MEDITIMI I DITËS – ÇFARË KE ME NE, O JEZUS I NAZARETIT?
Written by Radio Maria on January 26, 2018
Mk 1, 21-28 ÇFARË KE ME NE, O JEZUS I NAZARETIT?
Kërkoj hirin: që të besoj se do të korrë fitore mëshira e Hyjit
Jezus në sinagogën e Nazaretit hase në kundërshtime. Përmes buzëve të njeriut të pushtuar dolën fjalët e kundërshtimit. Shpirti i ndytë ka frikë, e kundërshton ardhjen tënde në Nazaret. Ai ndjehet i rrezikuar në praninë tënde. I ndyri të kundërshton ty që jetë krejtësisht i pastër. Shpirti i keq të kundërshton ty që je krejt i mirë. “Çfarë ke me ne, o Jezus i Nazaretit? A erdhe të na zhbish!”
Edhe sot, forca e fjalës sate, o Jezus, jehon në mbarë botën. Kjo fjalë është e fortë; i përngjan shpatës së mprehtë, e cila as sot nuk iu përshtatet të gjithëve as nuk është e mirëseardhur për të gjithë në asnjë kohë. Jezus edhe sot ty të kundërshtojnë, sepse ti i shqetëson njerëzit, na shqetëson edhe neve që themi se jemi nxënësit e tu, se jemi të afërmit e tu.
Na ngushëllo dhe na jep forcë, o Zot Jezus. Është e vërtetë se ti je më i fortë dhe më i madh se çdo shpirt i ndytë, se çdo tundim dhe se çdo mëkat. Na ngushëllo duke na siguruar se më në fund shpirti i ndytë do të pranojë humbjen dhe do ta lë të lirë secilin shpirt që do të rrijë në afërsinë tënde. Mjafton që të rrimë afër teje, aty ku je ti, në kontakt me ty dhe të ndjehemi të lirë nga të gjitha rreziqet dhe nga të gjitha tundimet të cilat i kërcënohen sot secilit njeri.
Prandaj eja më fuqishëm në mesin tonë që edhe tani të lavdërohesh me atë lavdi të cilës nuk do të ketë mundësi t’i kundërshtojë krejt e keqja e kësaj bote. Eja e na vizito që të besojmë se edhe pranë të gjitha kërcënimeve të të keqit që kanë marrë hov në jetën e njerëzimit, mëshira jote më në fund do të korr fitore.