MEDITIMI I DITËS – APOSTULLI BESNIK

Written by on October 27, 2017

Lk 6, 12-19 APOSTULLI BESNIK

 

Kërkoj hirin: që të jem apostull besnik i Jezusit.

 

12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit.

Në shumë vende në këtë Ungjill, Shën Luka thekson një shenjë të rëndësishme në jetën e Jezusit. Kjo shenjë është lutja. Duket se çdo gjë në jetën e Tij ishte rrethuar me lutje. Si Izraelit i përshpirtshëm dhe i zellshëm i lute së bashku me të tjerët ato lutje që bëheshin së bashku dhe që ishin të përcaktuara. Lutej para agimit të diellit, pasdite në kohën e flijimit të flisë në Tempull dhe në mbrëmje para se të flinte. Në qoftë se kësaj ia shtojmë edhe tridhjetë vite heshtjeje, përgatitjeje dhe punë në Nazaret, atëherë e kemi figurën e plotë të jetës së Jezusit. Kemi mundësi të themi se ai ishte njeri që sodiste, lutej, njeri që nga lutje kalonte në veprim. Kjo do të thotë se më shumë ishte njeri i soditjes se sa njeri i veprimit, më shumë i lutjes se i veprave. Lutja për të ishte themeli e vazhdueshëm në të cilin ndërtohej çdo gjë.

Kur vendosi t’i thërras të Dymbëdhjetë apostujt, e kaloi natën në lutje. Duket se Jezusi, pas lutjes bënte vetëm atë gjë që natën në lutje e kishte vendosur dhe e kishte paraparë. Tani kalon në vepra, kalon në kryerje të asaj që kishte vendosur ta bënte në lutje gjatë gjithë natës. Më këtë gjë e tregon se nuk është ndonjë rabin i zakonshëm tek i cili vijnë nxënësit. Ai lutet në qetësinë e natës për ata të cilët do t’i zgjedh. Për këtë gjë flet me Atin e vet. Më këtë gjë tregon se sa e rëndësishme është lutja për jetën e komunikimit tonë me Hyjin. Sa të frytshme do të ishin veprat, apostullati jonë po të luteshim më shumë, po të ishin fryt i lutjeve tona!

13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15 Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

Ja emrat e dymbëdhjetë apostujve. Në mesin e shumë nxënësve që kishte, Jezusi zgjedh bashkësinë e veçantë. Këta do ta përcjellin kudo që të shkojë. Këta do të bashkëpunojnë më të në mënyrë shumë të ngushtë, në ta do të ketë mundësi të llogarisë. I quan apostuj. Ky është emri i tyre i veçantë. Kjo është shenja veçuese që ata e morën. Quhen të dërguar. Fjala greke Apostull do të thotë i dërguar. Nuk dimë shumë gjëra për ta. Disave iu dimë vetëm emrat. Mirëpo gjëja më e rëndësishme për ta ditur është se Jezusi i zgjodhi që t’i dërgonte, që të jenë apostuj. Dërgimi i tyre është thelbësor për ta. Të jesh apostull do të thotë të jesh i Jezusit, të jesh i zgjedhur prej tij dhe të të dërgoj ai. Të jesh apostull do të thotë të jesh besnik ndaj veprës së Jezusit dhe dërgimit të tij. Kjo do të thotë të jesh zëdhënësi i Jezusit. Fatkeqësisht, në mesin e tyre njëri do ta zhgënjejë plotësisht, ai do ta tradhtojë Jezusin. Jezusi e zgjodhi edhe atë dhe u lutë edhe për të atë natë. Përse kjo gjë është kështu? Nuk e dimë. Këtu jemi përball fshehtësisë së lirisë së secilit njeri, lirisë të cilën Jezusi e nderon mbi gjithçka.

Secili i krishterë në vetvete ka përmasën e apostullit të Jezusit. Shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm për këtë gjë. Jezusi pret prej meje që të jem i dërguari i tij në thirrjen që ma bënë dhe në detyrën që ma ka besuar për ta kryer. A jam apostull i vërtetë i Jezusit?

17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë.

Njerëzit e kërkonin Jezusin. Kanë nevojë për të. Edhe nxënësit, prej të cilëve zgjodh të Dymbëdhjetët e kërkojnë, por edhe njerëzit tjerë. Të gjithë dëshirojnë ta dëgjojnë fjalën e tij dhe kërkojnë që tu ndihmojë në sëmundjet e tyre. Përse Jezusi i tërhiqte njerëzit në këtë mënyrë? Përse e kërkonin? Ata takuan në Jezusin njeriun që thellë në vetvete e dëshironin. Ai ishte mishërimi i të gjithave që njeriu mbarte në vetvete dhe të cilat në thellësi i dëshironte në mënyrë të pakufishme, i çdo gjëje për të cilën, njeriu kishte uri dhe etje. Fisnikëria, mirësia, e vërteta, dashuria, mëshira – të gjitha këto në Jezusin ishin të dukshme. Ai të gjitha këto i kishte përqendruar në njeriun, sepse, njeriu kishte uri dhe etje që Hyji ta pranonte dhe t’ia jepte të gjitha këto në përmasën fizike dhe shpirtërore.

19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.

Njerëzit, thjeshtë dëshironin që dora e Jezusit t’i prekte. Psalmisti dikur lutej më afsh, që shpirtin e vet ta dorëzonte në duart e Hyjit, ndërsa këta njerëz, thjeshtë, vetveten dëshironin ta dorëzonin në duart e Jezusit. Të lodhur dhe të munduar, të sëmurë dhe të dobët kërkonin që së paku ta vinte dorën mbi ta.

Në duart e tua, o Zot, po të dorëzoj gjithçka jam dhe gjithçka kam. Krejt vetveten, mendjen time dhe zemrën. Krejt çka kam dhe tërë vetveten. Çdo gjë e imja le të jetë e jotja. Më shëro dhe më forco. Dua të jem i dërguari yt, apostulli yt. Në duart e tua po e lë trupin tim të lodhur dhe shpirtin, që nga duart e tua të dal i shëlbuar dhe i pushueshëm për dërgimin të cilin ma jep.


Current track

Title

Artist