MEDITIMI I DITËS – BASHKËSIA ME HYJIN
Written by Radio Maria on December 25, 2016
1 Gjn 1, 1-4 BASHKËSIA ME HYJIN
Kërkoj hirin: që të jetoj në bashkësi me Hyjin dhe më të afërmit e mi!
1Çka ishte që në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës.
Po lexojmë meditimin e Shën Gjonit. Shën Gjoni pasi që i përjetoj të gjitha me Jezusin edhe meditoi, i rijetoj që nga fillimi dhe vetëm pastaj i shkroi në letër. Po meditojmë së bashku me të. Ai është një ndër lajmëtarët më të mirë të dashurisë së Hyjit. Në qoftë se në jetën tonë dëshirojmë ta ndjejmë dhe ta tregojmë dashurinë e Hyjit, atëherë na duhet të meditojmë ato gjëra që ky nxënës i Jezusit i ka shkruar. Shkrimet e tij tregojnë se Jezusi dhe Gjoni kanë zhvilluar një bashkim të thellë. Gjoni ishte më i riu në mesin e të Dymbëdhjetëve. Jetën e vet e hapi plotësisht para Krishtit. Për këtë arsye pati mundësi të zhvillohet miqësia e vërtetë mes tij dhe Zotërisë. Veprat e tij tregojnë se dashuria është e ngrohtë dhe personale.
Kur e shkruan letrën e parë, Gjoni e përjeton fuqishëm atë gjë që para pak kohe e ka përjetuar me Mësuesin e vet. Ai e ka dëgjuar me vëmendje. Fjalët e Jezusit nuk i ka filtruar, nuk i ka ruajtur vetëm ato fjalë që i pëlqenin, kurse të tjerat i la të binin në heshtje dhe në zbrazëti. Ai që nga fillimi i thithi të gjitha. Që nga ai çast kur Jezusi i tha: «Eja e shih!» Sa qartë i kujton Gjoni fjalët dhe shikimin e Jezusit, e shohim nga shënimi i orës së saktë kur kjo ndodhi. Ai thotë: ishte rreth orës dhjetë, diku rreth orës 16 pas dite. Kjo na tregon se sa e kishte përfshi Gjonin shikimi dhe dashuria e Jezusit. Këto fjalë ende jehojnë në veshtë e tij dhe i ka të pranishme në zemër. Edhe tani i dalin para syve figurat e atij takimi që renditën në imagjinatën e tij. Dëgjon zërin e Jezusit, shikon fytyrën e tij. Përjeton ato gjëra që duart e tija prekën dhe morën.
Për Gjonin, Jezusi nuk është ndonjë hero i imagjinuar i ndonjë romani. Mishërimi nuk është përrallë as fryt i imagjinatës. Gjoni është një prej atyre që e preku Jezusin. Në udhëtim ecte krah për krah me të nëpër Palestinë. Hëngrën së bashku, pushuan dhe i kremtuan festat.
Njeriu i sotëm dëshiron çdo gjë ta shoh dhe ta prek, ta vërtetoj dhe ta përjetojë. Kërkon argumentet konkrete. Çdo gjë dëshiron të shijojë dhe të eksperimentojë. Nga kjo përvojë varët jeta jonë fetare. Kur në Meshën e shenjtë kungohemi, Jezusin e kemi në gojën tonë. Kur vizitojmë të sëmurin dhe i shërbejmë dikujt, Jezusin e mbajmë për dore. Shën Tereza e Jezusit Fëmijë aq shumë dëshironte që sikur meshtari të ketë mundësi ta mbarte Jezusin në dorë. Duart tona e prekin, sytë e shohin dhe zemra e ndjen.
2 – po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve – 3 çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne.
Shën Gjoni Apostull është njeri mistik. Ai Zotërinë e përjeton fuqishëm si Jetën. Çfarë kishte parë dhe dëgjuar atë gjë e shkruan. Atë më të cilin ishte i bashkuar, atë dëshmon. Të gjithë ne bëjmë pjesë në këtë bashkim nëse jemi në Hyjin. Jeta dhe bashkësia të cilën Jezusi na ofron nuk janë asgjë tjetër përveçse realitetet e Hyjit. Gjoni na thërret në këtë bashkim. Na thërret që të marrim pjesë në jetën e Hyjit. Kjo është jeta e plotësisë së pavdekshme në të cilën Hyji e fton secilin njeri. Këtë jetë e pranoj sipas fjalës së tij në fe: Kush beson në mua ka jetën e pasosur! Të jetosh me jetën e Jezusit do të thotë të mendosh, të duash dhe të veprosh si ai. Për këtë gjë lutem gjatë lutjes sime. Për këtë gjë meditoj në meditimet e mia.
E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. 4 Po ju shkruajmë këto që gëzimi ynë të jetë i plotë.
Jezusi tashmë është ngjitur në qiell kur Gjoni filloj të shkruaj këto gjëra. Ai tashmë nuk është i pranishëm në mesin e apostujve në formën njerëzore. Mirëpo Gjoni edhe tani bashkimin me Të dhe me Atin e jeton në mënyrë të fuqishme. Ndjen praninë e tyre. Ky bashkim me Hyjin neve na shfaqet në besim, sepse e jetojmë në besim. Këtë bashkim e jetojmë gjithashtu në dashurinë vëllazërore. Kjo është jeta e dashurisë që realizohet në martesë, në familje, në bashkësinë rregulltare. Të njëjtën dashuri të Hyjit kemi mundësi ta jetojmë në mënyrat dhe në situatat më të ndryshme.
Të tretën ditë të Kërshëndellave ky meditim dëshiron të na lidh në bashkim të veçantë me Dashurinë e mishëruar të Hyjit. Sikurse Maria dhe Jozefi ishin të lidhur në dashuri me Jezusin, kështu edhe ne kemi mundësi që të bashkohemi me ta në dashuri. O Zot, sot është i rrezikuar shumë bashkimi jonë. Në botën tonë kanë ndërhyrë aq shumë ndarje. Nuk ka bashkim të plotë as në martesë e as në familje. Nuk ka bashkim në bashkësitë rregulltare e as në famulli. Vetëm, ti, o Zot mund të na bashkosh në bashkimin e vërtetë. Të gjithë duhet ta japim ndihmesën tonë. Të gjithë duhet të përpiqemi që bashkimi ynë të jetojë dhe të jetë real. Na duhet ta ndryshojmë vetveten dhe ta vendosim në bashkësi. Më ndihmo në këtë punë. E di nuk mund të jem i bashkuar me ty nëse nuk jam i bashkuar me të afërmit e mi.