MEDITIMI I DITËS – ÇDO DITË E PËRGATIS SHËLBIMIN
Written by Radio Maria on October 25, 2016
Lk 13, 22-30 ÇDO DITË E PËRGATIS SHËLBIMIN
Kërkoj hirin që seriozisht dhe çdo ditë ta përgatis shëlbimin tim.
Në atë kohë, 22 Jezusi në udhëtim për Jerusalem kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. 23 Një njeri e pyeti: »Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?« Ai u tha: 24 »Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.
Jezusi është përsëri në rrugë. Shkon nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat. Ai është misionari i parë. Nuk u mbyll në ndonjë institucion apo shkollë. Krejt Palestina ishte fusha e tij e veprimit. Edhe nxënësit e tij i dërgoi që të predikonin. Gjatë jetës, së pari, i dërgoi në Palestinë. Pas Shëlbimit i dërgoi në mbarë botën. Këtë gjë do ta kërkojë prej të gjitha breznive të nxënësve të vet. Në të vërtetë, çdo i krishterë duhet të mbartë në vetvete diçka nga kjo gatishmëri e Zotërisë që të shkojë dhe ta predikojë Ungjillin.
Pyetja për shëlbimin është e rëndësishme dhe përcaktuese. Këtë pyetje e bën secili prej nesh në vetvete: A do të shëlbohem apo jo? Çfarë do të bëhet me mua pas kësaj jete? Çfarë duhet të bëj që të shëlbohem? Jezusi na fton në veprim dhe në luftë. Nuk mund të hyjmë në jetën e amshuar pa punë dhe pa angazhim të madh. Nuk duhet t’i dorëzohemi rrymës që të na çojë gjithkund. Ne e kemi provuar se si shtyhen njerëzit para dere, në sportele, në trafik… Të gjithë e kërkojmë vendin më të mirë, që na garanton hyrjen dhe kalimin e sigurt. Kërkojmë që këtë gjë ta bëjmë sa më parë. Ja, kështu duhet të veprojmë edhe për shëlbimin tonë. Na duhet t’i përdorim të gjitha fuqitë tona, duke bërë gjithçka që të shëlbohemi. Jezusi dënon çdo lloj dembelizmi dhe vaktësie.
25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigj: ‘S’di nga jeni!’ 26 Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshe tona!’ 27 Por ai do të përgjigj: ‘Unë nuk di nga jeni ju! M’u hiqni sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’
O Zot, më liro nga moskujdesi, nga vaktësia, nga mosveprimi, që më shtypin dhe nuk më lejojnë që të angazhohem për atë qëllim që Ti më ke krijuar: që ta shëlboj shpirtin tim. Bëj që ky të jetë kujdesi im kryesor. Më ndihmo që të di të luftoj për shëlbimin tim.
Po, mund të ndodhë që të vonohemi. Jezusi thotë se ekzistojnë «kohërat» që më duhet t’i respektoj. Dera e parajsës është e hapur. Jezusi e hapi. Mirëpo një ditë, kjo derë do të mbyllet dhe përpjekjet tona, që të vihemi para tyre dhe të kalojmë nëpër to, do të përfundojnë. Nuk guxoj ta shtyj për më vonë dhe për një kohë tjetër kujdesin për shëlbimin tim. Dita e sotme është e rëndësishme. Nesër mund të jetë shumë vonë. Nuk guxoj të shpresoj në mënyrë të paarsyeshme se si jam shoqëruar më Zotërinë, se si kam ngrënë dhe kam pirë me të dhe në këtë mënyrë mund të kaloj gjithmonë nëpër derë. Qortimi i Jezusit është serioz dhe dramatik. Ata që nuk e kuptojnë këtë gjë si duhet dhe gjatë jetës janë të këqij, janë keqbërësit e vetvetes. Tek Ai, nuk ka të privilegjuar. Më duhet të luftoj për shëlbimin tim dhe ta meritoj atë. Shën Injaci i Lojolës thoshte se duhet të punojmë sikur çdo gjë të varej prej nesh, por duhet pafundësisht të shpresojmë në Zotin sikur çdo gjë të varej prej tij. Secilën ditë duhet ta jetoj si të ishte dita e fundit para Gjyqit. Më duhet ta jetoj në plotësi çdo ditë të jetës si të ishte dita e fundit e jetës sime. Vetëm kështu mund të jem aktiv.
28 Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. 29 E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. 30 Po se, ka të mbramë që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të mbramët!«
Refuzimi është i tmerrshëm dhe i amshuar. Tmerri i tij paraqitet me vajin dhe kërcëllimin e dhëmbëve. Mjafton kjo që ta ndjej krejt tmerrin e tij. Mirëpo, nuk mund ta kundërshtojmë në asgjë Hyjin, sepse të gjithë mund të afrohen dhe janë të thirrur që të hyjnë në mbretërinë e Hyjit. Askush nuk është i përjashtuar, askush nuk është i privilegjuar, askush nuk është i paracaktuar. Kërkohet vetëm një kusht, pranimi aktiv i Jezusit dhe përcaktimi që të shkoj pas Tij në fe.
Interesant, Jezusi nuk përgjigjet në pyetjen që ia bën dikush në fillim të kësaj faqeje të Ungjillit. Nuk dëshiron që ta qetësojmë lehtë ndërgjegjen me përgjigjen që mund të ishte kështu: të gjithë shëlbohen në mënyrë automatike; pra, mund të jem i qetë dhe nuk duhet të bëj asgjë. Ose, po të thoshte se pak njerëz shëlbohen, atëherë do të kisha mundësi të mendoja: përse të mundohem meqë unë nuk do të jem në mesin e tyre! Jezusi lejon që të marrim vendime personale për Të ose kundër Tij. Na tërheq vërejtjen se koha e vendimeve është e kufizuar dhe se duhet që seriozisht të marrim një qëndrim drejt qëllimit të jetës sonë.
O Zot, ditët e mia janë të numëruara. Nuk ka rëndësi sa do të jenë. Është e rëndësishme që të kenë kuptim dhe të shfrytëzohen mirë. Më ndihmo që këto ditë të mos i kaloj në mënyrë të pakujdesshme, por bëj që në to ta ndërtoj amshimin tim. Këtë gjë po ta kërkoj bashkë me psalmistin: më ndihmo që t’i numëroj ditët e mia, që të kenë zemrën e urtë!