MEDITIMI I DITËS – BEKIMI I HYJIT

Written by on December 13, 2016

Is 45, 6-8.18.21-25 BEKIMI I HYJIT

 

Kërkoj hirin: që në Kohën e Ardhjes ta ndjej dhe përjetoj bekimin e Hyjit.

 

6 Le të dihet prej lindjes në perëndim, se pos meje, askush tjetër s’është.”Unë jam Zot e tjetër s’ka! 7 I jap trajtë dritës e krijoj terrin, sjell mirëqenien, shkaktoj fatkeqësinë: unë, Zoti, i bëj të gjitha këto! 8 Vesoni, o qiej, prej së larti vesoni edhe retë le të rigojnë drejtësinë; le të hapet toka e le ta lindë Shëlbuesin, bashkë me të të lulëzojë drejtësia! Unë, Zoti, gjithçka krijova!

 

Përsëri jemi me Isainë profet. Lexojmë profetizimin që është shpirti i Kohës së Ardhjes. Përtëritja mesianike vjen sikurse pranvera. Krejt natyra përtërihet dhe është në shërbim të ardhjes së Mesisë. Përsëri e ndjemë frymëzimin poetik dhe optimist të profetit.

Populli është gjithnjë në robëri. Duhet nxitur dhe ngushëlluar. Duhet zgjeruar horizontet e tij që fatkeqësia në të cilën gjendet mos t’ia zë frymën dhe mos ta shkatërrojë plotësisht. Flet në kohë të volitshme dhe të pavolitshme. Nuk ndalet, nuk e humb shpresën. E vërtetë është një: Zoti Hyj në të cilin besojnë është i vetmi dhe nuk ka tjetër. Të gjitha i krijoj dhe të gjitha i bënë. Mbarë gjithësia duhet të përjetojë shndërrimin. Njeriu nuk ka mundësi në plotësi të jetë i lumtur në qoftë se nuk merr pjesë në këtë lumturi natyra në përgjithësi. Ardhja e Mesisë përsëri krahasohet më lulëzimin dhe gjelbërimin. Ai e sjell jetën plot fruta. Kjo është jeta e shëlbimit dhe e shpëtimit. Kjo është jeta të cilën e kërkon dhe e dëshiron secili njeri.

Zbraze mbi mua, o Zot, vesën e hirit tënd që të përgatitem për ardhjen tënde. Më ndihmo që veprat e mia të jenë fisnike. Më frymëzo me drejtësinë tënde që veprimet e mia të jenë të sinqerta. «Vesoni, o qiej mbi ne!»

 

 18 Sepse kështu thotë Zoti, ai që krijoi qiellin, vetë Hyji, ai që i dha trajtë tokës, e krijoi, ai që e bëri të patrandshme; s’e krijoi të jetë e shkretë e krijoi që të banohet: “Unë jam Hyji e tjetër s’ka! 21 Qitni provat e dilni përballë, këshillohuni të gjithë së bashku! Kush që moti këtë gjë e parakallëzoi e që atëherë e paralajmëroi? Vallë, a jo unë Hyji, s’ka hyj tjetër përpos meje? Hyj të drejtë e Shpëtimtar s’ka tjetër përveç meje!

 

Profeti e përsërit në vazhdimësi të vërtetën themelore: Zoti është një e tjetër s’ka. Populli jeton në tokën pagane. Përenditë janë të shumtë. Është në rrezik që tu bashkohet babilonaseve të cilët i adhurojnë. Profeti nxit në vazhdimësi: sillu rreth vetës, o Izrael e shiko. Mos lejo që robëria ta shkatërrojë shpirtin dhe besimin. Nuk ka Hyj tjetër përveç atij që të zgjodhi. Ai i krijoj të gjitha. Tokën në të cilën ishe dhe tokën në të cilën jeton. Toka nuk është e shkretë. Ai të jep çdo gjë të nevojshme për jetë.

Kjo është nxitja që na bëhet të gjithë neve që shikimin tonë mbi botën dhe jetën përpiqemi ta bëjmë më shpirtëror. Të gjitha do të duhej t’i shikoj si pjesëmarrje në planin e Hyjit që drejton gjithçka: punën, familjen, interesat, kënaqësitë… të gjitha këto do të duhej ta forconin shikimin tim drejt qiellit dhe drejt Hyjit që dëshiron për të më shpëtuar.

O Zot, me ndihmo që mos t’i robëroj botës, punës sime dhe detyrimeve të mia. Bëj që vështirësitë mos të më thyejnë dhe në vështirësinë time mos ta kërkojë ndihmën në besëtytni dhe magji. Mos lejo që të bie në mosbesim që ma mjegullon shikimin drejt teje, o i vetmi Shëlbues.

 

22 Kthehuni kah unë e do të shpëtoni, të gjitha viset e tokës, se unë jam Hyj e tjetër s’ka! 23 Me vetvete unë jam përbetuar: nga goja ime del e drejta, fjala që kurrë s’kthehet dalë.

 

Të gjithë duhet të kthehen. Askush nuk është i përjashtuar. Këtu si në pak vende tjera ndjehet përgjithësia e shëlbimit. Të gjitha skajet e tokës, të gjitha vendet në të cilat njeriu jeton dhe vepron janë të rëndësishme në sytë e Hyjit. Askush nuk është i përjashtuar, askush nuk është i nënçmuar, askush nuk është i braktisur. Ose Hyji është Ati i të gjithë njerëzve, pra i secilit njeri, ose askush nuk ka mundësi t’i drejtohet si Atit të vet për të komunikuar me të si fëmijë i tij. Hyji si peng nuk e merr cilindo ose çfarëdo për të vërtetuar fjalët e veta.  E vë peng vetveten, përbetohet në vetvete, në drejtësinë, sinqeritetin e fjalës që thotë dhe në planin që ka.

 

 ‑ para meje çdo gju do të përkulet, e çdo gjuhë do të bëjë betim, 24 e do të thotë: vetëm në Zotin ka drejtësi e forcë! Tek Ai do të vijnë të turpëruar të gjithë që shfryjnë kundër tij: 25 në Zotin do të shfajësohet e do të gjejë lavdi fara mbarë e Izraelit.

 

Izraeli duhet të kthehet tek Hyji i vetëm. Kjo është adresa e vërtetë dhe e vetme të cilën duhet kërkuar dhe drejt të cilës duhet udhëtuar. Kush do të arrijë në këtë adresë, do të shoh se nuk është  gënjyer. Të kërkosh jashtë kësaj, to të thotë të sillesh vërdallë dhe të trokasësh në derë të gabuar. Hyji, në mënyrë krejt të qartë thotë se vetëm Ai e jep shëlbimin. Bënë gjithçka që njeriu këtë gjë ta kuptojë. Nuk është ky kurrfarë monopoli, kurrfarë tiranie. Çfarëdo bënë është shërbim ndaj njeriut. Çdo gjë ia la në dispozicion dhe dëshiron t’i ndihmojë që ta kuptojë këtë gjë. E vetmia përmasë të cilën nuk e prek, në të cilën nuk hyn është liria e njeriut.

O Zot, vetëm para teje dëshiroj të përkul kryet tim dhe gjunjët e mi. Vetëm ti e meriton adhurimin të cilin ta dhuroj me gjithë zemër. E di se ky është adhurimi që nuk me çon në robëri dhe varësi siç bëjnë qeniet dhe gjerat që kërkojnë për t’i adhuruar. Vetëm ty të pranojë për Zotërinë dhe Krijuesin tim. Vetëm ty dua të pranoj me gjuhën time duke ta drejtuar lutjen e sinqertë dhe falënderimin.

 


Current track

Title

Artist