MEDITIMI I DITËS – BARIU I MIRË

Written by on April 20, 2018

Gjn 10, 11-18 BARIU I MIRË

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi e do grigjën e vet.

 

Jezus, Bariu i mirë, ti e dhuron jetën për delet e tua. Ti i do delet e tua. Je i gatshëm të bësh çdo gjë për to. Je i gatshëm ta flijosh edhe vetveten jo vetëm për krejt grigjën, por edhe për një dele të vetme që i përket grigjës. Ti dëshiron të gjithë t’i tërheqësh tek vetja që secili të jetë në vendin e vet, që të gjithë të jenë mirë, që të gjithë të jenë të sigurt. Ti je i gatshëm të mbrosh ata që të përkasin ty duke e marrë mbi vete rrezikun.

Jezus, ka kaq shumë rrogëtar të cilët dhunshëm dëshirojnë të hyjnë në grigjën tënde. Në këtë botë ka aq shumë ngashënjime me të cilat njerëzit ose djalli dëshirojnë t’i shkëpusin prej teje ata që tashmë i ka tërhequr dashuria jote. Në të gjitha anët paraqitet epshi, shuma të mëdha të hollash dhe fitesa pa djersë, paraqitet karriera dhe vendi i punës. Të gjitha këto në këmbim kërkojnë thyerjen e urdhërimeve të tua, kërkojnë të jetuarit e pandershëm, kërkojnë pak ose shumë gënjeshtra, kompromise aty ku kompromis nuk mund të ketë, kërkohet pranimi i shpirtit të kësaj bote. Dhe kur njeriu nënshtrohet, humb lirinë, humb hirin shenjtërues, humb miqësinë me ty. Humb gjithçka për atë gjë që është aq e vogël e që e japin rrogëtarët e kësaj bote.

Prapëseprapë rrogëtarët e tillë edhe sot e kësaj dite korrin sukses. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite ka aq shumë njerëz të varur që edhe të tjerët i bëjnë të varur; ka aq shumë mosbesnikëri në martesë dhe njerëz që përhapin njëfarë lirie; ka aq shumë gënjeshtra, gënjeshtra dhe vjedhje në sjellje, në punë, ka aq shumë njerëz që këtë gjë e konsiderojnë normale; sot ka aq shumë keqpërdorim të jetës seksuale mes të rinjve dhe të atyre që mendojnë se kjo është kërkesa e kësaj kohe. Jezus ka aq shumë gjëra që e robërojnë njeriun dhe e largojnë prej grigjës sate.

Ti i do delet e tua. Na ruaj nga rrogëtarët që nuk kujdesen për grigjën. Ata kërkojnë përfitimin, suksesin, kërkojnë veten dhe jetën e tyre. Ti, Jezus, jetën e jep për ata që të përkasin ty! Ti nuk kujdesesh për vete, nuk kujdesesh për jetën tënde; ty të interesojnë delet e tua, ty të intereson secili prej nesh, të interesoj unë! Jetën e jep për ata që të përkasin ty.

O Jezus, Kishës sate, ia besove detyrën e bariut. Këtë gjë iu dhurove në mënyrë të veçantë atyre që morën urdhrin shenjtë të meshtarisë: ipeshkvijve, meshtarëve, diakonëve! Sot po të lutemi, për të gjithë ipeshkvinjtë, meshtarët dhe djakonët. Le të jenë barinj e jo rrogëtarë. Le të shikojnë virtytet e tua dhe le t’i imitojnë, o Bari i mirë. Le të rrinë zgjuar mbi grigjën që ua besove dhe bëj që mos ta konsiderojnë pronë të veten, por ta ruajnë si grigjë që të përket ty, si pasuri të çmueshme që është e jotja! Po të lutemi që ta lehtësosh barrën e tyre, kujdesin dhe përgjegjësinë. Ji afër secilit prej tyre! Po të lutemi, o Jezus, edhe për të gjithë rregulltarët dhe rregulltaret dhe për të gjithë njerëzit që ta kushtuan ty qenien e tyre dhe jetën. Kishën tënde mos e le kurrë pa thirrje të shenjta. Ajo aq shumë ka nevojë për to në secilin kohë, pra edhe sot!

 


Current track

Title

Artist