MEDITIMI I DITËS – BASHKËPUNOJ ME TË DËRGUARIT
Written by Radio Maria on September 26, 2017
Lk 9, 1-6 BASHKËPUNOJ ME TË DËRGUARIT
Kërkoj hirin: që të jem i gatshëm të bashkëpunoj me të dërguarit e Hyjit.
Në atë kohë, 1 Jezusi i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u dha zotësi e pushtet mbi të gjithë djajtë si dhe aftësinë të shërojnë sëmundjet. 2 Pastaj i dërgoi të shpallin Mbretërinë e Hyjit dhe të shërojnë të sëmurët.
Erdhi dita ku Jezusi vendosi që Dymbëdhjetë apostujt e vet t’i dërgojë në mision. Ai e pa se tashmë janë më të përgatitur dhe më të aftë që pa të, të predikojnë dhe të veprojnë. A do të thotë kjo se ata e mbaruan një pjesë të shkollës dhe tani vjen vërtetimi i diturisë në praktikë? Jo, as vetë Jezusi nuk ishte nxënës, as nuk shkoj në ndonjë shkollë. As vet nuk themeloi ndonjë shkollë të veçantë në të cilën do t’i edukonte nxënësit e vet. Mënyra e tij ishte tjetër. Ai këtë gjë mund ta bënte sepse ishte i veçantë. Ai ishte Hyj dhe njeri. Ne duhet të mësojmë, të shkojmë në shkolla që të jemi të aftë t’i mësojmë të tjerët dhe tu japim dijen. Jezusi ishte i përjashtuar. Nxënësit kanë mësuar prej tij, prandaj pati mundësi t’i dërgoi në mision. Ky ishte njëfarë rrezikimi. Por Jezusi ka besim. Ky është ai rrezikim që marrin mbi vete prindërit kur ia besojnë fëmijës së vet përgjegjësinë. Mirëpo ata ja japin, sepse kanë besim në të. Ky është rrezikimi të cilin e marrin mbi vete edukatorët kur llogarisin në pjekurinë e nxënësve të vet dhe i lejojnë që ata vet t’i kryen detyrat të cilat ua besojnë. Ata e bëjnë këtë gjë sepse kanë besim. Po të mos ishte gatishmëria për të rrezikuar dhe sikur të mos llogarisim në besnikëri dhe në besim, nuk do të kishte përparim as pjekuri dhe nuk do të kishte edukim të vërtetë. Atëherë çdo gjë do të ishte autoritare dhe do t’i dorëzohej moskujdesit dhe rastësisë.
Nxënësit duhet të përgatitën për këtë gjë, sepse Jezusi nuk fizikisht nuk është gjithmonë me ta. A mësuan mjaftueshëm të Dymbëdhjetët? A i kuptuan të gjitha ato gjëra që ua mësoj Jezusi? Jezusi iu jep pushtetin, ata duhet ta kenë besimin në këtë gjë, duhet të besojnë se kanë në vetvete forcën që ai ua dha. Tani duhet të tregohen dhe të vërtetohen. Ata nuk duhet të paraqesin vetveten ose ndonjë mësim të vetin. Duhet të tregojnë sa e kanë përvetësuar mësimin që ua mësoj Jezusi. Duhet të tregojnë se sa besojnë në fjalën dhe forcën e tij të cilën ua besoj. Ky do të jetë provimi të cilin duhet ta japin.
Ju dha pushtet mbi të gjithë shpirtrat e këqij dhe që t’i shërojnë sëmundjet. Kjo është ajo e vërtetë të cilën Shën Luka e shënon. Kjo është më e rëndësishmja. Kjo ishte detyra themelore e Jezusit. Të Keqin duhet zbuluar dhe duhet treguar. Lufta kundër Shpirtit të keq do të jetë gjithmonë detyra e parë e apostujve të Jezusit. Për këtë gjë duhet të jenë të urtë dhe të kujdesshëm. Bota gjithmonë do të shkojë në dy skaje: ose gjithkund do ta shikojë praninë e Shpirtit të keq, ose do ta mohoj plotësisht. Njëra dhe tjetra janë gënjeshtër e të Keqit. Ky është kurthi i tij. Nxënësi duhet të jetë i kujdesshëm dhe i matur. Nuk guxon të bie në kurthin e të Keqit. Kurthi është më i madhi atëherë kur njerëzit binden se i Keqi është gjithkund i pranishëm ose se nuk është askund, sepse nuk ekziston.
3 E u tha: “Asgjë mos merrni për udhëtim: as shkop, as strajcë, as bukë, as para, e secili të mos ketë më se dy këmisha.
Jo, nuk kanë nevojë për asgjë përveç që të besojnë pafundësisht në Jezusin. Të gjitha të tjerat do t’i pengonin dhe do të ishin barrë të cilën do tu duhej ta mbartnin më vete. Jezusi dëshiron që të jenë të lëvizshëm. Kjo është varfëria që shkon deri në fund, deri në fundin e jetës. Sa më shumë që nxënësi i Jezusit të jetë i Jezusit, aq më pak gjëra ka në bagazh. Sa më shumë që të llogarisë në forcat e veta, ka nevojë për një karvanë të tërë. A thua Jezusi nuk tha për vetveten se nuk ka as një gurë ku ta mbështesë kryet? Kjo është kërkesa e Ungjillit dhe nuk guxojmë ta zhvlerësojmë. Kam frikë se këtë gjë tashmë e kemi bërë në shumë vende dhe në shumë mënyra.
4 Në atë shtëpi që të hyni, aty rrini derisa të qëndroni në atë vend. 5 Nëse ndokush nuk do t’ju pranojë, kur të dilni prej atij qyteti, shkundni pluhurin prej këmbëve tuaja si dëshmi kundër tyre.”
Misioni nuk do të jetë turizëm as aventurë. Nuk do të jetë as shëtitje në mesin e të njohurve dhe miqve. Do të jetë takim me problemet dhe më vështirësitë më të ndryshme. Apostujt do t’i pranojnë dhe do t’i përjashtojnë. Do të përjetojnë gëzime dhe hidhërime. Do kenë suksese dhe mossuksese. Ju duhet të shkojnë përpara me guxim, nuk guxojnë të tërhiqen, nuk guxojnë ta humbin guximin dhe ta lëshojnë misionin. Kjo nuk është ndonjë punë e tyre. Jezusi i dërgon, ky është misioni i tij. Jezusi e ka caktuar kohën për mision në të cilin duhet të jenë besnik. Ata që nuk i pranojnë, kanë vendosur shenjat kundër vetvetes.
6 Ata u nisën dhe renderendas u ranë fshatrave duke predikuar Ungjillin e duke shëruar gjithkund.
Apostujt ishin plot gëzim. Hyji i zgjodhi për të shpallur Ungjillin dhe për t’i shëruar njerëzit – kjo është detyra që nuk iu besohet të gjithëve. A ishin të vetëdijshëm çfarë aventure kishin filluar? Kjo do të jetë detyra e secilit nxënës që është i thirrur për të shkuar pas Jezusit. Gëzimi është i madh por edhe përgjegjësia është më e madhe.
O Zot, po të lutem për të gjithë ata që i ke zgjedh; që krejt jetën e tyre t’ia kushtojnë shpalljes së Ungjillit, ndarjes së sakramenteve dhe shërimit të njerëzve. Ndihmoju. Bëj që gjithmonë të jenë të vetëdijshëm çfarë pasurie mbartin në enët e argjilës. Ndihmoj dhe përcjelli në të gjitha rrugët.