MEDITIMI I DITËS – BIRI I MBRETËRISË
Written by Radio Maria on July 31, 2017
Mt 13, 36-43 BIRI I MBRETËRISË
Kërkoj hirin: që të jem farë e mirë dhe bir i Mbretërisë së Hyjit.
Në atë kohë, 36 Jezusi e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën: Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.”
Pasi që jashtë i foli turmës, Jezusi hyn në shtëpi dhe është vetëm më nxënësit e vet. Ata duan që Jezusi tu shpjegojë çfarë u tha jashtë të gjithëve në shëmbëlltyrë. Kërkojnë më shumë se sa jep «mësimi zyrtar» të cilin e dëgjuan së bashku me të tjerët. Thua nuk ishin shëmbëlltyrat edhe për ta të pakuptueshme? Ose ishin aq të qarta sa që ju dukeshin të pabesueshme dhe kështu donin ta merrnin nga Jezusi sigurinë përfundimtare për kuptimin e tyre?
Ajo që na nxit në sjelljen e nxënësve është dëshira e tyre për të mësuar nga shëmbëlltyrat, që ta marrinë sigurinë e meditimit të vet. «Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës dhe të arës», kjo është thirrje që bënë secili prej nesh kur pyesim për dyshimet dhe paqartësitë tona të cilat i kemi në vetvete. A e kërkoj ndonjë person që të më ndihmojë për t’i sqaruar pyetjet që i kam për fenë, jetën dhe kuptimin? A them në lutjen time: O Zot, më qartëso! Dhe sikurse bënë nxënësit e Jezusit atë ditë kur u ulën rreth tij në shtëpi dhe e dëgjonin, a më duhet edhe mua që ta bëj të njëjtën gjë në lutjen time: të ulem dhe të dëgjoj çfarë dëshiron të më qartësojë Zotëria?
7 Ai u përgjigj: Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. 38 Ara është bota.
Jezusi është mbjellësi që mbjell farën e mirë. E kaloj tokën duke bërë mirë. Çdo gjë që tha dhe bëri ishte mbjellje e farës së mirë. Çdo gjë që bëri e bëri për të mirën e njeriut. Ungjilli është Lajmi i gëzueshëm. Në të nuk ka asnjë të keqe, aq më tepër, asnjë hije të së keqes. Në Jezusin nuk ka asgjë të keqe. Në të është e mira dhe vetëm e mira. Kaloj vendlindjen e vet si në një arë nëpër të cilën mbillte.
Ara është bota, mirëpo ara është edhe brendia ime, shpirti dhe zemra ime. Këtu bie fara të cilën e mbjell Jezusi. Ai është e mira. Por a lejoj që kjo e mirë të rritet në mua? Si rritet fara e Hyjit në Jetën time?
Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. 39 Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Kortarët janë engjëjt. 40 Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës.
«Bijtë» janë njerëzit që i përkasin Mbretërisë ose të Keqit. Varët nga fara të cilën e marrin, nga ajo që lejojnë të «rritet» në ta. Të gjithë jemi të mbejllur dhe të gjithë rritemi. A jam bir i Mbretërisë ose bir i të Keqit? Të keqen e mbjell armiku, d.m.th. djalli. Ne e kemi armikun. Ai rrënon dhe shkatërron. Ai është i Keqi. Ai dëshiron shkatërrimin e njeriut. Egjra janë të gjithë ata që bashkëpunojnë me të Keqin, që lejojnë që e keqja të banojë në ta dhe e lejojnë që ajo t’i drejtojë.
Do të vijë përfundimi i botës, atëherë do t’i shohin të gjitha në mënyrë të qartë. Korrja është simboli i përfundimit të botës, përfundimi i të gjithave. O Zot, më ndihmo që të jem farë që ti e mbolle, që të jem bir i Mbretërisë. Po të lutem më ndihmo! Kur jam me ty, nuk kam pse t’i frikësohem korrjes në përfundimin e botës.
41 Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i hedhur jashtë Mbretërisë tij të gjithë ngashënjyesit dhe ata që bëjnë keq, 42 e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. 43 Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë!”
Këto janë përngjasime të cilat na flasin për gjyqin e Hyjit mbi historinë. Atëherë i Keqi do ta pësojë humbjen përfundimtare dhe e keqja do të shkatërrohet. Deri atëherë janë të pranishëm së bashku në botë dhe në secilin njeri. Pas korrjes dhe gjyqit përfundimtar, përfundimisht do të ndahen bijtë e Mbretërisë nga bijtë e të Keqit. Ata që ishin bijtë e të Keqit, ata që u përcaktuan për të, do të jenë si egjra e hedhur në zjarr. Furra e ndezur, vaj dhe kërcëllima e dhëmbëve, janë vetëm përngjasime të cilat dëshirojnë të na paraqesin gjendjen e atyre që do të jenë të përjashtuar dhe që do t’i përkasin të Keqit përgjithmonë, sepse bënë keq. Këta janë keqbërësit.
Të drejtët më në fund do të shndrisin më krejt shkëlqimin e të mirës të cilën e bënë dhe e cila i tërhiqte. Atëherë do të shohin se ja vlejti për të bërë mirë edhe pse kjo gjë nuk ishte aspak e lehtë. Atëherë do të shohin se Ati qiellor e pa secilën të mirë, qoftë edhe më e vogla të cilën e bënë pa kërkuar kurrfarë shpërblimi dhe mirënjohjeje. Atëherë do të kuptojnë sa ishte e rëndësishme lufta për të mirën të cilën e bënë gjatë jetës së tyre. Më në fund do të bashkohen me Atin e tyre qiellor në Mbretërinë e tij e cila iu përket përgjithmonë.
Jezusi tërheq vërejtjen se çfarë duhet dëgjuar. Por nuk duhet që vetëm të dëgjojmë por edhe ta pranojmë më zemër fjalën e tij. O Zot, bëj që fjala e jote e vetmja të jehojë në zemrën time. Bëj që të jetë farë që do të rritet dhe do të jap fryt të mirë. Bëj që ky fryt të shkëlqej para teje që sipas saj të jem pjesëtar i Mbretërisë sate.