhe të meditoj për veprimet e mia. Dua ta hap zemrën time dhe të shikoj në të. Kam frikë nga shumë gjëra të cilat kanë depërtuar në të. Në zemrën time nuk ka paqe dhe në të nuk gjej dashuri të mjaftueshme. Të falënderoj, o Zot, që ti je më i madh se zemra ime. Të falënderoj që së bashku më mua dëshiron të hysh në këtë labirint në të cilin e ndjej vetveten të humbur. Të falënderoj që dëshiron për të me ndihmuar që ta pastroj gjakun tim të papastër duke fisnikëruar kështu ndjenjat e zemrës sime.