MEDITIMI I DITËS – A MË DO MË SHUMË?
Written by Radio Maria on June 1, 2017
Gjn 21, 15-19 A MË DO MË SHUMË?
Kërkoj hirin që nga thellësia e zemrës të di të them: «Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!».
«15 Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon‑Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?”»
Këtyre dy ditëve të fundit, hapet para nesh faqja e fundit e Ungjillit të Shën Gjonit. Në të, përshkruhet takimi i nxënësve me Zotërinë e ngjallur. Ka kaluar nata e pafrytshme e peshkimit. Nuk zunë asnjë peshk. Pas kësaj, në kohën kur nuk po zinin peshk, nxënësit e hodhën rrjetën në anën e djathtë, ashtu siç u tha Zotëria nga bregu i detit dhe peshkimi ishte i madh. Mëngjesin e hëngrën së bashku. Jezusi kishte përgatitur zjarrin dhe i vuri aty peshqit që sapo i zunë.
Pas gjithë këtyre, filloi biseda mes Zotërisë dhe Pjetrit. Kjo bisedë i përkujtonte të kaluarën, por që drejtohej gjithashtu edhe drejt së ardhmes. Aty ishin të pranishëm të gjithë nxënësit, e jo vetëm Pjetri. Të gjithë mësuan shumë. Zotëria u tregua përsëri një mësues i jashtëzakonshëm. Ai nuk i qortoi për asgjë. I afroi krejtësisht pranë vetes dhe bisedoi me ta për gjërat më të rëndësishme dhe më thelbësore. Pjetri e mohoi, ndërsa nxënësit u shpërndanë të frikësuar. Ndërsa Pjetri merrte në thua dhe rrëzohej para vështirësive, gjëra që i shkaktoi vetëmjaftueshmëria, pavetëdija dhe pamaturia, aq sa emri i tij u rrënua dhe u shkapërderdh, Zotëria e thirri: «Simon!» Nuk e thirri Pjetër. Ishte si të fillonte gjithçka prej fillimit. Edhe kësaj here, gjithçka po ndodhte në bregun e liqenit. Edhe kësaj here, Pjetri ishte duke e kryer punën e vet të vjetër. Po, çdo gjë duhej të fillonte prej fillimit. Vërtet, kjo ishte thirrja e re që Zotëria ia bëri Simonit, në mënyrë që ta shndërronte përsëri në Pjetër.
Sa herë që e mohojmë dhe e ia kthejmë shpinën Zotërisë, aq herë e rrënojmë vetveten dhe shkapërderdhemi. Zotëria na vë edhe neve përpara të njëjtës pyetje: a më do?! Kjo është pyetja themelore. Gjithçka varet nga përgjigjja që ia japim kësaj pyetjeje. Kur përgjigjem në mënyrë pozitive, atëherë rruga hapet para meje. Përgjigjja më drejton drejt Zotërisë ose më largon prej Tij. Jezusi më drejtohet sot në mënyrë personale: «a më do?!» Ai e pret përgjigjen e qartë dhe të drejtpërdrejtë. Pyetja më drejtohet mua. Kjo pyetje përmban historinë dhe të ardhmen time.
«Po, Zotëri ‑ iu përgjigj ‑ Ti e di se të dua! Kulloti qengjat e mi! ‑ i tha Jezusi.»
Zotëria e njihte Pjetrin. Përgjigjja e tij përmbledh çdo gjë që bëri Pjetri përballë Zotërisë së vet. Tani u hap sërish vendi. Këtu nuk kishte më pyetje sentimentale, që e mbyllin rrethin e dialogut mes dy personave. Jezusi deshi ta zgjeronte dashurinë e Pjetrit ndaj Tij dhe ta bënte dashuri për të gjithë ata që do t’ia besonte atij: «Kulloti qengjat e mi!» Komenti, që ia bëri Jezusi përgjigjes së Pjetrit, i përngjan thirrjes së parë që ndodhi, gjithashtu, në breg të detit pas peshkimit. Edhe atëherë, Pjetri me vëllain e vet, Andreun, dëgjuan: «Do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!» Jezusi donte që tani Pjetri ta kuptonte me përgjegjësi: nëse më do, atëherë do të kujdesesh për ata që Unë i dua, për ata që Unë i çmoj.
«16 Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” ‑ iu përgjigj Pjetri. “Kulloti delet e mia!” ‑ vijoi Jezusi. 17 I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua … dhe iu përgjigj: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!” I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia!”»
Jezusi e pyeti tre herë Pjetrin dhe Pjetri iu përgjigj tre herë. Pyetja e trefishtë, që ia bëri Jezusi, e goditi Pjetrin në thellësinë e qenies së vet. Ai e dinte mirë se çfarë donte Zotëria dhe se pse e pyeti tre herë. Prandaj, u trishtua dhe tani ishte shumë më i përvuajtur në përgjigjet e veta, sesa ishte para mundimeve. Zotëria e thirri dhe e nxiti tre herë Simonin për plagën e trefishtë, që ai të bëhet përsëri Pjetër. Zotëria i premtoi se në Pjetrin do ta ndërtonte Kishën e vet. Prandaj, ai duhej të bëhej i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vet. Në këtë gjë, atij i nevojitej më së shumti dashuria, prandaj edhe u zbulua tre herë fjala dashuri. Vetëm tani, Pjetri ishte i gatshëm që ta pranonte dërgimin. Me këtë gjë, ai hyri në shërbimin që ia besoi Zotëria, që në emër të Tij ta udhëhiqte grigjën. Parësia e Pjetrit dhe përgjegjësia e tij për vëllezërit është detyrë që ia besoi Krishti, e cila u themelua në dëshminë e Pjetrit për dashurinë dhe besimin që e kishte në Zotërinë e ngjallur.
Ta pranoj dhe ta zbatoj fjalën që del prej buzëve të Zotërisë, do të thotë ta pranoj fjalën që më bën pjesëtar të shërbimit ndaj njerëzve. Cila është detyra që e pranova? Si e plotësoj? Me dashuri apo në mënyrë të dhunshme?
«18 Kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë, ku ti nuk dëshiron.” 19 … Pastaj i tha: “Më ndiq mua!”»
Do të vinin ditët kur Pjetri do të dërgohej për ta dhuruar jetën për Zotërinë e vet. Natyra e tij do të frikësohej dhe do të kundërshtonte, por dashuria, që e kishte për Zotërinë, do të ishte më e fortë se çdo frikë dhe çdo mohim. Që nga kjo bisedë, Simoni u bë Pjetër, në të cilin Zotëria do të mund të llogariste.
Kur dashuria ime ndaj Zotërisë të jetë e përvuajtur dhe e thjeshtë, atëherë Zotëria do të mund të llogarisë edhe në mua! Edhe mua mund të më thotë: «Më ndiq mua!» Pjetri shkoi! E unë? Kjo varet nga përvujtëria dhe thjeshtësia e dashurisë që është e vërtetë dhe vepruese. O Zot, ma dhuro këtë dashuri!