MEDITIMI I DITËS – DASHURIA E PARË
Written by Radio Maria on June 7, 2017
Mk 12, 28-34 DASHURIA E PARË
Kërkoj hirin: që Zotëria të jetë dashuria ime e parë dhe të afërmin ta dua si vetveten.
Në atë kohë, 28 një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigji mirë, iu afrua dhe e pyeti: »Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?«
Sa shpesh, para Jezusin në skenë dalin fytyrat e reja. Dukët sikur njerëzit bëjnë gara së cili prej tyre do të bëj një pyetje më të mirë, më të rëndësishme, më dinake dhe më të vështirë. Mirëpo këtu nuk është fjala për asnjë teatër, ky është realiteti në të cilin jeton Jezusi. Kësaj here radhën e kishte një skrib, domethënë një njeri që i përkiste grupit të farisenjve. Qartë, ky njeri që afër Jezusit dhe e dëgjoj më vëmendje përgjigjen të cilën Jezusi ua dha saducenjve. Përgjigja duket se e kënaqi plotësisht, sepse që i qartë dhe në përputhje të plotë me besimin e farisenjve. Tani skribi pyet si ka mundësi të plotësohet Ligji në jetën e përditshme në mënyrën më të mirë dhe më me besnikëri. Pyetja është e sinqertë dhe na duket se ky njeri Jezusit i afrohet sinqerisht dhe nuk dëshiron ta zë në kurth me pyetjen e vet. Fjala është për urdhrin e parë prej të cilit pastaj varën të gjitha urdhërimet tjera. Njeriu pyet për më të rëndësishmen dhe më të domosdoshmen në jetë.
A di edhe unë të bëj pyetje të tilla prej të cilave varet jeta ime? A di ta kërkoj thelbësoren? Çfarë është e rëndësishme në jetën time? Cila është gjeja e parë ndër të gjitha të tjerat?
29 Jezusi i përgjigji: »I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!
Jezusi përgjigjet me seriozitet të madh dhe më siguri bindëse. Kjo përgjigje në të vërtetë është dëshmi feje që bëjnë Hebrenjtë secilën ditë në mëngjes dhe në mbrëmje: «Dëgjo, Izrael». Ku është pohimi i monoteizmit (besimit në një Hyj) që përbehet nga dashuria ndaj Tij më të gjitha fuqitë të cilat izraeliti besnik i ka në vetvete.
Urdhri i parë: të duash. Hyji është i pari të cilin njeriu duhet ta dojë, i pari i Dashur, Dashuria e parë. Shprehjet që vijojnë: zemra, shpirti, mendja dhe fuqia thonë se dashuria duhet të jetë e plotë, duhet të përfshi të gjitha aftësitë e njeriut. Fjala shpirt në hebraishte e paraqet jetën. Kjo do të thotë se njeriu duhet të jetë i gatshëm ta jap edhe jetën e vet për Hyjin. Këtë gjë na tregon ngjarja që i ndodhi Akibës rabin. Kur ishte i dënuar me martirizim dhe kur po ia prenin mishin, ishte pikërisht ora e lutjes «Dëgjo, Izrael» të cilën ai e luste çdo ditë. Nxënësit e tij përpiqeshin që të pengonin martirizimin e mësuesit të tyre, por ai u tha: «Gjatë gjithë jetës sime pata kujdes për shprehjen «me gjithë shpirtin tim» (me krejt jetën) dhe tani kur Hyji po ma dhuron, thua nuk duhet ta kryej?»
Vërtetë, dashuria jonë ndaj Hyjit duhet të përfshij plotësisht të gjitha fuqitë e shpirtit dhe të trupit tonë, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, që nga mbrëmja e deri në mëngjes, që nga fëmijëria e deri në pleqëri, që nga lindja e deri në vdekje. A është kështu? A e dua Hyjin me të gjitha fuqitë? Më çfarë mund ta dëshmoj këtë gjë?
31 Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! ‘Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.«
Edhe urdhri i dytë është urdhër i dashurisë. E dyta është dashuria për të afërmin. Forca e kësaj dashurie matet më atë dashuri që kemi për vetveten, që është sigurisht dashuri shumë e fortë. Dy urdhërimet na duhet t’i marrim seriozisht secilën për vete dhe nuk kemi mundësi njërën ta zëvendësojmë me tjetrën as dashurinë për të afërmin ta nënkuptojmë me dashurinë për Hyjin.
32 Skribi përgjigji: »Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. 33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten,’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.«
Skribi shpreh sinqerisht krejt kënaqësinë personale për shkak të përgjigjes së Jezusit. Ai vazhdon në të njëjtin shpirt, duke theksuar se dashuria për Hyjin dhe për të afërmin është më e lart dhe më fisnike se flijimet.
34 Jezusi, duke parë se përgjigji me urti, i tha: »Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.« Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.
Ja vendi i vetëm në Ungjill në të cilin Jezusi e përgëzon një skrib. Me ta udhëhoqi diskutime të ashpra dhe e dënoj zemërngushtësinë e tyre dhe dyfytyrësinë. Këtu tregon se gjithmonë e vlerëson të mirën që është në njeriun, edhe atëherë kur e thotë një kundërshtar i qëndrimeve të tija. Zotëria nuk e refuzon askënd. Ai është i hapur ndaj të gjithëve sepse erdhi për t’i shëlbuar të gjithë. O Zot, më ndihmo që të jem i hapur para të mirës të cilën secili njeri e mbart në vetvete. Bëj që në të ta ndërtojmë bashkimin, mos lejo të kërkojë në të tjerët dallimet dhe mangësitë. Ma jep më shumë shpirtin ekumenik (bashkues).