MEDITIMI I DITËS – BESIMI NË JEZUSIN

Written by on January 9, 2017

Mk 1, 21-28 BESIMI NË JEZUSIN

 

Kërkoj hirin: që të besoj në Jezusin që është më i fortë se çdo fuqi e keqe.

 

21 Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. 22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët.

Jezusi vazhdon udhëtimin e veriperëndim të Detit të Galilesë. Zgjedh këtë qytet dhe në të predikon. Kafarnaumi për Jezusin është si një bazë prej të cilës niset dhe në të cilën kthehet shpesh. Kështu ndodhi edhe në këtë të shtunë, hyri në sinagogë dhe filloi të mësoi. Kjo është vepra e parë që kryen. Gjithmonë fillon duke i mësuar njerëzit. Është e shtunë dhe njerëzit kanë ardhur në sinagogë. Jezusi e përdor këtë gjë. Kështu bëhet pjesë e traditës. Sinagoga është vendi në të cilin dëgjohen dhe shpjegohet Shkrimi. Ne nuk e dimë se çfarë mësoj dhe çfarë shpjegoj Jezusi. Më siguri ishte një mësim i ri më një kuptim i ri të Vullnetit të Hyjit. Shën Marku thekson jehonën e mësimit të Jezusit tek njerëzit. Ata ishin të habitur, jashtë vetes. Ndjenin se ju fliste si një njeri që ka pushtet. Skribët vetëm përsëritnin ato mësime që kishin mësuar. Jezusi dinte t’i interesonte njerëzit. Ishte një njeri që dinte të fliste në mënyrë të jashtëzakonshme. Fliste nga zemra. Prandaj tërhiqte vëmendjen.

O Zot, ma jep hirin që të dijë të të dëgjoj, që të dijë ta dëgjoj Fjalën tënde me mahnitjen e atyre që të dëgjuan duke folur në sinagogën e Kafarnaumit. Më ndihmo që në të njëjtën mënyrë, kur flas për ty, kjo të jetë me bindje dhe mahnitje të profetit. Ndihmoju atyre që flasin për ty që mos të jenë si skribët që në mënyrë të padurueshme përsërisin mësimet që i mësuan. Flasin, por nuk ju del fjala prej zemre. Prandaj nuk kanë entuziazëm. Ndihmoju që të jenë shërbëtorë të Fjalës, që ta paraqesin sinqerisht dhe me përvujtëri, ashtu siç paraqiten vlerat.

23 Pikërisht atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti: 24 “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

Konflikti. Në një atmosferë feste të dëgjuesve të mahnitur jehoj zëri tmerrues. Të gjithë u shtangën dhe u kthyen drejt njeriut që bërtiti. Në të vërtetë, shpirti i ndyrë po protestonte përmes tij. I Keqi e hetoj se kundërshtari i tij më i madh është Jezusi dhe që në fillim dëshironte të paraqite si kundërshtar, kundërshtar i Jezusit dhe i njeriut. I keqi e përdor krejt pushtetin që ka që ta ndalojë Jezusin në paraqitjen e tij. Derisa njerëzit i çuditën dhe i mrekullohen Jezusit i cili aq mahnitshëm dhe me autoritet po fliste, fuqitë e këqija, Satani duke e ditur se kush është Jezusi menjëherë i del në pritë.

25 Jezusi iu kërcënua: “Hesht dhe dil prej tij!” 26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij.

Jezusi është i vendosur deri në fund. Më të keqin nuk bisedohet. Duhet vepruar menjëherë. Ai erdhi që ta shfuqizojë Kreun e errësirës. Kjo është detyra e tij kryesore në shëlbimin e njerëzve. Kësaj do t’ia kushtojë krejt jetën: lufta kundër të keqes dhe kundër asaj që njeriun e robëron dhe e largon prej Hyjit. Demoni e ka të qartë se ka para vetes atë që është më i forti, atë që do t’ia marrë pushtetin. Më të nuk ka bashkëjetesë. Prandaj britma e tij është tmerruese dhe dëshpëruese.

Jezusi nuk i bie pre paraqitjes së demonit. Ai e di së në paraqitjen e tij nuk ka asnjë sinqeritet as qëllim të mirë. Jezusi nuk do asnjë reklamë për të paraqitur vetveten. Ai dëshiron të mbetet i fshehur, nuk do ta detyrojë askënd. Hyji vepron ngadalë, në heshtje dhe me durim. Paraqitja dhe lavdërimet e dëmtojnë planin e tij. Prandaj kërkon që shpirti i ndyrë të hesht e njeriun e liron prej verigave të tij.

Të falënderoi, o Zot, për njohurinë se je më i fortë se secila e keqe. Të falënderoj se njeriun e liron prej përqafimit të të Keqit. Kur jam afër teje asnjë fuqi e së keqes nuk ka mundësi të më dëmtojë. Më ty mund t’i kundërshtojë të gjitha gjërat më të cilat i Keqi dëshiron të më zotërojë. Asnjë shpirt, kurrfarë magjie, asnjë keqbërje, asnjë mallkim nuk ka mundësi ta godas e ta dëmtojë atë që është me ty. Njerëzit e sotëm janë aq të ndjeshëm, njerëz që lëndohen shpejt. Në gjithçka shohin zotërimin e djallit dhe pranin e të Keqit. Kjo është shenja se ju mungon feja. Po të lutem, o Zot, për të gjithë njerëzit e tillë.

27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit: “Ç’u bë kështu!?” “Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet!” “Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!” 28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.

Njerëzit befasohen dhe janë të tmerruar me të gjitha ato gjëra që panë. Mes tyre është dikush që është më i fortë se shpirtrat e ndyrë, dikush që njeriun e liron. Prandaj pyesin për të gjitha këto. Jezusi është vetëm në fillimin e veprimtarisë së vet publike dhe që tani rreth tij mbështillet veli i fshehtësisë dhe njerëzit pyesin çfarë filloi të ndodh.

 

 


Current track

Title

Artist