MEDITIMI I DITËS – BEKIMI NGA VËSHTIRËSIA

Written by on September 12, 2017

Lk 6, 20-26 BEKIMI NGA VËSHTIRËSIA

 

Kërkoj hirin: që ta kuptoj së situatat e vështira mund të jenë burim i bekimit të Hyjit.

 

Në atë kohë, 20 Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte: “Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! 21 Të lumët ju që tani keni uri,  sepse do të ngiheni! Të lumët ju që tani qani, sepse do të qeshni!

Tashmë kemi medituar për lumturitë të cilat i ka shkruar Shën Mateu. Në to theksohet varfëria shpirtërore, d.m.th. si duhet të jetë qëndrimi jonë në brendi dhe në zemër. Ato na japin programin e jetës së virtytshme për të cilin premtohet shpërblimi qiellor.

Në lumturi, të cilat na i dhuron Shën Luka, Jezusi iu drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejt nxënësve të vet. Para tyre e paraqet shndërrimin që do të bëhet në jetën e ardhshme. Jezusi iu drejtohet të varfërve të vërtetë. Ju flet atyre që në shoqëri janë më të varfrit, i flet klasës së varfër. Na duhet ta kuptojmë si thirrje të fuqishme që iu drejtohet të gjithë njerëzve, të pasurve dhe të varfërve, që të ndërmarrin gjithçka që strukturat shoqërore të ndryshojnë që të zvogëlohet sa më shumë dallimi mes të pasurve dhe të varfërve dhe mos të ketë njerëz të cilëve iu mohohen të drejtat.

Këtu bëhet fjalë për gjërat dhe situatat e pranishme në shoqërinë tonë: të varfrit, të uriturit dhe ata që qajnë. I gjejmë në secilin rend shoqëror dhe në të gjitha kohërat. Janë të pranishëm në vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim. I gjëmë në qytete dhe në fshatra. Janë në botën e parë, të dytë dhe të tretë. Kudo që janë, shumë prej tyre nuk janë fajtorë se janë të varfër, se kanë uri dhe pse qajnë. Na duhet t’i bëjmë të gjitha që sa më parë të dalin nga kjo gjendje. Duhet të veprojnë edhe vet ata. Mirëpo më e rëndësishmja që ta kuptojmë, se edhe në këto situata të vështira, njerëzit nuk duhet ta humbin shpresën. As ne, nuk duhet ta humbim shpresën sa herë që gjendemi në situata të tilla. Nuk guxojmë të dëshpërohemi as t’i dorëzohemi fatit. Nuk ka situatë të tillë prej të cilës nuk kemi mundësi të dalim fitimtarë. Nuk ka vështirësi në të cilën nuk kemi mundësi ta marrim bekimin e Hyjit. Pikërisht situatat e vështira janë përcaktuar për bekimin e madh të Hyjit dhe për shpërblim. Në ketë gjë duhet të besojmë. Këto lumturi na tërheqin vërejtjen që mos të ndihemi të mposhtur dhe të pajtohemi më të gjitha këto, por që të jemi aktiv dhe të besojmë fuqishëm se jemi të Hyjit: edhe si të varfër, uritur dhe duke qarë.

22 Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre, kur do t’ju poshtërojnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut! 23 Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell. Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!

Përveç vështirësisë shoqërore që ka mundësi ta përcjell njeriun, ekziston një vështirësi tjetër që nuk varët as nga gjendja shoqërore, as nga pasuria e njeriut, as nga të qarët i tij. Kjo nuk i tejkalon as të varfrit as të pasurit. Nuk i kursen as të diturit as të paditurit. Kjo është vështirësia që lidhet me besimin në Birin e njeriut, më besimin në Jezus Krishtin. Sido që të jenë kohërat, sido që të jenë rendet shoqërore, gjithmonë do të ketë njerëz që do t’i kundërshtojnë ata që besojnë dhe e dëshmojnë fenë e tyre. Ata që e nderojnë Birin e njeriut, gjithmonë do të jenë në shënjestër të të gjithë atyre që e kundërshtojnë Emrin e tij. Përndjekja për shkak të fesë në Kishë çmohet dhe pranohet në mënyrë krejtësisht të veçantë. Ata që me jetën e tyre dëshmojnë Zotërinë janë shenja e jetës së krishterë. Ata që përjetojnë përjashtime, fyerje, shmangie, refuzim për shkak të Krishtit, nuk to të harrohen. Përkundrazi, Jezusi iu premton shpërblimin e madh në qiell.

O Zot, po të lutem për të gjithë ata që vuajnë sepse besojnë në ty. Bëj që kjo lumturi e jotja dhe ky premtim t’i forcojë. Më ndihmo edhe mua që të dijë të duroj, kur për shkak të besimit tim më nënçmojnë dhe më konsiderojnë të prapambetur.

24 Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj! 25 Vaj për ju që tani jeni të ngopur,  sepse do të pësoni uri! Vaj për ju që tani qeshni, sepse do të vajtoni e do të qani! 26 Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”

Katër, vaj për ju, janë ana tjetër e lumturive që u shprehen. Ato janë në kundërshtim të plotë me to dhe paraqesin ato gjëra që bota i çmon dhe i promovon. Pasuria e gënjen njeriun me ngushëllimin e saj. Ngopja shumë lehtë shndërrohet në uri e qeshja në të qarë. Jezusi na tërheq vërejtjen që në këto gjëra mos ta vendosim shpresën as kuptimin e jetës. Të gjitha këto janë të kalueshme dhe të paqëndrueshme. Kjo jetë nuk është gjithçka njeriu ka dhe çfarë ka mundësi të ketë. Toka nuk është qëllimi përfundimtar i njeriut. Njeriu gabon kur kërkon ngushëllimin në pasuri dhe gjatë kësaj kohe i harron ata që janë në varfëri. Të jetosh në begati është shkatërruese sa herë që nuk i kujtojmë të uriturit. Të jetojmë në gëzim të shfrenuar do të thotë të jetojmë në mashtrim, duke mos i parë ata që qajnë. Të jetosh në këtë mënyrë do të thotë ta shkatërrosh jetën tënde me duart e tua.

O Zot, po të lutem për të gjithë të pasurit që jetojnë vetëm për vete, që të dinë edhe ata me pasurinë e tyre t’i ndihmojnë ata që janë të varfër. Po të lutem për të gjithë ata njerëz që janë të ngopur, që në ngopjen e vet mos t’i harrojnë të uriturit. Po të lutem për të gjithë njerëzit që gëzohen dhe qeshin, që të dinë të bashkëndjejnë me ata që hidhërohen dhe qajnë. Bëjë që situatat e tyre jetësore mos të jenë për shkatërrimin e tyre, por për shëlbim dhe për tu ndihmuar të tjerëve.

 


Current track

Title

Artist