MEDITIMI I DITËS – DASHURIA DHE PENDESA
Written by Radio Maria on July 20, 2017
Mt 12, 1-8 DASHURIA DHE PENDESA
Kërkoj hirin: që të kuptoj se si veprat e jashtme të pendesës dhe flijimit të më nxisin për dashurinë e vërtetë.
1 Në atë kohë – në një të shtunë – Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallëz e të hanë.
Jezusi është vetëm me nxënësit e vet. Janë në rrugë. Është e shtunë. Një pjesë të rrugës e kalojnë nëpër ara të mbjella me grurë. Asgjë e jashtëzakonshme për nxënësit e tij që përngjatë rrugës të këpusin kallëz për të përtypur kokrrat. Ishin të uritur dhe kjo gjë ju ndihmonte që ta zvogëlonin ndjenjën e urisë. Këtë gjë ju lejonte Ligji i Moisiut, siç shkruan në Librin e Ligjit të përtërirë: «Nëse hyn në drithëra të mikut, mund të thyesh kallinj me dorë, por mos korr me drapër» (Lp 23, 26).
2 Kur i panë farisenjtë, i thanë: »Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën!«
Duket se disa njerëz në mënyrë të veçantë e vërenin Jezusin dhe sjelljet e tij të shtunën. Nuk e vërenin që të mësonin diçka prej tij ose për të falënderuar për të mirat që morën, por e vërenin si sillej dhe çfarë bënte që të kishin mundësi ta kundërshtonin dhe të kërkonin llogari prej tij. Në këtë gjë prinin farisenjtë, zbatuesit besnik të ligjit. Prandaj shkonin pas Jezusit, e vërenin se çfarë fliste dhe bënte. Kështu ishte edhe në ketë të shtunë.
Ata e panë se si nxënësit e Jezusit po bënin diçka që nuk guxojnë të bëjnë, prandaj kundërshtojnë. Nuk kundërshtojnë për arsye se nxënësit e tij këpusin kallëz, por pse këtë gjë e bëjnë të shtunën. E shtuna për ta është më e rëndësishmja, prandaj çdo gjë duhet nënshtruar asaj. Pikërisht ata i kanë bërë këto ndalesa të shumta me të cilat duhet nderuar të shtunën. Në këtë mënyrë ndalesat u bënë barrë për njerëzit, pra nuk ishin lehtësim për ta kremtuar të shtunën. Farisenjtë shin shumë të rreptë ndaj të gjithëve që nuk i zbatonin këto rregulla. Edhe kësaj here, ata besojnë se nxënësit e Jezusit janë shumë të lirë dhe nuk i nënshtrohen Ligjit. Nuk është problemi që nxënësit këpusin kallëz dhe përtypin kokrrat, por që këtë gjë e bëjnë të shtunën. Farisenjtë ishin thellë të bindur se këtë gjë nuk guxonin ta bëjnë sepse ishte e ndaluar. Edhe kësaj here shihet qartë se si përshpejtojnë me ligjin e të shtunës që vërtetë ishte barrë për njerëzit. Çfarë të keqeje ka, nëse këputet ndonjë kallëz dhe përtypen kokrrat e grurit? A e fyen Hyjin kjo gjë? A është kjo gjë kundër njeriut? Ky është shembull i qartë se deri në cilën pikë të së keqes mund të arrij njeriu në qoftë se kërkon zbatimin e ligjit për shkak të ligjit dhe këtë gjë e kërkon vetëm pse ekziston si ligj.
O Zot, më ndihmo që të kem zemër të sinqertë dhe të drejtë ndaj Ligjit tënd. Bëj që mos ta përjetoj si barrë dhe zvogëlim të lirisë dhe të personalitetit tim. Ti e dhe që të më ndihmojë në jetë, që të kem mundësi të drejtohem më lehtë. Ligji është këtu që mos të humbas dhe të besoj në gënjeshtër, që të ma tërheq vërejtjen çfarë duhet të bëj dhe si duhet të sillem. Më ndihmo që mos t’i bëhem ligj vetvetes dhe mos të caktojë masa me të cilat do të masë të tjerët dhe vetveten.
3 Jezusi u përgjigj: »Vallë a nuk keni lexuar ç’bëri Davidi kur u urtua ai dhe përcjellësit e tij? 3 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t’i hajë as ai as përcjellësit e tij, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat? 6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli!
Jezusi del në anën e nxënësve të vet. Nuk dëshiron ta mbroj ligjin vetëm pse dikush e ka pru sipas dëshirës së vet, por e shpjegon në mënyrë të urtë. Ju sjell shembullin nga koha e Davidit mbret që përcjellësve të vet iu dha të hanë në Tempull bukën që duhej të hanin vetëm priftërinjtë. Jezusi thotë se Davidi ka vepruar mirë, sepse në atë moment ishte më e rëndësishme tu shërbente të uriturve se sa të nderohej buka dhe ligji i kushtimit. Priftërinjtë në tempull gjithashtu e prishin të shtunën duke bërë punë të ndryshme që janë të ndaluara me ligj, por ato duhet t’i bëjnë shumë më shumë se në ditët tjera që ta përgatisin nderimin hyjnor. Askush nga kjo nuk bënë problem, sepse kjo gjë është e nevojshme dhe krejt normale.
7 Ta kishit kuptuar se ç’do të thotë fjala: ‘Dua mëshirën e jo flinë’, nuk i kishit dënuar këta njerëz që s’po bëjnë faj. 8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!«
Në fund Jezusi ju citon Ozenë profet duke dashur që tu thotë se Hyji e pëlqen më shumë qëndrimin e brendshëm të zemrës së tyre se sa qëndrimin e jashtëm pendestar në qoftë se nuk na drejton drejt qëllimit por kërkon kuptim në vetë veprimin. Kur ju tha krejt qartë se këtu mes tyre është dikush «më i madh se Tempulli» dhe se «Biri i njeriut është Zotëria i të shtunës», ai i befasoj pa masë farisenjtë. Më këtë gjë vetëm dëshiroi që tua hap sytë që ta kuptojnë se veprimet njerëzore dhe gjestet janë aq më vlerë sa kanë në vetvete dashuri dhe shpirt. Këtu ka diçka më rëndësi shumë të madhe: Jezusi ka pushtet mbi ato gjëra që ka vendos njeriu, edhe kur kjo gjë është bërë ligj, sepse ligjet tona duhet të jenë në përputhje me Jezusin.