MEDITIMI I DITËS – BISEDA MË TË TJERËT

Written by on May 28, 2019

Mk 11, 27-33 BISEDA MË TË TJERËT

 

Kërkoj hirin: që të jem i sinqertë dhe i hapur në bisedë më të tjerët.

 

Në atë kohë, 27 ndërsa Jezusi po ecte nëpër Tempull, ju afruan kryepriftërinjtë, skribët e pleqtë 28 e i thanë: »Me ç’pushtet i bënë këto? Kush ta dha ty pushtetin të veprosh kështu?«

Jezusi është përsëri në Jerusalem në Tempull. Koha që kalon aty është shënuar nga diskutimet që bënë më mbartësit e pushtetit dhe autoritet në qytet. Këtu diskutimet i përkasin Tempullit dhe sjelljes së Jezusit në Tempull. Të gjithë janë befasuar më qëndrimin e tij të «pastrimit» të Tempullit. Kjo gjë iu përket më së shumti përgjegjësve të popullit, bartësve të pushtetit dhe eprorëve të qytetit. Prandaj kërkojnë prej Jezusit që ta arsyetoj veprimin e vet: kush ia dha pushtetin që ta bëj këtë gjë?

Ekziston rreziku që këtë veprim të Jezusit ta marrim si veprim të guximshëm dhe spektakolar. Mirëpo për bashkëkohanikët e Jezusit ky veprim ishte shumë më shumë se kaq. Të kthesh rendin në Tempull do të thoshte ta kesh autoritetin e plotë të Hyjit mbi shtëpinë e tij. E kush guxon dhe mund ta bëj këtë gjë? Kush ia dha Jezusit këtë pushtet? Këtë gjë duhet dëshmuar publikisht para të gjithëve! Kjo është pyetja që i përket identitetit të Jezusit. Kush është Jezusi? Njeri i thjeshtë? Si guxon pra, ta bëj këtë gjë pa leje të atyre që kanë përgjegjësi? Profet? Më çfarë ka mundësi ta tregojë këtë dhe ta vërtetojë? Më shumë se njeri – Hyj? Këtë gjë eprorët dhe kryepriftërinjtë nuk duan as ta mendojnë! Pikërisht këtu fillonte tmerri i tyre. Ky ishte guri në të cilin morën në thua dhe u ndanë përfundimisht nga Jezusi.

Kush është Jezusi për mua? Vetëm njeri i jashtëzakonshëm? Ose Hyji dhe njeri? Nga përgjigja në këtë pyetje themelore varët feja ime së bashku me krejt jetën e krishterë që kam. Në qoftë se në të nuk e shikoj Hyjin dhe njeriun, atëherë jam jashtë rrethit të atyre që i përkasin Kishës të cilës Jezusi ia la detyrën që ta shpall Lajmin e tij të gëzueshëm dhe ia dha pushtetin të ndaj sakramentet.

29 Jezusi u përgjigj: »Edhe unë po ju bëj një pyetje te vetme. Me përgjigjni ju e atëherë do t’ju përgjigj me ç’pushtet i bëj këto. 30 Me përgjigjni: Pagëzimi i Gjonit a ishte prej ‘Qiellit’ apo prej ‘njerëzve’?«

Jezusi përgjigjet më kundërpyetje. Tregon se di të bashkëbisedojë me ata që nuk i intereson aspak e vërteta. Ata dëshirojnë vetëm të tregojnë epërsinë në diskutime. Kanë për qëllim që më pyetjet e veta të tregojnë se tjetri nuk ka të drejtë. Nuk dëshirojnë ta pranojnë bashkëbiseduesin, aq më pak dëshirojnë të tregojnë gatishmërinë që ta pranojnë mendimin ndryshe dhe të korrigjojnë qëndrimet. Jezusi i kuptoi qëllimet e tyre dhe dëshiron që me anë të mënyrës së mendimit të tyre tu tregojë se në cilën situatë gjenden. Duke vepruar kështu, ai nuk dëshiron ta pranojë logjikën e tyre, as që dëshiron të rragatet më ta kotësisht duke paraqitur qëndrimet e sjelljes së vet. Ai dëshiron që ata të kuptojnë se erdhi për shkak të tyre, që t’i shpëtojë. Fatkeqësisht, ata ishin të mbyllur në qëndrimin e mendimit të tyre dhe të besimit. Kush nuk i përshtatej këtij mendimi dhe nuk e pranon,  është dënuar. Ata ishin ngurtësuar në siguritë e veta.

A jam i mbyllur në mënyrën e mendimit tim? A i pranoj sadopak propozimet e të tjerëve? Në familje, a di të komunikoj me burrin, gruan, prindërit, fëmijët? Në vendin e punës, a di t’i dëgjoj bashkëbiseduesit? Në bashkësi, a dëgjoj çfarë thonë të nënshtruarit, a dëgjoj çfarë thonë eprorët? A jam i gatshëm për të bërë bashkëbisedim të vërtetë i cili sjell përparim? Këto janë disa pyetje në të cilat në lutje para Zotërisë më duhet të përgjigjem duke biseduar më Të.

31 Ata filluan të pleqërojnë në vetvete: ‘Po thamë ‘Prej Qiellit”, ai do të na thotë: ‘Pse atëherë nuk i besuat? 32 e po përgjigjëm: ‘Prej njerëzve…’ dronin popullin sepse të gjithë e mbanin Gjonin profet të vërtetë. 33 Këndej i përgjigjën Jezusit: »Nuk dimë.«

U gjendën në kurth të logjikës personale që nuk e kërkonte të vërtetën por interesin vetjak. Sido që të përgjigjen, kjo kërkon prej tyre për të pranuar pasojat e asaj përgjigje. Secila përgjigje kërkonte të marrin qëndrim të sinqertë dhe ta pranojnë të vërtetën. Kësaj ia kishin frikën. Përgjigja «nuk dimë» zbulon krejt lojërat e tyre dhe dyfytyrësinë. Ata e dinin përgjigjën shumë mirë, por nuk donin ta jepnin. Kështu i mbetën besnik sjelljes dhe qëndrimeve të veta.

Edhe Jezusi u përgjigji: »As unë, pra, s’po ju tregoj se me ç’pushtet i bëj këto!«

Edhe Jezusi është i qëndrueshëm në bashkëbisedim me ta. Ai zbulohet para zemrës së hapur që është e gatshme për bisedë të sinqertë. O Zot, ti je i pranishëm në thjeshtësi dhe sinqeritet të zemrës! Bëj që të kërkoj ty, e jo dëshirat e ngushta dhe vetjake.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend