MEDITIMI I DITËS – BESOJ NË ZOTIN QË FITOI MBI TË KEQIN

Written by on October 12, 2017

Lk 11, 15-26 BESOJ NË ZOTIN QË FITOI MBI TË KEQIN

 

Kërkoj hirin: që të besoj në Hyjin me fe të gjallë sepse ai fitoi mbi të Keqin.

 

Në atë kohë, 15 disa prej popullit thanë: »Jezusi i dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.« 16 Do tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit.

Kjo ishte padi e tmerrshme. Jezusi bënë mirë, e disa e padisin se këtë gjë e bënë më ndihmën e të Keqit. Krejt kohën dhe forcat e veta i vendosi në të mirën e të tjerëve që tu ndihmojë, e shpërblejnë në mënyrë të pamëshirshme dhe e padisin padrejtësisht. Ai që erdhi për t’ia marrë pushtetin dhe për ta zbuluar të Keqin duke e luftuar pa mëshirë, njolloset me padi se bashkëpunon me të dhe se me fuqi të Beelzebulit i dëbon djajtë. Edhe kjo është vepër e të Keqit. Kjo ishte shpifje e rëndë. Jezusi e ndjeu këtë gjë. Për të mirat që bënë, nuk priti shpërblime, por u lëndua thellë kur dëgjoj se si e shpjegonin disa mirësinë e tij. Më këtë gjë e goditën në pikën më të ndjeshme të dërgimit të tij. I thonë se luftën kundër të Keqit e bënë në bashkëpunim me të Keqin. Vërtetë, ky ishte kurth dhe përgjim i djallit.

O Zot, mundohem t’i përjetoj ndjenjat që provove kur të përgojuan dhe të paditën në këtë mënyrë. Ti bëre çdo gjë për njeriun, që është kaq mosmirënjohës dhe kaq panjerëzishëm sillet me ty. Edhe sot, o Zot, nxënësit e tu përjetojnë padi të tilla. Të mirën që e bëjnë, disa përpiqen që ta kthejnë kundër tyre. Ndaj atyre që e bëjnë këtë gjë, ji i mëshirshëm dhe fali, ndërsa besnikëve të tu, që kalojnë çastet e vështira të shpifjeve dhe të gënjeshtrave, jepu fuqi që të jenë të durueshëm dhe që të mbetën besnik.

17 Por Ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha: »Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete – pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit – si do të qëndrojë mbretëria e tij?

Jezusi e zbulon padinë e tyre dhe shpifjen më logjikë të thjeshtë. Nuk mund të veprosh kundër dikujt, e të jesh në bashkim më të. Nuk ke mundësi ta zbulosh të Keqin, e të jesh miku dhe bashkëpunëtori i tij. Secila ndarje në cilëndo bashkësi na drejton drejt shkatërrimit dhe vdekjes së bashkësisë. Kështu është edhe më mbretërinë e të Keqit. Jezusi vazhdon me shpjegim:

19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

Më të Keqin nuk ka bashkëpunim, e që bashkëpunimi mos të kthehet kundër atij që ka bashkëpunuar me të. Ka mundësi të bashkëpunosh me të Keqin ose të luftosh me krejt fuqitë kundër tij. Rrugë të tretë nuk ka. Ka gjithmonë njerëz të cilët bashkëpunojnë me të. Fatkeqësisht, shumë mbetën me të deri në fund dhe përfundojnë tek ai. Gjithashtu, ka gjithmonë njerëz që bashkëpunojnë me Hyjin në luftë kundër të Keqit. Ata bëjnë ato gjëra që i bënte Jezusi. Bashkëpunimi i tillë me Jezusin është shenjë e pranisë së Mbretërisë së Hyjit Kur dëbohet i Keqi, kjo do të thotë se për Hyjin dhe Mbretërinë e tij mbetet më shumë vend.

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndanë plaçkat e tija. 23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.«

I Keqi mund të jetë zotërues vetëm kur njeriu i dorëzohet dhe i shërben. Mirëpo, vetëm prania e Jezusit i shpërndante fuqitë e këqija. Na duhet të besojmë se Zotëria është më i fortë se i Keqi dhe se vetëm më ndihmën e tij kemi mundësi ta mbizotërojmë. Të jesh me Jezusin do të thotë të jesh në anën e më të fortit dhe të bashkosh bashkë me të. O Zot, dëshiroj të jem pranë teje, dëshiroj të mbetëm me ty. Vetëm në këtë mënyrë mund të jem i sigurt për fitore mbi të Keqin. Ti ji mbrojtja dhe kështjella ime. Në ty shpresoj, o Zot!

24 »Kur shpirti i ndytë të ketë dalë prej njeriut, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim, e, duke mos e gjetur, thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë time nga dola’. 25 Kur kthehet, e gjen të fshirë e të stolisur. 26 Atëherë shkon e merr me vete edhe shtatë shpirtra tjerë më të këqij se veten, hyjnë e banojnë aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.

Njeriu nuk është i sigurt asnjëherë se kur do ta sulmojë djalli. Pikërisht atëherë kur ndjehet më i sigurti, atëherë mund të bie. Edhe atëherë kur mendon se korri fitore dhe në këtë mënyrë iki nga i Keqi, nuk ka mundësi të jetë i qetë dhe i sigurt. Është e sigurt se nuk kemi mundësi në gjithçka ta shohim të Keqin dhe në vazhdimësi të jetojmë në frikë dhe tmerr. Edhe ky është rreziku i vazhdueshëm që është i pranishëm në jetën e shumë njerëzve. I Keqi ekziston, por nuk është i gjithëpushtetshëm. Na duhet të jemi të kujdesshëm. Mirëpo edhe më shumë na duhet të besojmë thellësisht se si me ne është Zotëria që fitoi mbi të keqen. Më duhet të besoj se vetëm ai ka mundësi të më ndihmojë që të fitoj mbi të keqen.

 


Current track

Title

Artist