MEDITIMI I DITES – BARKA SI FOLTORE

Written by on February 9, 2019

E diela e pestë gjatë vitit – C

 

Lk 5, 1-11 BARKA SI FOLTORE

 

Kërkoj hirin: që të jem bashkëpunëtor më i guximshëm i Fjalës së Jezusit!

 

5 1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.

            Të gjithë ata që tashmë kanë shtegtuar në Tokën e shenjtë e kujtojnë kalimin e paharrueshëm nëpër liqenin e Gjenezaretit. Ky ishte i vetmi rast që të përjetohet një prej ngjarjeve të shumta të cilat ndodhën aty ose në brigjet e tij kur Jezusi banonte aty. Ja një të cilën plotë jetë e përshkruan Shën Luka. Sodis këtë pamje tepër të bukur: Jezusi rri në breg dhe mendon prej ku do të ishte më së miri t’i flas turmës që është bashkuar rreth tij. Shikon disa peshkatar që në ato çaste lundruan aty, nga nuk e di se ku me barkat e veta në të cilat po i pastronin rrjetat e tyre. Atëherë fillon “aventura” e pabesueshme.

            O Zot, ti je aq i thjeshtë në veprimin tënd. Të mjafton një barkë e thjeshtë që prej saj t’i flasësh popullit. Nuk e pate të vështirë ta lusësh Simonin që ta dorëzojë për disa çaste. Barka u bë foltorja jote, amboni yt, predikatorja jote. Dhe fillove të flasësh. Çfarë ju the në atë çast? Ndoshta se Ati jonë qiellor na do… ose se duhet të jemi në shërbim të njëri-tjetrit… ose se si është e nevojshme gjatë ditës të gjejmë çastet e heshtjes dhe të paqes, çastet e lutjes… Ose se mossuksesi është pjesë përbërëse e jetës sonë… Nuk e dimë së çfarë ju the. Mirëpo, një gjë është më se e sigurt se njerëzit e dëgjuan me vëmendje secilën fjalë dhe e përvetësonin. Dua që edhe unë si ata të dëgjoj dhe ta përvetësoj secilën fjalë tënden. O Zot, me ndihmo që të jem dëgjues i kujdesshëm dhe besnik!

4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” 5 Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.” 6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.

            Simonin ndoshta e merrte gjumi nga lodhja nën diell që ende nuk ishte i fortë dhe formonte një frymë shumë të përshtatshme për të pushuar. Me siguri, fjalët e Jezusit e zgjuan. Kur dëgjoj çfarë thoshte Jezusi, dukej sikur dikush ta kishte goditur me çekiç në kokë. “E pamundur! Tani të dalin për të zënë peshk! Çka i shkon në mend këtij ‘Galileasi nga Nazareti’! Shihet se ai nuk e njeh natyrën e këtij liqeni që është shtëpia jonë, vendi i punës sonë, pushimi jonë, gjithçka kemi…” Këto mendime përziheshin në kryet e Simonit, por përsëri në mënyrë shumë fisnike paraqiti dyshimin e tij, por edhe besimin që tashmë kishte në Jezusin! Simoni mendonte: “Kur jam munduar gjithë natën, kam mundësi edhe një herë të hedh rrejtën, që ta plotësoj dëshirën e Jezusit, pastaj shkojmë në shtëpi!” Atëherë filloi të ndodhte diçka që Simonin e zgjoi plotësisht prej gjumi dhe tani me sy të hapur po shihte, edhe pse mendonte se ishte në ëndërr, sepse paraqitja ishte e jashtëzakonshme. Asnjëherë nuk kishte zënë kaq shumë peshq as në kohërat më ideale për peshkim. Dhe tani, në pikë të ditës, kur asgjë nuk të thoshte se do të peshkosh, kur peshku tërhiqet në thellësi, tani ndodhi peshkimi i madh.

            O Zot, edhe unë mendoj si Simon Pjetri. Shumë shpesh jam shumë i lodhur nga të gjitha. Sidomos nga mossuksesi. Dyshoj dhe nuk kam besim në Ty. Shumë shpesh lutem vetëm sa për të kryer detyrën time. Si Pjetri që pa dëshirë e hedh rrejtën vetëm pse ti e lute. Më jep më shumë besim, bëj që të mbështetem plotësisht në ty dhe të hedh rrjetën, sepse ti këtë gjë e do dhe ke mundësi të më ndihmosh. Më forco që mos të frikësohem ta bëj këtë gjë edhe pse çdo gjë rreth meje me largon prej urdhërimeve të tua, edhe pse kushtet janë kurrfarë që të ndodh diçka e bukur.

8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” 9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.” 11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.

            Çdo gjë që në atë çast kishte mundësi të bënte Simon Pjetri ishte të ulej në gjunjë para Zotërisë. Ai e bëri më të mirën. Këtu, në barkën e vet, në gjunjë, është i madh para Zotërisë së vet. I mahnitur së bashku me të tjerët, i tmerruar nga mrekullia që kishte para syve, ai e lut lutjen më të thjeshtë, më të përvuajtur që në atë çast kishte mundësi ta thoshte: “Largohu, o Zot! Unë nuk jam i denjë të rri pranë teje! Jam mëkatar, kam pak fe dhe dyshoj. Ti Shenjtëria vet, shko, sepse unë nuk jam i aftë që të largohem prej teje.” Pjetri kishte mundësi të nisej vetë po të donte. Kështu bëri më mirë. Ai e dinte se Zotëria nuk i le të vetët dhe se nuk do të shkojë. Por me këtë gjë tregoi sinqeritetin e vet, deri në fund, deri në dhimbje, deri në pendim. Kështu ishte i gatshëm për Jezusin. Ashtu si ishte në gjunjë Jezusi e pranoi. Pjetri i dëgjon fjalët e Jezusit që janë më të mrekullueshme se mrekullia e peshkimit: “Tani e tutje do të zësh njerëz!”

            O Zot, të falënderoj për të gjithë ata që i thërret që jetën e vet ta kushtojnë ty dhe njerëzve, për të gjitha thirrjet shpirtërore. Bëj që ta kenë në vetvete hapjen e Pjetrit e mbi të gjitha gatishmërinë që para teje të jenë të thjeshtë dhe të hapur. Në gjunjë, por jo të përvujtëruar por të pranuar. Ti ke nevojë për ta, ke nevojë për duart e tyre, djersën e tyre dhe vetminë e tyre. Bëj që të mos tmerrohen dhe le të jenë të guximshëm dhe guximtarë për të gjuajtur rrjetat në fjalën tënde!

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend