MEDITIMI I DITËS – BESIMI I PALËKUNDSHËM

Written by on November 15, 2017

Lk 17, 20-25 BESIMI I PALËKUNDSHËM

E enjte

 

Kërkoj hirin që të besoj palëkundshëm në praninë e mbretërisë së Hyjit në gjërat e përditshme.

 

Në atë kohë ju afruan Jezusit farisenjtë dhe e pyetën: 20 »Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?« ai u përgjigj: »Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme, 21 as nuk do të mund të thuhet: ‘Qe këtu!’ Ose ‘Qe atje! ‘Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!«

Mbretëria e Hyjit është fija e artë, që e përshkon Ungjillin në tërësi dhe e bashkon. Kjo është fjala magjike që dridhej në buzët e farisenjve të përshpirtshëm si edhe të njerëzve të tjerë në Izrael, të cilët e prisnin me gjithë zemër paraqitjen e saj. Ata besonin në mënyrë të palëkundshme se Hyji një ditë do ta marrë pushtetin në duart e veta dhe do ta shëlbojë popullin e vet, duke e liruar prej të gjitha vështirësive dhe prej të gjithë njerëzve që e mundonin. Për këtë arsye, nuk na çudit aspak pyetja që ia bën fariseu Jezusit. Ai dëshiron të dijë se çfarë mendon Jezusi, si Mësues, për këtë gjë.

Ky njeri është i sinqertë dhe fisnik, ëndërron për botën më të mirë dhe më të bukur. Shën Tomas Mur e shkroi librin e vet «Utopia», duke i mbartur pikërisht këto mendime. Kjo është pritja e ditëve më të mira, dëshira për shoqërinë e re dhe botën më të mirë. Kjo është ëndrra e njerëzimit të lumtur. Kjo është dëshira e njeriut që Hyji e mbretëroi vërtet. Në botën, ku jetojmë, nuk ka drejtësi të mjaftueshme të vërtetë e as dashuri. Për këtë arsye, njeriu e kërkon drejtësinë, të vërtetën dhe dashurinë e Hyjit.

A e mbart në vetvete dëshirën që Hyji ta themelojë me të vërtetë mbretërinë e gjithmbarshme: «Mbretërinë e të vërtetës dhe të jetës, mbretërinë e shenjtërisë dhe të hirit, mbretërinë e drejtësisë, dashurisë dhe paqes», siç këndon meshtari në prefacionin e të kremtes së Krishtit Mbret.

Mund ta paramendojmë zhgënjimin që u shfaq në fytyrën e fariseut kur e dëgjoi përgjigjen e Jezusit. Nuk ka asgjë nga paraqitja e gjithëpushtetshme e Hyjit. Nuk ka asgjë nga fuqia dhe pushteti që shkatërron dhe shqyen. Nuk ka asgjë nga krahu i djathtë dhe i fuqishëm i Hyjit. Hyji dëshiron të veprojë ndryshe: jo dhunshëm, por me butësi; jo dukshëm, por në mënyrë të padukshme; jo nga jashtë, por përbrenda; jo në mënyrë spektakolare, por në mënyrë të fshehtë; jo me harta gjeografike, por me hartat e zemrës. O Zot, e pranoj, ti po më befason edhe mua. Prita një përgjigje tjetër. Edhe unë, në fshehtësi, shpresoj dhe pres se do ta tregosh fuqinë tënde. Po të lutem, më shëro prej këtyre dëshirave dhe më ndihmo që ta përvetësoj dhe ta pranoj logjikën tënde. Më ndihmo që ti pranoj punët e thjeshta dhe detyrat e vogla. Më ndihmo që ta dalloj mbretërinë tënde, në gjërat e vogla, të padukshme dhe të thjeshta. Ajo është e pranishme në zemrën time. Bëj që të kalojë prej zemrës në zemër.

Mbretëria e Hyjit është e fshehur. Kërkohet ndjeshmëri e madhe për ta zbuluar dhe për ta parë. Kemi nevojë për sy të rinj që ta shohim. Mbretëria e Hyjit është misterioze. Nuk është në gjërat e shndritshme dhe të shkëlqyeshme. Ajo i lë gjurmët e veta dhe i ndërton hapësirat në thjeshtësi dhe në shenjat e vogla. Sakramentet janë shenjat e saj. Këto janë shenjat e pranisë së fshehur të Hyjit. Për to, kërkohet më shumë zemra sesa syri, më shumë feja sesa dituria, më shumë thjeshtësia sesa mburrja, më shumë dashuria altruiste sesa interesi personal, më shumë heshtja sesa zhurma… Mbretëria e Hyjit duhet zbuluar, pothuajse duhet deshifruar. Na duhet që ta shpjegojmë sipas shpirtit të Jezusit, prandaj është e nevojshme feja e vërtetë dhe përvuajtur.

22 Atëherë u tha nxënësve të vet: »Do të vijë koha, kur do të dëshironi ta shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Do t’ju thonë: ‘Qe, këtu është! Qe, atje!’ Mos shkoni as mos i ndiqni!

Njerëzit kërkojnë gjithmonë shenja dhe vrapojnë pas tyre. Njerëz të veçantë vijnë dhe i ofrojnë shenjat e veta dhe kështu i gjejnë njerëzit me pak besim ose me besime të kota. Njerëzit e tillë tërhiqen gjithmonë dhe vijnë për të ushqyer mosbesimin që kanë në zemër. Gjithmonë jemi në rrezik që shenjat e Hyjit t’i kërkojmë diku tjetër. «Profetët» e vetëshpallur vijnë dhe thonë: ja, këtu është ajo që kërkoni. Ne do t’ju ndihmojmë që t’i zgjidhni pikëpyetjet tuaja dhe do ta zbulojmë të ardhmen tuaj. Jezusi na tërheq vërejtjen: «Mos shkoni! Mos shkoni atje!». Të shkosh tek këta «profetë» është ngushëllim i vërtetë. Mirëpo, Hyji është i pranishëm në përditshmërinë tonë. Hyji është gjithmonë kundrejt teje. Ndalu dhe shiko përse e kërkon në shenjat e dyshimta dhe në ofertat që nuk bëjnë gjë tjetër, veçse e ushqejnë dëshirën që ke për të ditur. Ji i thjeshtë dhe prit. Hyji kalon çdo ditë nëpër jetën tënde. Ndalo pak e shiko më mirë!

24 Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut në Ditën e tij. 25 Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.

Do të vijë dita e lavdisë, do të vijë dita e birit të njeriut, kjo do të jetë e mrekullueshme, do të jetë dita e fitores përfundimtare të Hyjit. Do të jetë si vetëtima: e fuqishme, e shndritshme, e papritur dhe tejet e lartë. Mirëpo, deri atëherë, duhet të presim. Kjo është më e vështira. Pritja përcillet nga vuajtja dhe dhimbja. Edhe Jezusi, përpara fitores së tij të ringjalljes, kaloi nëpër vuajtje dhe vdekje. Qe përvujtëruar, përqeshur, rrahur dhe refuzuar. O Zot, na jep fuqi dhe qëndrueshmëri në prova, mundime dhe përjashtime. Na bëj të qëndrueshëm derisa e presim ardhjen e Ditës tënde.


Current track

Title

Artist