MEDITIMI I DITËS – DASHURIA E HYJIT NUK PËRFUNDON ASKURRË

Written by on March 10, 2018

 Gjn 3, 14-21 DASHURIA E HYJIT NUK PËRFUNDON ASKURRË

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Hyji është dashuri

 

Mahnitem para teje, O Zot! Aq shumë kohë i kushtove Nikodemit, fole me të, hyre në thellësinë e përmbajtjes me të dhe ia shpjegove fshehtësitë të cilat as në bisedat më intime nuk ua zbulove apostujve. E Nikodemi ishte vetëm një farise! Mirëpo edhe pranë kësaj, qëndrueshëm dhe me dashuri ia paraqite planet e Hyjit. Ndoshta kjo gjë mund të me ndodh edhe mua, o Zot, në qoftëse edhe unë si Nikodemi dëshiroj të rrijë pak më gjatë me ty, në qoftë se edhe unë kohë pas kohe të dhuroj ndonjë pjesë të natës që të flas me ty. Në vrapim me kohën nuk gjej kohë të mjaftueshme për ty, kohë të mjaftueshme që të kushtohem plotësisht ty.

Po të falënderoj, o Zot, për ketë bisedë. Të falënderoj që na zbulon dashurinë e Atit. Kënaqem kur të dëgjoj duke thënë: Hyji aq shumë e deshi botën, Hyji aq shumë me deshi mua, Hyji aq shumë i do njerëzit – sa që e dha Birin e vet. Ti, o Jezus je zbulesa e dashurisë së Hyjit. Ti je shenja dhe biseda e vazhdueshme: Hyji është dashuri. Na fal për të gjitha çastet në të cilat ne si njerëz jemi në tundim se ti na ke harruar, se nuk na do. Ka tundime në të cilat nuk gjejmë udhën, ka vështirësi për të cilat mendojmë se i tejkalojnë mundësitë tona. Prapëseprapë mos lejo që të harrojmë në të gjitha çastet e jetës se ti je dashuria, se na do përtej kuptimit njerëzor. Edhe kur ne nuk mund të ndihmojmë, edhe kur me duket se ti nuk interesohesh për mua, edhe kur nuk të shoh, dua të besoj se ti me do dhe kurrë nuk do të më mungojë dashuria jote.

Ti, o Jezus, je drita! Erdhe në botë që të na nxjerrësh nga errësira, nga padituria, gënjeshtra dhe mëkati. Erdhe që t’i shpërndash të gjitha retë të cilat janë bashkuar mbi ketë tokë. Erdhe që të na shndritësh me dritë që shpresa ta gjej rrugën deri të zemra jonë, deri të familjet tona, deri të mendimet dhe ndjenjat tona. Ti për vete thua se je drita e botës. Na tërheq vërejtjen nga rreziku: se njerëzit më shumë deshën errësirën, kishin frikë nga drita, nuk dëshironin t’i nxjerrin në dritë veprat e veta të errësirës. Prandaj, ti, o Jezus, u takove me kundërshtimin dhe mosbesimin.

Ne po të pranojmë sot, o Jezus. Përmes sakramentit të pagëzimit, Jezus, ndez në zemrat tona dritën që nuk do të fikët më. Është ndezur qiriu i fesë dhe dashurisë. Zjarri dhe ngrohtësia, drita dhe jeta janë qirinj të ndezur të zjarrit të ndezur i cili ngadalë po e shndrit ketë tokë. Për ne fitorja jote tashmë është e pranishme në jetën tonë: në pagëzim. Qiriu i ndezur në qiriun tënd të Pashkëve largon errësirën e zemrës sonë. Ne na ka shndritur drita jote.

Po, ti porosisim, o Zot, Jezus, të gjithë ata persona të rritur që natën e Pashkëve do ta marrin pagëzimin, krezmimin dhe kungimin. Le të pranojnë dritën e besimit në ty, le të marrin ty si dritë të jetës!

Po, ti porosisim, o Zot Jezus, edhe të gjithë ata që tashmë janë pagëzuar, dhe natën e Pashkëve dëshirojnë të përtërinë premtimet e pagëzimit të tyre që të kenë mundësi të jetojnë si bijë të dritës! Drita erdhi në botë në personin tënd, dhe ne, o Jezus, po përcaktohemi për ty.

 

 


Current track

Title

Artist