MEDITIMI I DITËS – ATI I DI NEVOJAT TUAJA!
Written by Radio Maria on February 24, 2017
E diela e VIII gjatë vitit
Mt 6, 24-34 ATI I DI NEVOJAT TUAJA!
Kërkoj hirin: që të di të sodis zogjtë e qiellit dhe lulet e fushës.
Shpesh herë me duket, o Zot, Jezus, se vërtetë jam i verbër, se nuk di të shikoj rreth vetes, se asgjë nuk shoh. Shumë shpesh më duket se gjithçka rreth meje është e vranët dhe në errësirë, çdo gjë mbështjellin parashikimet e zymta dhe paragjykimet e këqija që më bëjnë ta humbi shpresën dhe nuk kam besim që të eci përpara. Një ditë pash në gazeta një titull, “Keq, s’mund të jetë më keq”. Ndonjëherë pikërisht kështu me duket kjo botë dhe njerëzit që jetojnë në të. Nuk ka paqe, nuk ka mirësi dhe dëshirë për të biseduar dhe për kuptim, nuk ka kuptim në familje, kaq shumë qifte ndahen mes bashkëshortëve, fëmijët gjithnjë e më shumë i lëshohen në dorë fatit të jetës së tyre, ose i dorëzohen rrugës. Kam mundësi të numëroj edhe shumë gjëra të tjera që njeriun e mbushin me mllef. Çfarë është gjithë kjo, o Jezus? Ku na çon kjo gjendje? Ku je ti? Ku janë premtimet e tua?
Ti më thua: “Shikoni!”
“Shikoni zogjtë e qiellit!” Është vërtetë bukur t’i shikosh, t’i sodisësh. Ndoshta as nuk di t’i shikojë, o Jezus, ndoshta as nuk i shoh. Koha më fluturon shpejt, ka shumë gjëra që më duhet të bëj çdo ditë dhe nuk kam kohë të shikojë zogjtë e qiellit, nuk kam kohë të sodis fluturimin e tyre, zbritjen e tyre nga qielli në degët e lisave ose në tokë në të cilën gjejnë ushqimin. Nuk kam më sy që të shikojë këto skena. Kjo gjë shpesh me duket humbje kohe në krahasim me detyrat dhe punët që me presin. Si atëherë të sodis lulet, që janë shenjat e çdo pranvere? Nuk e di, o Jezus, kur i kam soditur herën e fundit manushaqet, vjollcat, karajfilet, zambakët dhe lulet tjera. Nuk e di, o Jezus, kur i kam soditur mirë herën e fundit. Ndoshta edhe i bleva për t’ia dhuruar dikujt, por unë nuk i kam parë, nuk i kam ngulë sytë e mi në këto krijesa, nuk kam parë asgjë.
E ti me thua: “Shikoni!”
“Do ta shihni në to paraqitjen e bukurisë së Krijuesit. Do të shihni gjurmët e bukurisë dhe të dashurisë. Shikoni! Soditni! Ku e ke syrin, ku është drejtuar vëmendja jote, aty është edhe zemra jote. Me zemër do të fillosh të kuptosh atë gjë që shumë shpesh logjika njerëzore nuk mund ta kuptojë.”
O Zot, Jezus, më jep mundësi që t’i shoh gjërat që me rrethojnë që të bindem që e kam Atin në qiell i cili kujdeset për mua. Ma jep, o Jezus, hirin që ta zbulojë mirësinë dhe dashurinë e Atit qiellor të cilit mund t’i dorëzohem, të cilit mund t’ia lë në dorë kujdeset e mia duke e zbuluar vazhdimisht në vetvete dhe tek të tjerët.
Më jep, o Jezus, guxim që së pari të kërkoj Mbretërinë tënde dhe të besoj se çdo gjë tjetër do të me jepet. Mos lejo që të humbëm duke kërkuar gjithçka tjetër dhe duke harruar të kërkoj Mbretërinë tënde.