MEDITIMI I DITËS – BESNIKËRIA

Written by on April 10, 2017

Gjn 13, 21-33. 36-38 BESNIKËRIA

 

Kërkoj hirin që të jem gjithmonë besnik ndaj Jezusit, që kurrë të mos e tradhtoj.

 

21 Si i tha këto, Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë”. 22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste.

Jemi në atmosferën e Darkës së fundit. Jezusi ishte vetëm me nxënësit e vet. Jemi në natën e mundimeve. Ai nuk kishte arsye t’i shtynte më gjërat, tani fliste haptas për tradhtinë. Kjo ishte befasi për nxënësit. Vetëm e panë në heshtje njëri-tjetrin, thuajse duke mos iu besuar veshëve të vet. Po, njëri prej tyre do ta tradhtonte, njëri prej nxënësve të Tij.

O Zot, mund ta marr me mend se si ishte gjendja në atë vend ku po kremtohej Darka e fundit. Tradhtari ishte në tryezë. Ai ishte në mesin e nxënësve. Ai ishte nxënësi Yt. Si është e mundur që nxënësi, miku, të bëhet tradhtar? Këtu gjendet fshehtësia e lirisë njerëzore dhe e bashkëpunimit të njeriut me të keqin.

23 Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit. 24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte: 25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti: “Zotëri, cili është?”

Shën Gjoni, me falënderim dhe me gëzim, e thekson dashurinë e Jezusit dhe miqësinë ndaj Tij. Edhe nxënësit, në ato çaste të vështira, përfituan nga miqësia e Gjonit me Jezusin dhe e lutën që ta pyeste se kush ishte tradhtari. Shumë piktorë e kanë paraqitur çastin e mbështetjes së Gjonit në kraharorin e Jezusit. Ai ishte mik dhe kishte miq që i përgjigjeshin miqësisë së Tij. Disa dinin ta bënin këtë gjë më mirë për shkak të pasurisë së jetës së brendshme, të butësisë dhe të mirësisë, për shkak të bukurisë së brendshme. Thjesht, ishin shpirtra të përafërt me Jezusin. Gjoni ishte i tillë. Edhe pse Pjetri mori nismën dhe e nxiti pyetjen, prapëseprapë Gjoni ishte ai që e kreu këtë detyrë të rëndësishme. Secili prej tyre kishte rolin e vet dhe secili e kryente mirë.

O Zot, të falënderoj për shembullin e miqësisë së vërtetë. Më ndihmo që ta vlerësoj, ta mbështes dhe ta jap këtë miqësi. Më ndihmo që ta njoh dhe ta pranoj rolin tim në bashkësinë ku jetoj. Më ndihmo gjithashtu që edhe në familjen time ta kryej rolin që ma ndave e të cilin e mora.

26 Jezusi iu përgjigj: “Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë”. Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Pas kësaj kafshate në të hyri djalli. Atëherë Jezusi i tha: “Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!” 28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. 29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve. 30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.

Jezusi e tregoi Judën, por nxënësit ende nuk e kuptonin se për çfarë bëhej fjalë. Menduan se Juda shkoi për të bërë diçka të ngutshme. Mirëpo, ai tashmë kishte bërë besëlidhje të thellë me djallin. Me kafshatën e vet, ai hyri në errësirë. Nata e kishte kapluar tashmë Judën dhe në këtë çast ai vetëm sa iu dorëzua edhe fizikisht. Nata e ka mbuluar çdo njeri që i është dorëzuar djallit. Ai i dorëzohet natës dhe nata e përpin.

31 Pasi Juda doli përjashta, Jezusi tha: Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të! 32 [Nëse Hyji u lavdërua në të] edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë! 33 Fëmijëzit e mi! Edhe pak kohë jam me ju! Do të më kërkoni, por, siç u thashë judenjve, tani po ju them edhe juve: ‘ku unë po shkoj, ju nuk mund të vini’.

O Zot, derisa atmosfera ishte ende e nderë dhe mendimi i tradhtisë i mundonte nxënësit, Ti flisje për lavdërimin e Hyjit dhe në të njëjtën kohë për lavdërimin Tënd. Edhe pse vdekja ishte përcaktuar dhe tradhtari shkoi, lavdia ishte e dukshme në tërësinë e Misterit të Pashkëve. Nxënësve të Tu u flisje për atë gjë që është më e rëndësishmja në jetë, për dashurinë e ndërsjellët. Në këtë atmosferë, lindi Urdhri i Ri. U dhe shembull të gjithë atyre që ishin në tryezë me Ty dhe të gjithë atyre që më pas do të bëheshin nxënësit dhe besimtarët e Tu. Të gjithë jemi të ftuar në këtë dashuri. Edhe unë duhet ta dua tjetrin ashtu si më do Ti, d.m.th. deri në fund, deri në dhurimin e jetës. Vetëm në këtë mënyrë, do të më dallojnë se jam nxënësi Yt. Bëj që dashuria Jote në mua të jetë shenja ime dalluese.

36 Simon Pjetri i tha: “Zotëri, ku mendon të shkosh?” Jezusi [iu] përgjigj: “Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh”. 37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!”

Pjetri nxitohej shumë në fjalë. Premtonte gjithçka dhe në gjithçka ishte i gatshëm. Jezusi e donte këtë afërsi të Pjetrit, edhe pse shumë shpesh për shkak të saj e qortoi.

38 Jezusi u përgjigj: “Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”

Jezusi e njihte Pjetrin. I pëlqente gatishmëria e tij. Por, e dinte se shumë shpejt Pjetri do të pështjellohej, do të frikësohej dhe do ta mohonte. Kjo do të ishte shkollë e madhe për të! Pjetri, në të, do të mësonte se si ta donte vërtet Jezusin deri në fund, deri në dhurimin e jetës.

O Zot, bëj që në fjalët e mia, në vendimet dhe premtimet e mia të jem më i matur dhe më i vërtetë. Kur e premtoj dhe e pranoj diçka, bëj që atë gjë edhe ta kryej.

 

 


Current track

Title

Artist