MEDITIMI I DITËS – BËJ VULLNETIN E HYJIT

Written by on April 3, 2017

Gjn 8, 21-30 BËJ VULLNETIN E HYJIT

 

Kërkoj hirin që të di ta dalloj çfarë i pëlqen Hyjit dhe atë gjë ta bëj.

 

21 Jezusi u tha përsëri: “Unë po shkoj e ju do të më kërkoni dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku unë shkoj, ju s’mund të vini”. 22 Atëherë judenjtë thanë: “A mos mendon të vrasë veten pasi thotë: ‘Ku unë shkoj, ju s’mund të vini?’“

Shën Gjoni thekson largësinë mes asaj çfarë thoshte Jezusi dhe asaj që kuptonin farisenjtë. Derisa Jezusi fliste për shkuarjen e vet, farisenjtë këtë e shpjegonin sikur Ai të dëshironte të bënte vetëvrasje. Jezusi ishte i vetëdijshëm për kthimin e vet tek Ati. Dërgimi i Tij përbëhej nga ndihma që do t’ua jepte njerëzve, që edhe ata të kishin mundësi të vinin tek Ati. Që njeriu të mund të arrijë te Hyji, ai duhet të shkojë pas Jezusit. Farisenjtë nuk dëshironin të shkojnë pas Tij, sepse e refuzuan dhe kështu e zgjodhën rrugën që ishte në kundërshtim të plotë me drejtimin e udhës së Jezusit. Ata u mbyllën përpara hirit të Hyjit, duke mos e pranuar shëlbimin e ofruar. Ky është mëkati kundër Shpirtit Shenjt, mëkati që të çon në bjerrje të sigurt.

23 E Jezusi u tha: “Ju jeni prej këtu poshtë kurse unë jam prej së Larti. Ju jeni prej kësaj bote kurse unë nuk jam prej kësaj bote. 24 Prandaj edhe ju thashë: ‘Do të vdisni në mëkatet tuaja!’ Për të vërtetë nëse nuk besoni se UNË JAM do të vdisni në mëkatet tuaja”.

E shohim përsëri dallimin e vërtetë mes Jezusit dhe botës. Ai është nga lart, bashkëkohësit e tij dhe të gjithë ne jemi nga poshtë. Ne jemi nga kjo botë. O Zot, ne i përkasim botës, të cilën e kemi mbushur me mëkatet tona. Ati qiellor e ka krijuar këtë botë dhe kjo botë është e mirë, por njeriu vendos në të strukturat e mëkatit, duke e bërë atë të keqe, mëkatare dhe të mbrapshtë. Në këtë mënyrë, krijohet bota që nuk llogarit më në Hyjin, bota që e ndërton kulturën pa e lidhur atë me fenë, moralin dhe urdhërimet e Hyjit. Prandaj, Ti, o Zot, largohesh nga një botë e tillë. Prapëseprapë, Ti erdhe në botën tonë dhe ia solle porosinë e shpresës. Ne jemi para zgjedhjes: ta pranojmë porosinë Tënde ose ta refuzojmë! Ta pranojmë shëlbimin ose ta refuzojmë! Na ndihmo që ta kuptojmë se Ti je Hyji që u bë njeri për të na shëlbuar. Na ndihmo që të mos mbyllemi para ndikimit të Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të mos vdesim në mëkatet tona.

25 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti?” “Po përse ‑ u përgjigj Jezusi ‑ t’ju tregoj prapë prej fillimit? 26 Shumë gjëra kam për të thënë për ju e të gjykoj; porse Ai, që më dërgoi, është i vërtetë dhe çka dëgjova prej Tij atë i them botës”.

Ja, përsëri, pyetja që ia bënë Jezusit. Në përgjigje të kësaj pyetje ishte thelbi i përcaktimit të njeriut. Këtë gjë e kuptuan hebrenjtë. Ta pranonin Jezusin si Mesi apo ta refuzonin? Dyshimi i brente përbrenda dhe nuk i linte në paqe. Jezusi i nxiste njerëzit me paraqitjen e vet. Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Jezusi u kthye kah Ati. Ai nuk e vendosi kurrë në qendër vetveten. Ai ishte një me Atin. Prandaj, ta pranosh Jezusin, do të thotë ta pranosh Hyjin dhe të besosh në të. Kjo do të thotë, gjithashtu, ta ngresh Atë sipër strukturave të mëkatit të kësaj bote dhe t’i pranosh vlerat për të cilat Jezusi jetoi dhe vdiq. Kjo, për ne besimtarët, do të thotë që në botën pas-moderne ta theksojmë dhe ta jetësojmë rëndësinë e mbinatyrores dhe të thirrjes, në mënyrë që ta mposhtim të keqen në njeriun. Kjo do të thotë që ta dëgjoj fjalën e Jezusit, Ungjillin që më hap përpara lirisë së vërtetë, lirisë së fëmijës së Hyjit.

O Zot, para Teje dëshiroj që të hapem, para Teje dhe para fjalës Tënde. Kam frikë që të mbyllem dhe kështu të lejoj që fjala Jote të më kapërcej.

27 Ata nuk e morën vesh se u foli për Atin. 28 Atëherë Jezusi u tha: “Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë, por flas ashtu si më mësoi Ati”.

Jezusit i duhej që ta kryente deri në fund planin e Atit, që njerëzit më në fund ta kuptonin se çfarë deshi të thoshte dhe se përse erdhi në tokë. Vetëm kur të ngrihej, vetëm atëherë njerëzit do ta kuptonin se kush ishte Ai. Lartësimi i Tij nuk qe lartësim në kurrfarë froni të pushtetit e as lartësim i detyruar. Ky lartësim ishte lartësimi në kryq. Të tjerët do ta lartësonin, e Ai do t’u dorëzohej atyre, që kështu ta dëshmonte deri në fund përvujtërinë dhe dëgjesën e Tij. Kur u lartësua, i tërhoqi të gjithë njerëzit te vetja. Ky është lartësimi në kryq, shenja e dashurisë së Tij, që mohon pushtetin dhe zotërimin, për t’u bërë kështu fshehtësi e vazhdueshme e pranimit tonë dhe e shkuarjes tonë pas Tij.

29 “Ai që më dërgoi, është me mua e nuk më la vetëm, sepse unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij.” 30 Në këto fjalë të tij, shumë besuan në Të.

Sa thjesht dhe në mënyrë të thellë e paraqiti Jezusi lidhjen e vet me Atin. Ati ishte me Të. Jezusi nuk qe kurrë i vetmuar. Ai bëri çfarë i pëlqeu Atit. Do të ndalem sa më gjatë duke e medituar këtë gjë, në mënyrë që ta përjetoj këtë bashkim të Jezusit me Atin. Përmes Jezusit, edhe unë bëhem pjesë e intimitetit me Atin. Më duhet ta zgjoj në vete ndërgjegjen e fjetur, që edhe unë të mos jem i vetmuar. Hyji është me mua. Por, a bëj unë në jetën time çfarë i pëlqen Atij? Kjo pyetje kërkon përgjigje. Çfarë i pëlqen Hyjit në jetën time? Të bëj këtë gjë, d.m.th. të tregoj dashurinë e sinqertë ndaj Tij. Ky është hiri. Prandaj, ta kërkojmë përsëri prej Zotit edhe në fundin e këtij meditimi.

 


Current track

Title

Artist