MEDITIMI I DITËS – BARIU I MIRË
Written by Radio Maria on May 7, 2017
Gjn 10, 11-21 BARIU I MIRË
E hënë – Gjn 10, 11-21
Kërkoj hirin që të di t’ia dorëzoj jetën Jezusit, i cili ma dhuron jetën në plotësi.
«11 Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet. 12 Rrogëtari ‑ që s’është bari, të cilit nuk i përkasin delet ‑ kur sheh se po vjen ujku lë delet e ikën ‑ e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: 13 është rrogëtar dhe nuk shqetësohet për delet.»
Jezusi na propozon një model alternativ, i cili ia mundëson çdo njeriu daljen nga kjo lojë e vdekjes: i ofron njeriut mundësinë që ta realizojë natyrën e vet njerëzore, duke e ftuar që të bëhet si Hyji. Jezusi na fton jo për të imituar dëshirat e tjetrit – me konflikte që dalin prej njeriut – por, duke e plotësuar vullnetin e Atit, i cili nuk është rival me asnjë njeri, por parim i jetës dhe i lirisë për të gjithë njerëzit. Duke u bërë si Ai, ne shndërrohemi në bij, të rritur dhe të njëjtë me Të, ashtu siç kemi dëshiruar gjithmonë. Gënjeshtra burimore ishte se ne filluam të besojmë se Hyji është kundërshtari ynë dhe e morëm si shembull këtë mashtrim, duke ia bërë të pamundur jetën vetvetes. Si mund të jetojë ajo foshnje që e ka babanë kundër vetes? Ky baba që do të jetë kundër saj, është kundër vetvetes dhe kundër të gjithëve. I ngjashëm do të jetë edhe fëmija që rritet në një familje ku mbretëron një klimë e tillë.
«14 Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. 15 Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për delet.»
Jezusi paraqitet si Biri që e njeh dashurinë e Atit dhe që i ka të njëjtat dëshira që ka edhe Ati: që t’ua japë jetën dhe lirinë vëllezërve. Prandaj, Ai na paraqitet si «Bariu i Mirë», i vërtetë, në kundërshtim me bariun e keq, të cilit i përngjajmë. Duke shkuar pas Jezusit, ne bëhemi çfarë jemi: bij të Atit dhe vëllezër mes nesh. Vetëm në këtë mënyrë, ne dalim nga errësira në dritën e së vërtetës që na bën të lirë. Kulturës së garimit, rivalitetit dhe dhunës, Jezusi i vë përballë kulturën e vëllazërimit, solidaritetit dhe dashurisë. Tashmë, njeriu mund të jetojë mirë, jeta e tij është e jetueshme, sepse mund të jetojë nga Hyji. Njeriun e përcjell hareja dhe gëzimi në të gjitha ditët e jetës së tij, sepse ai tashmë banon në banesën e dëshirave të veta (krh. Ps 23).
«16 Kam edhe të tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm.»
Jezusi bari e liron secilin njeri që do nga «cubnia», e cila i drejton marrëdhëniet tona me zotërimin e atij që është më i dhunshëm. Ai, të cilin ne e marrim si shembull, në të vërtetë nuk është asgjë tjetër përveçse një bari që çon në vdekje, përfundimi i të cilit është përcaktuar që nga fillimi: ai është viktimë e të njëjtës lojë që luan, kur të vijë drejtuesi më i keq se ai.
«17 Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.” 19 Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje ndërmjet judenjve.»
Në qoftë se në historinë e Izraelit, që është historia e grigjës, ka pasur humbje në luftën me ujqërit, fatkeqësisht, kjo ka ndodhur sepse drejtuesit e grigjës ishin të verbër, derisa nuk erdhi bariu që ua dha atyre mundësinë që të shohin përsëri. Njeriu duhet ta shikojë realitetin për ta jetuar këtë jetë pa bërë shumë keq. Për t’u ngjitur shpejt në një shkallë në errësirë, njeriu nuk duhet të shkëputet në asnjë mënyrë nga pjesa tjetër e shkallëve nga e cila zbret.
Fjalimi i Jezusit ishte një diskutim me prijësit e popullit, të cilët për njeriun që Jezusi ia shëroi sytë nuk ishin shembull për t’u ndjekur. Jezusi e paraqiti këtu dallimin mes botës së vet dhe botës së tyre për të vepruar: Ai liron, jep dritë dhe jetë, ndërsa ata, përkundrazi, e shtypin, e vjedhin dhe e mbajnë grigjën në skllavëri.
«20 Shumë prej tyre thoshin: “Ka djallin në trup! Flet marrëzira! Pse ia vini veshin?!” 21 Të tjerë thoshin: “S’janë këto fjalë të një të djallosuri! A thua djalli mund t’ua çelë sytë të verbërve?»
Abrahami dhe patriarkët ishin barinj. Moisiu, Jozuehu dhe Davidi quhen barinj të popullit që e udhëhoqën në emër të Hyjit. Jeta e bariut varet prej deleve të tij dhe jeta e deleve varet nga jeta e bariut të tyre. Pa të, ato janë në rrezik të cubave dhe të ujqve, pa dikë që do t’i drejtojë në kullota dhe drejt ujit të freskët.
Profetët kanë folur shpesh për drejtuesit e popullit si barinj të këqij dhe të pabesë. Ata janë ujqër që përdorin mënyrën e paraqitur në përrallën e njohur të ujkut dhe qengjit. Premtimi i profetëve mban të gjallë pritjen e profetëve të vërtetë, të vetë Hyjit si bari. Jezusi paraqitet si bari i vërtetë, i cili kryen veprën e vet në të mirë të deleve: ndërkohë që të tjerët bëjnë që delet të vdesin, Ai u dhuron deleve jetën, e dhuron vetveten për to si Bir.
Ky mësim i Jezusit paraqitet si zbulim i vazhdueshëm i Tij dhe i veprës së tij si Bir për vëllezërit.