LUTJET THEMELORE

LUTJET THEMELORE

Shenja e kryqit

 

Në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!

 

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë Mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell, ashtu në tokë!

 

– Bukën tonë të përditshme na e jep sot; na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë. E mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i keqi. Amen!

 

Të falëm Mari, hirplote, Zoti me ty! E bekuar je mbi të gjitha gratë dhe i bekuar fryti i barkut tënd, Jezusi.
– Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne mëkatarët, tash e në fill të vdekjes sonë. Amen!

 

Lavdi Atit, e Birit e Shpirtit Shenjt!
– Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen!

 

Besoj, në Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës. E në Jezu Krishtin, birin e tij një të vetmin, Zotin tonë, i cili u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. U lind prej Virgjërës Mari, pësoi mundimet nën Poncin Pilat, u vu në Kryq, vdiq e u varros, zbriti në ferr; të tretën ditë u ngjall së vdekuri; u ngjit në qiell, rri në të djathtë të Hyjit, Atit të gjithëpushtetshëm; andej do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. Besoj në Shpirtin Shenjt, Kishën e shenjtë Katolike, shoqërinë e shenjtërve, faljen e mëkateve, ngjalljen e korpit dhe jetën e pasosur. Amen!

 

Puna e pendimit

 

O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!

 

Të falem mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen!

 

Puna e Fesë

 

Besoj me gjithë fuqi të shpirtit tim së është një Zot i vetëm në tre Veta hyjnore që janë: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt. Besoj se Biri i Hyjit, Jezu Krishti, për virtyt të Shpirtit Shenjt, u bë njeri, është munduar e ka vdekur në kryq për ne, është ngjallur së vdekuri dhe është ngjitur në qiell, e do të vijë për të na gjykuar. Besoj se Zoti ynë u jep të mirëve Parajsën e të këqijve Ferrin. Besoj se në Kungim të shenjtë është Jezu Krishti, Zot e njeri. Besoj në gjithçka beson dhe na mëson Kisha e shenjtë katolike e Romës, sepse Kishës i është dëftuar Hyji, i cili është vetë e vërteta.

 

Lutjet e mëgjesit

 

Në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!

 

O Zoti im, të falënderoj që më ke ruajtur sonte. Po të premtoj se sot, me ndihmën tënde, nuk do të të fyej me asnjë mëkat. O Zoti im, gjithçka që do të bëj e gjithçka që do të vuaj në këtë ditë, dua ta bëj dhe ta vuaj për dashurinë tënde e si është dëshira e Zemrës së Jezu Krishtit, që bëhet fli për ne në Meshën e shenjtë.
O Zot i gjithëpushtetshëm, që na e dhe fatin ta presim edhe këtë ditë, na ruaj me pushtetin tënd, që sot të mos biem në asnjë mëkat, por të rrjedhin fjalët e të drejtohen mendimet dhe veprat tona për të kryer gjithmonë drejtësinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Zemra e Krishtit, Zotit tonë,
– bëj që ty të të duam gjithmonë.

 

Zemra e Zojës, Nënës sonë,
– qofsh ti shëlbimi ynë.
Engjëlli i Zotit

 

Engjëlli i Zotit iu fal Zojës Mari.
E ajo ngjizi për virtyt të Shpirtit Shenjt.

 

Të falemi Mari…

 

Ja shërbëtorja e Hyjit.

 

U bëftë me mua si është fjala jote.

 

Të falemi Mari…

 

E Fjala u bë njeri.
E banoi ndër ne.

 

Të falemi Mari…

 

Lutu për ne, o e shenjtja Nënë e Hyjit!
Të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit.

 

Të lutemi: Hirin tënd, po të lutemi, o Zot, ndikoje në shpirtin tonë, që sikurse në lajmërimin e engjëllit na e zbulove mishërimin e Birit tënd, Jezu Krishtit, nëpër mundime e kryq të tij na udhëhiq në lavdinë e ringjalljes. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen!
Lavdi Atit, e Birit e Shpirtit Shenjt! (Shtohet tre herë)
– Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen!

 

Për shpirtrat e purgatorit:

 

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë Mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell, ashtu në tokë!
– Bukën tonë të përditshme na e jep sot; na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë. E mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i keqi. Amen!

 

Të falemi Mari, hirplote, Zoti me ty! E bekuar je mbi të gjitha gratë dhe i bekuar fryti i barkut tënd, Jezusi.
– Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne mëkatarët, tash e në fill të vdekjes sonë. Amen!

 

Jepua, o Zot, pushimin e pasosur!
– Dhe i shndrittë drita e pambaruar!
Pushofshin në paqe!
-Amen!

 

Engjëlli i Zotit, që je rojtari im, pasi Hyji, për mëshirë të vet, më ka lënë nën mbrojtjen tënde, ti sot më shndrit, më mbaj, më ruaj e më sundo. Amen!

 

Mbretëreshë e qiellit (Në kohën e Pashkëve)

 

Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që meritove për ta bartur, Aleluja!

 

U ngjall si pati thënë, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!

 

Gëzohu e galdo, Virgjëra Mari, Aleluja!
– Zoti u ngjall me të vërtetë, Aleluja!

 

Të lutemi: O Zot, që nëpër ngjalljen e Birit tënd, Jezu Krishtit, u denjove ta ngushëllosh botën, bëj që nëpër Nënën e tij, Virgjërën Mari, të fitojmë ngushëllimet e jetës së amshuar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Lavdi Atit, e Birit e Shpirtit Shenjt! (Shtohet tre herë)
– Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen!

 

Për shpirtrat e purgatorit: Ati ynë, Të falemi Mari…, Lavdi Atit…, Engjëlli i Zotit.

Para pune

 

Veprimet tona, po të lutemi, o Zot, me hirin tënd frymëzoji dhe me ndihmën tënde përcilli, që çdo veprim i yni me ty të fillojë dhe me ty të përfundojë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Pas pune

 

Po të falenderojmë, o Zot i gjithëpushtetshëm, për të gjitha të mirat që kemi marrë prej teje. Ti që jeton e sundon në jetë të jetës. Amen!

 

Para buke

 

Na e jep, o Zot, bekimin tënd neve dhe këtij ushqimi, që po e marrim prej bujarisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Pas buke

 

Po të falënderojmë, o Zot i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, për të gjitha bamirësitë e tua. Ti që jeton e sundon në shekuj të shekujve. Amen!

 

Lutjet e mbrëmjes

 

Në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
– Amen!

 

Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë e një përfundim të përsosur.
Shqyrtimi i ndërgjegjes (fq. 69) (Tani kaloje nëpër mend tërë ditën e shikoje a ke mëkatuar me ndonjë gjë: me mendime, me fjalë, me vepra apo me lëshime. Pendohu dhe thuaje Punën e pendimit. Pastaj vazhdo:)

 

Puna e pendimit…

 

Eja, po të lutemi, o Zot, në banesën tonë e dëboji larg të gjitha pritat e armikut; engjëjt e tu të shenjtë le të banojnë në të dhe të na ruajnë në paqe. E bekimi yt qoftë gjithmonë me ne. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Jezu Krisht, Shenjtja Mari, Shenjti Jozef,
– juve po jua fal zemrën e shpirtin tim.
Jezu Krisht, Shenjtja Mari, Shenjti Jozef,
– ju më dilni zot në fill të vdekjes sime.
Jezu Krisht, Shenjtja Mari, Shenjti Jozef,
– në paqe me ju qoftë vdekja ime.

 

Puna e shpresës

 

O Zoti im, në Ty, që je i gjithëpushtetshëm dhe shumë i mëshirshëm, kam shpresë të madhe se do të m’i falësh fajet e mia dhe se do të më japësh forcë që të bëj vepra të mira, e një ditë do të më japësh edhe Parajsën. Të gjitha këto i shpresoj për meritat e Jezu Krishtit dhe sepse i ke premtuar ti, o Hyj, që je besnik dhe i drejtë në të gjitha premtimet e tua.

 

Puna e dashurisë

 

O Zoti im, Ty, që je fort i dashur, Mirësi mbi të gjitha të mirat, unë të dua me gjithë zemër e me gjithë fuqinë e shpirtit tim, për dashurinë tënde e dua të afërmin tim si vetveten. O Zot, më jep mundësi që të të dua gjithmonë e më shumë.

 

Të vërtetat e fesë së krishterë:
1. Është vetëm një Zot, e në të janë tri veta hyjnore: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt.
2. Zoti krijoi të gjitha sendet. Ai të gjitha i mban, i sundon dhe i drejton.
3. Shpirti i njeriut është i pavdekshëm.
4. Biri i Zotit u bë njeri dhe na shëlboi me vdekjen e vet në kryq.
5. Hiri i Zotit është i domosdoshëm për shëlbim.
6. Zoti do t’i shpërblejë veprat e mira me lumturinë e amshuar, ndërsa veprat e këqija do t’i dënojë me mundimin e amshuar.

 

Themelet e fesë së shenjtë:
1. Njënia e Trinia e Hyjit.
2. Të mishëruarit, të munduarit, vdekja dhe të ngjallurit e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.
Njënia do të thotë se është një Zot i vetëm.
Trinia do të thotë se në Hyjin janë tri Veta hyjnore, që quhen: Ati, Biri e Shpirti Shenjt. Të Mishëruarit, të munduarit, vdekja e ngjallja e Shëlbuesit tonë, do të thotë se Veta e dytë e të Shenjtërueshmes Trini, Jezu Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri, u mundua, vdiq në kryq dhe u ngjall për ne.

 

Dy urdhërimet e dashurisë:
1. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë shpirtin, me gjithë zemrën e me gjithë mendjen tënde.
2. Duaje të afërmin tënd si vetveten.

 

Urdhërimet e Hyjit:

 

Hyji thotë:
1. Unë jam Zoti, Hyji yt. Tjetër Hyj të mos
kesh e të mos adhurosh, pos meje!
2. Mos e merr kot nëpër gojë emrin e Hyjit!
3. Shenjtëroje ditën e diel e
ditët e festave të urdhëruara!
4. Nderoje prindin tënd, në qoftë se
dëshiron të jetosh shumë përmbi tokë!
5. Mos vrit!
6. Mos kurvëro!
7. Mos vidh!
8. Mos bëj dëshmi të rreme!
9. Mos e lakmo njeriun e huaj për të keq!
10. Mos lakmo asgjë të huajën!

 

Urdhërimet e Kishës së shenjtë:
1. Merr pjesë në Meshë çdo të diel e çdo festë të urdhëruar!
2. Agjëro në ditët e premte dhe në kohët e caktuara sipas ligjit kishtar!
3. Rrëfehu dhe kungohu së paku një herë në vit, sidomos për Pashkë!
4. Mos bëj dasmë në kohë të ndaluar!
5. Paguaje detyrimin ndaj Kishës, sipas ligjit!

 

Shtatë Sakramentet:
1. Pagëzimi;
2. Përforcimi (krezmimi);
3. Kungimi;
4. Rrëfimi;
5. Vajimi;
6. Urdhri i shenjtë; dhe
7. Kurora e martesës.

 

Shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt:
1. Urtia;
2. Kuptimi;
3. Këshilla;
4. Forca;
5. Dija;
6. Përshpirtëria; dhe
7. Druajtja e Hyjit.

 

Tre virtytet hyjnore:

 

1. Feja; 2. Shpresa; 3. Dashuria.

 

Virtytet kryesore:
1. Maturia; 2. Drejtësia; 3. Forca; 4. Përmbajtja.

 

Veprat e mëshirshme të trupit:
1. Jepi bukë të uriturit;
2. Jepi ujë të eturit;
3. Vishe të zhveshurin;
4. Strehoje shtegtarin;
5. Vizitoje të sëmurin;
6. Vizitoje të burgosurin; dhe
7. Varrose të vdekurin.

 

Veprat e mëshirshme të shpirtit:
1. Këshilloji ata që dyshojnë;
2. Mësoji të paditurit;
3. Qortoji mëkatarët;
4. Ngushëlloji ata që vuajnë;
5. Fali fyerjet;
6. Duroji ata që të mërzisin; dhe
7. Lute Hyjin për të gjallët e të vdekurit.

 

Shtatë veset kryesore:
1. Mendjemadhësia;
2. Koprracia;
3. Fëlligështia;
4. Hidhërimi;
5. Grykësia;
6. Smira; dhe
7. Përtacia.

 

Virtytet kryesore
1. Përvujtëria – e kundërshton mendjemadhësia;
2. Dorëdhënia – e kundërshton koprracia;
3. Pastërtia – e kundërshton fëlligështia;
4. Durimi – e kundërshton hidhërimi;
5. Përkormëria – e kundërshton grykësia;
6. Dashuria – e kundërshton smira; dhe
7. Zelli – e kundërshton përtacia.

 

Mëkatet kundër Shpirtit Shenjt:
1. Dëshpërimi për shëlbim;
2. Shpresa e rreme se do të shëlbohemi pa merita;
3. Kundërshtimi i të vërtetës së njohur;
4. Smira për hire të të afërmit;
5. Ngurrimi ndër mëkate; dhe
6. Mospendimi i fundit.

 

Mëkatet që kërkojnë gjyq para Hyjit:
1. Vrasja e qëllimshme;
2. Mëkati i fëlligështisë kundër natyrës;
3. Shfrytëzimi i të varfërve; dhe
4. Mashtrimi në pagën e punëtorit.

 

Gjërat e fundit të njeriut:
1. Vdekja; 2. Gjyqi; 3. Ferri; 4. Parajsa.



Current track

Title

Artist