MEDITIMET E DITËS – KRISHTLINDJA

Written by on December 24, 2016

Is 9, 1-3.5-6 DRITA DHE GËZIMI

NË MESNATË 25 Dhjetor Is 9, 1-3.5-6

 

Kërkoj hirin: që në shpirtin tim të përjetoj dritën dhe gëzimin.

 

1 Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi drita. 2 Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë.

Ky profetizim i Isaisë profet e ka burimin në tmerrin e madh në të cilin gjendej populli i Izraelit. Ushtria e Sirisë e shkretoi Palestinën. Sirianët që ishin shumë më të fuqishëm shkatërronin çdo gjë para vetes. E ardhmja e popullit të zgjedhur ishte e errët. Në këtë situatë, profeti shikon daljen nga errësira dhe nga nata. Në vuajtje dhe tmerr profetizon gëzimin dhe harenë.

Po, kjo ka ndodhur. Tani e kremtojmë. Mirëpo ne të gjithë ende jemi në errësirë dhe na duhet drita, drita e madhe. Kjo dritë në këtë natë do të ndriçojë në zemrat tona dhe do të na shndrisë fuqishëm. Të gjithë ne, në vetvete mbartim hidhërimin dhe dëshpërimin. Sonte gëzimi do t’i mbizotërojë të gjitha dhe hareja do të përfshijë gjithçka. O Zot, na shndritë të gjithëve që ta shohim rrugën. Me dritën tënde shpërndaje errësirën e cila na rrethon. Shumëzoje gëzimin tonë dhe shtoje harenë. Sonte le të gëzohet secili njeri. Na ndihmo që ta përjetojmë dritën në zemrat tona që t’ia dhurojmë njëri-tjetrit me gëzim të plotë dhe me hare. Le të na mbartin në krahë fjalët: «Po ju lajmëroj një gëzim të madh, sot për ju lindi Krishti Zot»

 3 Sepse ti e thyeve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, lozën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara.

Isaia në shpirt shikon se si do të zhdukët zgjedha e rëndë të cilën e mbart populli. Barrën e traut që mundon krahët e tyre, do ta thyej Zotëria. Kjo ndodhi dhe u plotësua në popullin e zgjedhur. Kjo ndodh dhe plotësohet në botën e sotme. Zotëria theu barrën e rënd të mëkatit. Ai e shkatërrojë traun e të keqes dhe të mundimit. Shëlbuesi im që sapo linde, të falënderoj që heq prej krahëve të mi zgjedhën e mëkateve. Të falënderoj që thyen barrën e të keqes që më rëndon. Të falënderoj për secilin njeri që në brendi ndjehet më lehtë, sepse ti e hoqe barrën e rënd prej krahëve të tij. Të falënderoj për bukurinë e ndjenjës që i përmbush njerëzit pasi që ti theve traun e të keqes që shtypte shpirtin e tyre. Kjo fjalë e jotja le t’i mbushe me gëzim të gjithë njerëzit:

5 Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes.

Po, Hyji lindi. Sonte dëshirojmë të kremtojmë këtë gjë. Ky hir erdhi sot, prandaj na duhet të gëzohemi, të gjithë, të gjithë popujt, secili njeri. Ta përshëndesim me gëzim Këshilltarin e mrekullueshëm, Hyjin e fortë, Atin e amshueshëm, Princin e Paqes.

 6 E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do të ketë mbarim mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Që tani e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive.

Po, Hyji ka mundësi ta bëj këtë gjë. Isaia e besoj fuqishëm këtë gjë dhe më anë të këtij besimi e nxiste popullin. Hyji e bëri këtë gjë dhe e bënë gjithmonë në mënyrë të vazhdueshme. A i besoj pushtetit të Hyjit që ka mundësi ta shpëtojë njerëzimin nga të gjitha vështirësitë? A besoj se ai edhe mua ka mundësi të më shpëtojë? Kjo është porosia e Kërshëndellave. Kjo është porosia e paqes së Hyjit. Hyji erdhi në mesin tonë, paqja zbriti ndër ne. Kjo është fuqia e dashurisë së mëshirshme të Hyjit.

 

 

Is 62,11-12 DORËZIMI

NË MËNGJES 25 Dhjetor Is 62,11-12

 

Kërkoj hirin: që të kuptoj se si Jezusi më kërkon që nga zemra t’i dorëzohem.

 

11 Ja, çka Zoti bën të dëgjohet deri në skajet e tokës: “Thuajini bijës së Sionit: Ja, po vjen shpëtimtari yt, ja, me vete e ka shpërblimin e dhurata e tij përpara tij.

Më këtë këngë përfundon kjo pjesë e Librit të Isaisë profet. Kënga përsërit disa tema nga Libri i ngushëllimit.

Profeti shikon përfundimin e të gjitha vështirësive dhe vuajtjeve. Populli duhet të durojë. Do të vijnë ditët e shëlbimit. Do të vijë Shëlbuesi. Do të përjetojë ngushëllimin të cilin aq shume e kanë dëshiruar.

Ne, këtë gjë në ditën e sotme e përjetojmë fuqishëm dhe e kremtojmë. Hyji na vizitoi. Ai erdhi. Jo në ndonjë mënyrë spektakolare. Jo duke ndez frikën. Nuk erdhi fuqishëm. Përkundrazi në thjeshtësi dhe në mënyrë krejt të zakonshme. Kështu na u afrua. Më dobësinë e foshnjës së vogël u bë njëri prej nesh. Të gjithë patën mundësi të dëgjojnë: «Engjëjt lajmëruan, këngën e qiellit kënduan…» Të gjithë nuk e dëgjuan. Të gjithë patën mundësi të vijnë dhe të adhurojnë, por nuk erdhën. Këtë gjë e bënë njerëzit e thjeshtë. Barinjtë çohen shpjet dhe shkojnë tek Ai për ta adhuruar. Edhe unë dua, o Shëlbuesi im të të adhuroj. Rri para teje, para grazhdit tënd që dëshiron të ma tregojë realitetin në të cilin u gjete në çastin e lindjes sate. Dua ta përgatisë një vend më të pëlqyeshëm në zemrën time se sa ishte në stallë të Betlehemit. Ja zemra ime, pranoje dhe bano në të.

12 Do t’i quajnë “Popull i shenjtë” “Të shpërblyerit e Zotit”, kurse ti do të quhesh: “I kërkuari”, ‑ Qytet i pabraktisur!”

Do të ndodhin ndryshime të mëdha, Ato paraqitën në ndryshimin e emrit. Këta janë emrat e ri. Kjo është rilindja. Edhe populli duhet të marrë pjesë në gjërat e Hyjit, në planin që ka Hyji. Kjo do të thotë të jesh në udhën e shenjtërisë.

Të gjithë jemi të thirrur në shenjtëri. Të gjithë ne mund të jemi pjesëtarët e popullit të tij të shenjtë. Kjo është thirrja e pagëzimit tonë. Varet nga bashkëpunimi personal me të gjitha ato gjëra që Zoti mi ofron. O Zot, ti me thërret. Edhe unë quhem «i kërkuari, e kërkuara». Jam i humbur. Endem andej e këndej. Erdha tek grazhdi yt që të dorëzohem. Të shikojë si foshnjë të vogël se si rri i shtirë dhe pret që të afrohem. Sa shumë herë ta dhurova vetveten! Sa shumë herë linde për mua! Por unë gjithnjë jam në ndonjë skaj, bredhës dhe njeri i humbur. Po të afrohem nga rrugët e ndryshme që të ngrohem afër teje. Kuptoj sa pak është e nevojshme që të jem i gëzueshëm. Aq shumë gjëra me kanë ofruar gjatë këtij muaj, të gjitha në emër të lindje sate. Kërkova gëzimin në dhurata, në sofrën e pasur përplot me ushqime, në muzikë sentimentale, në… as vet se di se në çka tjetër e kërkova gëzimin. Kalova afër teje. Ty nuk të kërkova. Ja tani i gjunjëzuar para teje duke të falënderuar për thjeshtësinë me të cilën me durohesh dhe me pasuron. Të falënderoj që në errësirën time e ndeze yllin. Të falënderoj që me solli tek ti. Le të më udhëheq më tej gjatë jetës sime. Le të më sjell të takimi me Ty në amshim kur do të lind për jetën e re.

 

 

Tit 3,4-7 MIRËSIA E SHËLBUESIT

NË MËNGJES 25 Dhjetor Tit 3, 4-7

 

Kërkoj hirin: që sot ta përjetoj mirësinë e Shëlbuesit tonë, dhe dashurinë e tij ndaj njerëzve.

 

4 Por, kur, u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve 5 Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drjetësi, por në saje të mëshirës së vet:

Sot mirësia dhe dashuria e Hyjit ndaj njerëzve u shfaqen mes nesh. E dimë se Hyji është dashuri dhe se e do secilin njeri në të gjitha kohërat. Sot kjo është e veçantë. Sot këto shenja bëhen të dukshme dhe të prekshme. Gjatë vitit në përdishmërinë e thjesht lehtë e harrojmë këtë gjë. Kërshëndellat dëshirojnë të na përkujtojnë: Hyji është aq i mirë dhe aq shumë na do. Nuk na do pse e kemi merituar me diçka dashurinë e tij. Nuk na shëlbon pse e kemi merituar me diçka shëlbimin. Tjesht, na do sepse jemi bijtë e tij.

Kjo mirësi dhe dashuri e Shëlbuesit tonë ndaj njerëzve u tregua në zbrazëtinë dhe ftohtësinë e stallës. A do ta kuptojmë ndonjëherë këtë gjë? A do përpiqemi që ndonjëherë ta ndjejmë këtë gjë? O Zot, jam i vëtëdijëshëm se nuk kam asgjë më çfarë mund të mburrem para teje. Nuk kam vepra me anë të të cilave kam mundësi të kërkoj ndonjë të drejtë timën para teje. Nuk kam as drejtësi për shkak të të cilët do të kisha të drejtë të prendindoj diçka. Po vi tek ti me varfërinë dhe zbrazëtinë e zemrës sime. Po vi te ti më shpirt të ftohtë e të errësuar. Ti je mësuar në stallë të zbrazët dhe të ftohët, në stallë të erët dhe të varfër. Ke mundësi të vendosësh në zbrazëtinë dhe në ftohtësi time. Ke mundësi të më mbushësh më ato gjëra për të cilat kam nëvojë. E di se mund ta bësh këtë dhe do ta bësh sepse je i mëshirshëm.

me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, 6 të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, 7 që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.

O Zot, këtyre ditëve kam kaluar nëpër qytetin tim dhe kam shikuar çfarë ofrojnë njerëzit për të kremtuar Kërshëdellat. E pranoj, janë shumë të kujtueshëm. Në secilin dyqan kishte shumë gjëra që tregëtarët ofronin. Në çdo vend ndjehet fryma e Kërshëndellave. Gjithçka shkelqen në mijëra forma të dritave. Kërshëndellat janë bërë rasti i mrekullueshëm i përfitimit. Kam frikë, o Zot se Kërshëndellat i kemi thjeshtësuar shumë dhe i kemi shndërruar në tryezë plot me ushqime e pije, dëfrim dhe kremtim të jashtëm. E di se shumë njerëz do të mbetën vetëm këtu. Edhe kjo është e nevojshme, por nuk mjafton. Kjo më trishtoj pak. Nga Rruga e shndritur hyra në kishë. Edhe aty çdo gjë është zbukuruar. Aty pash radhët e njerëzve që prisnin për rrëfim. Kishte të rinj dhe të reja, burra dhe gra, fëmijë, pleq dhe plaka. Prisnin të durueshëm. Dëshironin takimin e ty në sakramentin e pajtimit dhe të mirësisë që ta përgatisnin brendinë për ty. Kjo gjë me gëzoj. E di se këta besonin sinqerisht se do t’i lirosh nga shtypja që i mundon. Dëshironin t’i hapen Shpirtit tënd që t’i përmbushësh dhe t’i qetësosh. Dëshiruan që në qetësi të takohen me ty. Dëshiruan të përgatitën përbrenda. Në zëmër ta përgatitën grazhdin. Kjo është më e rëndësishmja. Kjo i jep kuptim çdo gjëje të jashtëm që bënë. Bekoj, o Zot. Bekoj edhe ata që mbetën në pragun e Kërshëndellave, edhe ata që mbeten «jashtë» pran tryezës me ushqime dhe pije e ndoshta edhe me ndonjë këngë të Kërshëndellave. Të gjithë janë vëllezërit dhe motrat e tua.

 

Is 52,7-10 PAQJA DHE HAREJA

NË MESDITË 25 Dhjetor Is 52,7-10

 

Kërkoj hirin: që Shëlbuesi i lindur të më mbush me paqe dhe hare.

 

7 Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell sihariqin e paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin, që i thotë Sionit: ‘Hyji yt mbretëron!’

Ky tekst i përket asaj pjese të Librit të Isaisë profetë që quhet Libri i ngushëllimit. Këtu kemi porosinë më ngushëlluese për zemrën njerëzore. Këtu kemi «Ungjillin», pra librin më ngushëllues për njeriun. Ky lajm është i mrekullueshëm, sepse ka mundësi ta frymëzojë dhe ta realizojë vetëm Hyji. Zëri që shpall paqen dhe sjellë gëzimin. Lajmëtari që hap rrugën e shëlbimit dhe shpall se Hyji mbretëron. Vërtetë janë të bukura këmbët e atij që sjell lajme të tilla.

Ky zë sot jehon fuqishëm në liturgjinë e kremtimit të Kërshëndellave. Zëri jehon dhe e shpall porosinë: Sot në Betlehem ju lindi Shëlbuesi. Ai e vendos paqen, e sjellë gëzimin. Këto janë kërkesat themelore të njeriut: të jetosh në paqe dhe të jesh i gëzuar.

O Zot, hyr në zemrën time të paqetë. Vendose në të paqen të cilën vetëm ti mund ta dhurosh. Asgjë tjetër nuk mund të me qetësojë as nuk mund të më përmbush. Në këtë paqe do ta përjetojë gëzimin të cilin aq shumë e kërkoj. Të falënderoj që me viziton. Të falënderoj për të gjithë lajmëtarët e paqes dhe të gëzimit.

8 Dëgjo! Rojet e tua me të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion! 9 Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënojat e Jerusalemit, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin!

Breznitë e ndryshme në popull dhe njerëzim janë veçanërisht të gëzuara sepse kanë përjetuar ato gjëra që të tjerat nuk i kanë përjetuar. Profeti shikon në shpirt brezninë e Hebrenjve që do të gëzohet për shkak të kthimit në Jerusalem. Do të gëzohet për shkak të ngushëllimit që do ta përjetojnë. Do të gëzohet për shkak të shpërblimit.

Fatkeqësisht, ka brezni të cilat nuk dinë t’i njohin vizitat e hirit të Hyjit. Përbuzën hirin. Kështu ndodhi në Betlehem Kërshëndellave të para. Këtë gjë Jezusi më vonë do tu kujtojë banorëve të Jerusalemit që vrasin profetët. Sa herë deshi t’i bashkoj banorët e këtij qyteti si klluka që bashkon zogjtë e vet, por ata nuk deshën. Ai qua mbi këtë qytet, sepse banoret e tij nuk dalluan Atë që u sjell paqen. Qau për njerëzit e qytetit të dashur sepse nuk e hetuan çastin e vizitës së tij.

O Zot, ti na viziton, dëshiron që të njohim që të gëzohemi së bashku. Na ngushëllon me praninë tënde. Përmbushe familjen time, popullin tim, mbarë botën me paqen dhe gëzimin tënd. Bëj që populli im t’i njoh çastet e vizitës sate që të gëzohemi së bashku.

10 Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

O Zot, me lindjen tënde e hape rrugën e shëlbimit për të gjithë popujt. Të gjithë janë të ftuar që të bashkohen me ty: bëj që të dëgjojnë të gjithë dhe të vijnë tek ti në Betlehem…

Shëlbimi iu dëftua të gjithëve. Të gjitha skajet e botës duhet ta shohin Hyjin Shëlbues. Kjo është detyra e vazhdueshme e njerëzve që shpallin Lajmin e gëzueshëm. Duhet sjell deri në skajin e tokës. Jemi të lumtur që e njohëm. Sot është dita e gëzimit. «O botë e tërë, përshëndete Shëlbuesin».

 

Heb 1, 1-6 HYJI DHE NJERIU

NË MESDITË 25 Dhjetor Heb 1, 1-6

 

Kërkoj hirin: që të dijë t’ia hap zemrën Hyjit dhe t’ia shtri dorën njeriut.

 

1 Pasi Hyji herë pas here dhe në mënyra të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, 2 së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit.

Gjatë Kohës së Ardhjes kemi lexuar dhe medituar Fjalën e Zotit të cilën Hyji na e dhuroi përmes profetëve. Pas tyre, më në fund në këto ditë, kur erdhi plotësimi i kohës, Hyji dërgon më të lartin lajmëtar. Ai nuk është vetëm zëdhënës si të tjerët, ai është Biri, Fjala e cila foli qartë dhe fuqishëm.

Kërshëndellat janë biseda e Hyjit të cilën njeriu ka mundësi ta kuptojë më së miri. Kërshëndellat janë vizita personale të cilën Hyji ia bënë njeriut, botës dhe tokës. Kërshëndellat janë vizita e dashurisë së Hyjit në botën tonë që nuk ka dashuri. Kërshëndellat janë takimi personal i Hyjit dhe njeriut. Janë takimi im më Zotërinë tim. Takimi i ftohtësisë sime me ngrohtësinë e Hyjit, i errësirës sime më dritën e tij. Ai me thotë: hape zemrën, mos rri i mbyllur në ngurtësi. Dua të takohem me ty për të çliruar nga të gjitha prangat dhe frikësimet. Eja afër grazhdit në të cilin rri. Shiko, ndjeje dashurinë me të cilën dëshiroj të të përqafoj dhe të ngrohë.

 Atë e bëri trashëgimtarin e të gjitha gjërave, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë….

Ai është trashëgimtari dhe themeli i botërave. Hyji, Biri, «pasqyrimi», «përngjasimi» i qenies së Hyjit që i përngjan vulës besnike. Vjen aq thjesht dhe i varfër në trupin e foshnjës së vogël. Ai do t’i pastroj të gjithë nga mëkati. Jetën e tij do ta shënojë lufta kundër të keqes dhe zbulimi i të Keqit dhe pritave të tij. O Zot, dëshiroj vetëm të të adhuroj. Dëshiroj të përshëndes: «Të falëm, o Jezus, foshnje, që erdhe për të na vizituar…»

 5 Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjëherë: »Ti je im Bir unë sot të linda?« Dhe prapë: »Unë do t’i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir6 Dhe prapë, kur dërgon të Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë: »Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit

Engjëjt, gjithashtu, erdhën për të adhuruar në Betlehem. Këndonin: Lavdi Hyjit dhe luteshin për paqe mes njerëzve, për paqe në zemrën e njeriut. Shpirtrat më të lartë e nderojnë Shëlbuesin tonë. Gëzohen, këndojnë. Njerëzit e thjeshtë, të vegjlit bashkohen më shpirtrat më të lart dhe shkojnë për të vizituar Hyjin në foshnjën e vogël dhe e njohin Mesinë. O Zot, ma jep hirin që të njoh dhe të të vizitoj. Nuk kam asgjë për të dhuruar përveç zemrën e ngurtësuar dhe duart e mbyllura. Ma zbut zemrën dhe mi hap duart që të kem mundësi t’i ndihmoj secilit që ka nevojë. Kështu edhe unë do të kem mundësi të këndoj: «Çfarë kërkon, o vëlla që të jap, sepse Hyji më vizitoj, më të mira më mbushi plot…»

 

 


Current track

Title

Artist