Meditimi i ditës – “AJO BOTA TJETËR”
Written by Radio Maria on November 5, 2016
E diela e tridhjetedytë gjatë vitit
Lk 20, 27-38 “AJO BOTA TJETËR”
Kërkoj hirin: që besimin tim në jetën e pasosur mos ta turbullojë interesi dhe mentaliteti i kësaj bote!
27 Pastaj iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje: 28 “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. 29 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. 30 Edhe i dyti 31 edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtetet nuk lanë fëmijë e vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e cilit do të jetë, sepse të shtatit e patën grua?”
Jezusi me paraqitjen e vet i nxiste njerëzit për ta pyetur. Ai vetë ishte pyetje e madhe për të gjithë bashkëkohësit e tij, sidomos për ata që diskutonin me të dhe e shikonin si kundërshtar. A thua nuk i pyeti ai vetë nxënësit ‘se çfarë thonë njerëzit për të’ dhe në fund a nuk i pyeti se çfarë mendojnë ata për të. Kështu mbeti në histori. Jezusi është pyetje themelore, më e rëndësishmja.
Jezusit i pëlqente kur njerëzit e pyesnin. Kjo ishte shenjë e interesit që kishin për të dhe për ato gjëra që ai u fliste. E dinte se disa i bënin pyetje për ta zënë në kurth me fjalë… por kishte pyetje të sinqerta dhe të thella. Edhe kjo pyetje, problem të cilin e paraqesin saducenjtë në thelb është shumë e rëndësishme dhe askush që është i urtë dhe serioz nuk kalon në heshtje pranë saj. Mirëpo, mënyra në të cilën e bëjnë saducenjtë pyetjen tregon se ata dëshirojnë ta përqeshin dhe se nuk besojnë në atë gjë për të cilën pyesin. Saducenjtë ishin një grup i veçantë në kohën e Jezusit, parti të cilës i përkisnin më së shumti kryepriftërinjtë. Ata pranonin vetëm Ligjin e shkruar por jo edhe traditën. Mohonin ringjalljen, ekzistencën e engjëjve, jetën pas vdekjes. Kur e dimë botëkuptimin e tyre, atëherë e shohim se kjo pyetje është krejtësisht e kotë, pyetje e menduar, e përshpejtuar. Pasi që kjo pyetje në qenien e saj është e rëndësishme, edhe pse saducenjtë qeshen me të, Jezusi përgjigjet seriozisht. Nuk i kundërshton, as nuk është i hidhëruar me ta. Përkundrazi, përfiton nga rasti që për këtë gjë të flasë seriozisht.
Në kohën e sotme bëhen anketa me pyetje për jetën pas vdekjes. Njerëzit përgjigjen në shpejtësi dhe të papërgatitur. Besoj se nuk ka njeri që këtë pyetje nuk e ka bërë në mënyrë serioze, që nuk është dridhur dhe që nuk iu ndal goja para saj. Ku shkojmë pas vdekjes? Ku na drejton ky “kapiten i vjetër” si Baudelaire (Bodleri) e quan vdekjen. Asnjë përgjigje e shpejtë në ndonjë anketë nuk i përgjigjet realitetit të cilin njeriu e mbartë në vete para mendimit në përjetësi.
O Zot, të falënderoj që ndalove para saducenjëve dhe e pranove pyetjen e tyre edhe pse ta bënë për të përqeshur e për të luajtur me ty në mënyrë cinike. Kjo pyetje është tepër e rëndësishme që ta kalosh në heshtje edhe pse ata nuk merituan përgjigjen tënde. O Zot, po të lutem me ndihmo që mos të ikë para kësaj pyetjeje dhe mos të kem frikë të ballafaqohem me të. E kemi të vështirë ta paramendojmë. Tejkalon çdo gjë që kemi mundësi të sjellim para syve. Na ndihmo që mos të jemi naiv dhe në përngjasimin e fëmijëve.
34 Jezusi iu përgjigj: “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. 35 Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. 36
Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit.
Menjëherë në këtë përgjigje Jezusi thekson kundërshtimin e plotë mes “kësaj” dhe botës “tjetër”. Ne kemi përvojën e kësaj bote. Kjo është e ndryshme aq sa edhe ne jemi të ndryshëm njëri me tjetrin. Edhe pse jetojmë në të njëjtën botë, në të njëjtën periudhë, në të njëjtat rrethana, përvoja jonë është e ndryshme dhe përjetimet tona të botës nuk janë të njëjta. Secili prej nesh do ta përcaktonte ndryshe. Çfarë do të mund të thoni atëherë për “atë botë” për të cilën nuk kemi asnjë përvojë?
Jezusi thotë se më nuk do të vdesim dhe se do të jemi si engjëjt. Jeta tjetër nuk zhvillohet dhe nuk ndodh sipas modelit të kësaj jete. Vazhdimësia e seksualitetit, gjithashtu është e përshpejtuar dhe e krijuar në mënyrë artificiale si pyetje joreale, si mund të jetë edhe pyetja për seksin e engjëjve. Kush janë ata? Krejtësisht të ndryshëm nga ne. Secila bisedë për ta është belbëzim, çdo krahasim joreal. Dhe kur këtë gjë e krahasojmë me ndryshimin e larvave në flutura, edhe atëherë nuk na thotë shumë. Jemi bijtë e Hyjit, sepse jemi bijtë e ringjalljes. Sa e lartë është kjo fjalë.
O Zot, ti nuk deshe të na përshkruash as të na shpjegosh se si duket jeta pas vdekjes. A do të ishte e mundur që ta kuptonim këtë gjë? Ti thjesht thua se do të hyjmë në jetën hyjnore, se do të jetojmë me jetën e Hyjit. Çdo shpjegim i yni mendor i kësaj jete mbetet pa u përfunduar siç nuk kryhet as biseda për ty, o Hyj. Na ndihmo që të besojmë në këtë gjë, që të shpresojmë në këtë jetë dhe me dashuri ta pranojmë.
37 E se të vdekurit do të ringjallen vetë Moisiu e shënoi në fragmentin ‘mbi kaçubën’, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit.’ 38 Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.”
Themeli i të gjithave është Hyji i gjallë. Ai na dhuroi këtë jetë të përkohshme dhe prej saj na udhëheq në jetën e pasosur. Ai është Hyji i të gjallëve dhe në të jetojnë të gjithë – amshueshëm. O Zot, të falënderojmë që na drejton tek amshimi dhe na thërret ta pranojmë në fe. Na ndihmo që të përditshmen tonë ta shikojmë në dritën e amshimit. Besojmë se na ke përgatitur amshimin e bekuar dhe të lumtur. Besojmë se je Hyji i të gjallëve që dëshiron që të jetojmë amshueshëm me ty. Na ndihmo që gjatë kësaj jete të kalueshme të besojmë në ty dhe në jetën e pasosur.