Liturgjia e Orëve – 9 gusht – Shën Tereza Benedikta e Kryqit

Written by on July 9, 2024

9 gusht
SHËN TEREZA E BEKUAR E KRYQIT, VIRGJËR DHE MARTIRE
PAJTORE E EVROPËS
Festë
 
 Edith Stein lindi më 1891 në [Wroclaw] – Breslau na Gjermani. E lindur dhe e edukuar në besimin hebraik, për shumë vite dha mësim filozofinë, mes vështirësive të mëdha. E pranoi jetën e re në Krishtin nëpërmjet sakramentit të Pagëzimit dhe, mori emrin Tereza e Bekuar e Kryqit, hyri në rregullin e Karmelitaneve të zbathura të Köln-it, ku u tërhoq në klauzurë. Gjatë përndjekjes naziste, e mërguar në Holanda, u kap dhe më 1942 e dërguar në kampin e përqendrimit në [Oswiecim – Auschwitz] pranë Krakovies në Poloni, ku edhe u vra në një dhomë me gaz.
 
 Nga Përbashkorja e një martiri (fq. 1563) apo virgjëre (fq. 1628), përveç asaj që vijon.
 
 
FTESA
 
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
 Krishtin Zot.
 
 Psalmi 95 /94/
 
Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
 Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
 t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
 t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
 Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
 Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
 të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
 duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
 Krishtin Zot.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
 të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
 ne jemi populli i kullosës së tij, *
 grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
 Krishtin Zot.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
 “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
 kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
 më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
 Krishtin Zot.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
 e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
 që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
 ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
 Krishtin Zot.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
 Krishtin Zot.
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
 Himni
 
 O Krisht, lule e luginave,
 Ty të madhrojmë me lavde,
 që këtë virgjër stolise
 edhe me palmë të martirit.
 
 Kjo e urtë, e fortë, e mendshme,
 pa frikë e dëshmoi besën,
 për ty mundime të tmerrshme
 hoqi pa iu trembur syri.
 
 Përbuzë princin e botës,
 pajisë me dhuntinë tënde,
 e lindur në luftë të përgjakshme,
 mori çmime të amshueshme.
 
 Shëlbues i drejtë, për hir t’asaj
 në shoqëri me atë dhe ne pranona,
 që ne me mend të pastër
 frytet e gjakut tënd të gëzojmë.
 
 Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
 që u linde nga Nëna Virgjër,
 me Atin dhe me Shpirtin
 Jetëdhënës në amshim. Amen.
 
 Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim:
 por ai që do të jetë besnik deri në fund,
 do të shëlbohet.
 
Psalmi 2 (1-12)
 
Përse paganët çohen peshë *
 e përse popujt bluajnë punë të kota?
 
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
 princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
 
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
 le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
 
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
 i Larti Zot i përqesh ata!
 
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
 me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
 
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
 mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
 
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
 Ai më tha: »Ti je im Bir, *
 unë sot të linda!
 
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
 nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
 dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
 
E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *
 mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
 nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
 
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
 e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
 Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
 
Ant. 1 Do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim:
 por ai që do të jetë besnik deri në fund,
 do të shëlbohet.
 
Ant. 2 Vuajtjet e tashme nuk mund të krahasohen
 me lavdinë që do të shfaqet në ne.
 
Psalmi 11 /10/ (1-7)
 
Jam ndore të Zotit!
 Përse atëherë i thoni shpirtit tim: *
 »Fluturo si shpend në mal!
Ja, keqbërësit harkun e shtrënguan, †
 mbi kordë shigjetën vendosën *
 për t’i shigjetuar fshehtas të drejtët.
 
Kur themelet janë të luhatura, *
 çfarë mund të bëjë i drejti?«
 
Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë, *
 Zoti fronin e ka në qiell.
 
Sytë e tij vëzhgojnë të vobektin, *
 qerpikët e tij shqyrtojnë bijtë e njerëzve.
Zoti shqyrton të drejtin e të paudhin, *
 ai e urren atë që e do paudhësinë.
 
Mbi mëkatarë do të bëjë të bjerë prush: *
 zjarr, sulfur e stuhi është pjesa e trashëgimit të tyre.
 
Zoti është i drejtë e drejtësinë e ka për zemër: *
 të drejtët do ta shikojnë fytyrën e tij.
 
Ant. 2 Vuajtjet e tashme nuk mund të krahasohen
 me lavdinë që do të shfaqet në ne.
 
Ant. 3 Zoti e provoi, si arin në flakë;
 i pëlqeu si fli shkrumbimi.
 
Psalmi 17 /16/ (1-15)
 
Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë, *
 vështroje lutjen time,
Vëri vesh lutjes sime *
 që del nga buzët joshtiracake.
 
Prej teje le të më vijë vendimi gjykues, *
 sepse vetëm sytë e tu shikojnë të drejtën.
Sprovoje zemrën time, vëreje atë natën, *
 më sprovo me zjarr: në mua nuk do të gjesh padrejtësi.
 
Goja ime s’gabon siç veprojnë njerëzit, *
 në saje të fjalëve të buzëve të tua
 iu shmanga udhës së mujsharit.
Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua, *
 që këmbët të mos më marrakoten.
 
Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, e më vështro, *
 ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia,
 
madhëroje mbi mua dashurinë tënde, †
 ti që i shpëton nga armiku *
 ata që shpresojnë në të djathtën tënde.
 
Më ruaj porsi bebëzën e syrit, *
 më fsheh nën hijen e krahëve të tu,
prej syve të të pabesëve që po më përndjekin. *
 Armiqtë e mi të tërbuar po më rrethojnë gjithkah.
 
Nga zemra e padhimbshme *
 goja u flet kreni.
Ja, po më afrohen tani po më rrethojnë *
 m’i ngulën sytë për të më përplasur për tokë.
 
Të ngjashëm me luanin e gatshëm për pre, *
 më zogun e luanit që rri gati në pritë.
 
Ngrihu, o Zot, deli para, përplase përdhé, *
 me shpatën tënde ma shpëto jetën prej të paudhit!
Prej vdekatarëve nga dora jote, o Zot, *
 prej vdekatarëve që s’kanë pjesë në jetë.
 
Mbushua, ani, me të mirat e tua barkun, †
 le të ngopen edhe fëmijët e tyre *
 e le të teprojë edhe për foshnjat e tyre!
 
E unë në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde, *
 e një ditë, kur të zgjohem,
 do të kënaqem me praninë tënde.
 
Ant. 3 Zoti e provoi, si arin në flakë;
 i pëlqeu si fli shkrumbimi.
 
 D Më kaplojnë ankthi dhe tmerri,
 C por fjala jote është ndihma ime.
 
 Leximi i parë
 
 Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 4, 7 – 5, 8
 
 Vëllezër, ne e mbartim këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit e jo prej nesh. Po, nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar, të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej‑këndej po, por jo të rrëzuar, gjithmonë i mbartim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. Sepse, gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm. Kështu në ne vepron vdekja, kurse në ju jeta. E pasi kemi të njëjtin shpirt feje, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘Besova, prandaj edhe fola’, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes. E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri ‑ i shumëzuar ‑ të bëjë sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.
 Prandaj, nuk e humbim guximin, por, edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita‑ditës përtërihet. Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme, pa krahasim më të madhe. Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse sendet e dukshme janë të përkohshme, kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme.
 Sepse e dimë se, nëse shtëpia jonë tokësore ‑ kjo tendë, shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit banesë të përjetshme, qiellore, që nuk është e punuar nga duart e njeriut. Ne në këtë banesë dënesim e dëshirojmë përmbi të ta veshim banesën tonë qiellore, merret vesh, nëse do të gjendemi të veshur e jo të zhveshur. Sepse ne që gjendemi në këtë tendë dënesim porsi nën barrë të rëndë meqë nuk dëshirojmë të zhvishemi, por të vishemi mbi të me një tjetër që kështu jeta ta përpijë atë që është e vdekshme. E Ai që na krijoi për këtë qëllim është Hyji, i cili na dha kaparin ‑ Shpirtin Shenjt.
 Kështu, pra, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti.
 
 Përgjigjja Krh. Mt 5, 11. 12a. 10
 
 C Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë për shkak timin. * Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell.
 D Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon: sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
 C Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell.
 
 Leximi i dytë
 
 Nga “Scientia Crucis” e shën Terezës së Bekuar të Kryqit, virgjër dhe maritire
 (Edith Stein Werke, I, Friburgi në Br. 1083, 15-16)
 
 Besimtarëve në Krishtin e Kryqëzuar u hapet dera e jetës
 
 Krishti vetë ishte ngarkuar me zgjedhën e ligjit, duke e ruajtur dhe duke e përmbushur atë në përsosmëri, aq sa vdiq për ligjin dhe fli e ligjit. Në të njëjtën kohë, ai i liroi nga ligji të gjithë ata që do ta pranonin jetën nga ai. Por të cilët mund ta pranonin vetëm duke e zhbërë jetën e tyre. Vërtet “sa jemi të pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij?” (Rom 6, 3). Ata zhyten në jetën e tij për t’u bërë gjymtyrë të trupit të tij, dhe nën këtë cilësi të vuajnë dhe të vdesin bashkë me të; por edhe që të ringjallen bashkë me të në jetën e amshuar hyjnore. Kjo jetë do të lindë për ne në plotësinë e saj vetëm ditën e lavdërimit. Megjithatë që tani “në mish” ne marrim pjesë në të, në saje të besimit: besojmë se Krishti ka vdekur për ne, për të na e dhuruar jetën. Dhe është pikërisht kjo fe e cila na bën të jemi një gjë e vetme me të, gjymtyrë të lidhura me kryet, duke na bërë të përshkueshëm në derdhjen e jetës së tij. Kështu feja në Kryqin – feja e gjallë, e shoqëruar nga kushtimi i dashur – është për ne dera e hyrjes në jetë dhe fillimi i lavdisë së ardhshme. Kryqi është përparësia jonë e vetme: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën.” (Gal 6, 14).
 Ai që është vënë në anën e Krishtit është i vdekur për botën, ashtu siç është e vdekur edhe bota për të. Ai i bart në trupin e tij shenjat e Zotit (krh. Gal 6, 17); është i dobët dhe i përçmuar në rrethet e njerëzve, por pikërisht për këtë është i fortë në realitet, sepse në dobësi tregohet plotësisht fuqia e Hyjit (krh. 2 Kor 12, 9). Thellësisht i bindur në këtë të vërtetë nxënësi i Jezusit, jo vetëm se e përqafon kryqin që i dhurohet, por kryqëzohet vetë: “Ata që janë të Krishtit [Jezus] e kryqëzuan trupin e vet bashkë me pritje dhe dëshira të prujta.” (Gal 5, 24). Ata kanë ndërmarrë një luftë të ashpër kundër natyrës së tyre, për të zhdukur në veten e tyre jetën e mëkatit dhe për t’i bërë vend jetës së shpirtit. Është vetëm kjo e fundit ajo që vlen. Kryqi nuk është qëllim në vetvete. Ai spikat në lartësi dhe është grishje drejt lartësisë. Pra nuk është vetëm një simbol – por është edhe një armë fitimprurëse e Krishtit, vishkulli i bariut me të cilin Davidi hyjnor i del përballë Goliatit të ferrit, simboli ngadhënjyes me të cilin ai troket në derën e qiellit dhe e hap atë. Atëherë vërshon ngulfi i dritës hyjnore, duke i përmbytur të gjithë ata që marshojnë në ndjekje të Kryqit.
 
 Përgjigjja Gal 2, 19-20
 
 C U kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. * I cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.
 D Këtë jetë që tani e jetoj në tru, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit.
 C I cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.
 
 Himni: Himni: Te Deum
 
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
 Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
 ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
 Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
 ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
 ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
 edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
 Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
 nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
 ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
 Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
 të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
 të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
 e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
 Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
 Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
 Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
 Në ty, o Hyj, shpresova, *
 e kurrë nuk do të turpërohem.
 
 Lutja
 
 Hyji i etërve tanë, ti që e udhëhoqe shenjtën martire Tereza e Bekuar (e Kryqit) ta njihte Birin tënd të kryqëzuar dhe ta ndiqte me besnikëri deri në vdekje, bëj që me ndërmjetësinë e saj, të gjithë njerëzit ta njohin Krishtin Shpëtimtar dhe të arrijnë, nëpërmjet tij, ta kundrojnë në amshim dritën e fytyrës sate. Nëpër Zotin.
 

 Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


 
LAVDET E MËNGJESIT
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Himni
 
 O udhëheqësi i Pastërtisë,
 dhe forca e martirëve
 për të dyja ti jep çmime
 dashamirës dëgjon lutjet.
 
 Kjo virgjër zemërmadhe,
 dyfish me fat e lume
 fisnike me dy palma
 këtu me lavdi nderohet.
 
 Kjo të dëshmoi pa u lëkundur,
 krahun mizor të xhelatit
 trimërisht gjer në fund përballi,
 ty të shpalosi shpirtin.
 
 Kështu ajo i mësoi botës:
 t’i mposhtë plagët e katilit
 dhe lajkat e bandillit,
 fenë e pastër na mëson.
 
 Me ndihmë të kësaj martire,
 na i shlyej të gjitha fajet,
 na i shporr ngasjet e krimeve,
 në hirin tënd vendosna.
 
 Ty, Jezus, të qoftë lumnia,
 që linde nga Nëna Virgjër,
 me Atin dhe me Shpirtin
 jetëdhënës në amshim. Amen.
 
 Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Hiri yt, o Zot, vlen më shumë se jeta:
 buzët e mia do ta shpallin lavdinë tënde.
 
Psalmi 63 /62/ (2-9)
 
Shpirti i etshëm për Hyjin
 
 Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
 
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
 Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
 si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
 
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
 për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
 buzët e mia do të të lavdërojnë.
 
Kështu do të të bekoj në jetën time *
 e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
 me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
 
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
 në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
 prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
 
Shpirti im u mbështet në ty, *
 e djathta jote më merr për dore.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Hiri yt, o Zot, vlen më shumë se jeta:
 buzët e mia do ta shpallin lavdinë tënde.
 
Ant. 2 Martirët e Zotit, bekojeni Zotin!
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56
 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
 Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
 lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
 bekojeni, o qiej, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
 të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
 yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
 
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
 të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
 acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
 akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
 net e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
 vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
 lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
 bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
 bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
 bekojeni Zotin, *
 të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
 bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
 lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
 shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
 
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
 shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
 lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
 ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
 i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
 Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
 
Ant. 2 Martirët e Zotit, bekojeni Zotin!
 
Ant. 3 Fitimtari do të jetë si shtylla në tempullin e Hyjit.
 
Psalmi 149 (1-9)
 
Festa e miqve të Zotit
 
 Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
 këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
 bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
 le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
 të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
 le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
 e shpatën dytehëshe në dorë!
 
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
 për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
 princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
 
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
 – ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Fitimtari do të jetë si shtylla në tempullin e Hyjit.
 
 Leximi i shkurtër 2 Kor 1, 3-5
 
 Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne. Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh.
 
 Përgjigjja e shkurtër
 
 C Fuqia ime, * kënga ime është Zoti.
 Fuqia ime, kënga ime është Zoti.
 D Ai është shpëtimi im:
 kënga ime është Zoti.
 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
 Fuqia ime, kënga ime është Zoti.
 
 Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
 
 Ant. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë,
 e ruan për jetën e amshuar.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
 që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
 në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
 me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
 dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
 e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
 se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
 në shenjtëri e drejtësi para tij
 për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
 sepse do të shkosh përpara Zotit
 për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
 se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
 që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
 dhe në hijen e vdekjes, *
 për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Ant. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë,
 e ruan për jetën e amshuar.
 
 Lutjet e besimtarëve
Në bashkim me martirët e shenjtë të vrarë për shkak të Ungjillit, ta kremtojmë dhe ta thërrasim Shëlbuesin tonë, dëshmitarin besnik të Hyjit Atë:
 
 Ti na shëlbove me gjakun tënd, o Zot.
 
Për hir të martirëve të tu, të cilët e përqafuan vdekjen si dëshmi të fesë,
na e jep lirinë e vërtetë të shpirtit.
Për hir të martirëve të tu, që e dëshmuan fenë deri në derdhjen e gjakut,
na e jep një fe të pastër dhe të vërtetë.
Për hir të martirëve të tu, që ecën gjurmëve të tua në udhën e kryqit,
bëj që me qëndresë t’u bëjmë ballë vështirësive të jetës.
Për hir të martirëve të tu, të cilët i lanë petkat e veta në gjakun e Qengjit,
bëj që t’i mposhtim ngashënjimet e mishit dhe të botës.
 
 Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
 Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
 Lutja
 
 Hyji i etërve tanë, ti që e udhëhoqe shenjtën martire Tereza e Bekuar (e Kryqit) ta njihte Birin tënd të kryqëzuar dhe ta ndiqte me besnikëri deri në vdekje, bëj që me ndërmjetësinë e saj, të gjithë njerëzit ta njohin Krishtin Shpëtimtar dhe të arrijnë, nëpërmjet tij, ta kundrojnë në amshim dritën e fytyrës sate. Nëpër Zotin.
 

 Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


 
ORA E MESME
 
E TRETË – E GJASHTË – E NËNTË
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
 
 Zgjidhni njërën nga tre orët sipas kohës në të cilën luteni.
 
Ora e tretë
 
 Himni
 
 Tash për ne, o Shpirti i Shenjtë,
 me Atin një e me Birin,
 denjohu të ndërhysh i gatshëm
 në kraharorin tonë i shkrirë.
 
 Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
 ta rrëfejnë me të madhe
 me zjarr dashuria të ndizet
 flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
 Na bëj që ta kuptojmë Atin,
 të njohim edhe Birin,
 të dy edhe ty Shpirtin
 të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ant. 1 Në luftën e ashpër,
 Zoti i dha atij (asaj) fitoren,
 sepse më e fortë se gjithçka
 është dashuria e tij.
 
Psalmi 120 /119/ (1-7)
 
 Dëshira për paqe të rrezikuar prej të mbrapshtëve
 
 Ai është Paqja jonë, erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg edhe atyre që ishin afër (Krh. Ef 2, 14. 17. 16).
 
Në ngushticë e thirra në ndihmë Zotin *
 dhe ai më dëgjoi.
 
Më shpëto, o Zot, prej buzëve gënjeshtare, *
 prej gjuhës qëllimisht gënjyese.
 
Vallë, ç’duhet të të jepet *
 ose si të shpaguhesh, o gjuhë qëllimisht gënjyese?
Shigjeta luftëtari të mprehta, *
 të skuqura me gaca pishash!
 
I mjeri unë që rri në Mosok *
 dhe banoj në tendat e Cedarit!
Tepër gjatë jetoi shpirti im me këta *
 që e urrejnë paqen!
 
Unë jam për paqe, por kur flas, *
 ata kërkojnë luftë.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në luftën e ashpër,
 Zoti i dha atij (asaj) fitoren,
 sepse më e fortë se gjithçka
 është dashuria e tij.
 
Ant. 2 I dhe martirit (martires) tënd (sate), o Zot,
 kurorën e të drejtëve dhe një emër të lavdishëm.
 
Psalmi 121 /120/ (1-7)
 
 Rojtari i Izraelit
 
 Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija (Zb 7, 16).
 
Sytë e mi i çoj drejt maleve: *
 prej nga do të më vijë mua ndihma?
Ndihma ime vjen prej Zotit, *
 i cili krijoi qiellin e tokën.
 
S’do te lejojë të të merren këmbët, *
 nuk do të kotet ai që të ruan.
Ja, s’do të kotet as s’do të flejë, *
 ai që e ruan Izraelin.
 
Zoti është rojtari yt, †
 Zoti është hija jote, *
 Zoti është në të djathtën tënde!
 
Dielli nuk do të të bëjë keq ditën, *
 as hëna natën.
Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe, *
 Zoti do ta ruajë jetën tënde.
 
Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua *
 që tani e përgjithmonë e jetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 I dhe martirit (martires) tënd (sate), o Zot,
 kurorën e të drejtëve dhe një emër të lavdishëm.
 
Ant. 3 Kush mbjell në lot,
 do të korrë me gëzim.
 
Psalmi 122 /121/ (1-9)
 
 Përshëndetje Jerusalemit
 
 I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).
 
Seç u gëzova kur më thanë: *
 »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«
Ja, tashmë këmbët tona shkelën *
 në dyert e tua, o Jerusalem!
 
O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *
 thuaj se i tëri një cope të vetme je!
 
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †
 sipas rregullores në Izrael *
 për të kremtuar Emrin e Zotit.
 
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *
 selitë e shtëpisë së Davidit!
 
Lutuni për paqen e Izraelit: *
 »U priftë e mbara atyre që të duan ty!
Mbretëroftë paqja në muret e tua *
 dhe qetësia në pirgjet e tua!«
 
Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *
 do të them: »Paqja me ty!«
Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *
 do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Kush mbjell në lot,
 do të korrë me gëzim.
 
 Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 10-11
 
 Hyji, burimi i çdo hiri, i cili ju grishi në lumturinë e vet të amshuar në Jezu Krishtin, Ai, mbasi të vuani për pak kohë, do t’ju përsosë, do t’ju përforcojë, do t’ju japë fuqi dhe do t’ju bëjë të patrandshëm. Ai sundoftë në shekuj të shekujve. Amen!
 
 D Zoti e veshi me gëzim,
 C i vuri mbi kokë një kurorë të shkëlqyer.
 
 Lutja
 
 Hyji i etërve tanë, ti që e udhëhoqe shenjtën martire Tereza e Bekuar (e Kryqit) ta njihte Birin tënd të kryqëzuar dhe ta ndiqte me besnikëri deri në vdekje, bëj që me ndërmjetësinë e saj, të gjithë njerëzit ta njohin Krishtin Shpëtimtar dhe të arrijnë, nëpërmjet tij, ta kundrojnë në amshim dritën e fytyrës sate. Nëpër Zotin.
 
 Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Ora e gjashtë
 
 Himni
 
 Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
 që sundon të gjitha sendet,
 me ndriçim pajis mëngjesin
 dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
 Shuaji flakët e shamatave,
 flake zjarrin e dëmprurësve,
 jepu trupave shërimin,
 dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
 Bëj, o Atë tërë drejtësi,
 dhe ti Bir baras me Atin,
 bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
 që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Në luftën e ashpër,
 Zoti i dha atij (asaj) fitoren,
 sepse më e fortë se gjithçka
 është dashuria e tij.
 
Psalmi 123 /122/ (1-4)
 
 Shpresa e popullit është në Zotin
 
 Dy të verbër… ia filluan të bërtasin: Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! (Mt 20, 30).
 
Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, *
 drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
 drejt dorës së zotërinjve të vet, †
 porsi sytë e shërbëtores *
 drejt duarve të zonjës së vet,
 
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, *
 derisa të ketë mëshirë për ne.
 
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, *
 sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
 me përqeshje të të ngopurve, *
 me përbuzje të krenarëve.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në luftën e ashpër,
 Zoti i dha atij (asaj) fitoren,
 sepse më e fortë se gjithçka
 është dashuria e tij.
 
Ant. 2 I dhe martirit (martires) tënd (sate), o Zot,
 kurorën e të drejtëve dhe një emër të lavdishëm.
 
Psalmi 124 /123/ (1-8)
 
 Ndihma jonë është në Emër të Zotit
 
 Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb… sepse unë jam me ty! (Vap 18, 9-10).
 
Po të mos kishte qenë Zoti me ne *
 – le ta pohojë ballafaqe Izraeli –
po të mos kishte qenë Zoti me ne, *
 kur njerëzit u ngritën kundër nesh:
 
atëherë do të na kishin përpirë gjallë, *
 kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.
 
Atëherë ujët do të na kishte marrë, *
 rrjedha e përroit do të na kishte marrë,
do të na kishin mbytur *
 valët e ujërave të tërbuara!
 
Qoftë bekuar Zoti
 që s’na dha kafshatë *
 për dhëmbët e tyre!
 
Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku †
 prej gracke të gjuetarëve: *
 laku u këput e ne shpëtuam!
Ndihma jonë është në Emër të Zotit, *
 që krijoi qiellin e Tokën.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 I dhe martirit (martires) tënd (sate), o Zot,
 kurorën e të drejtëve dhe një emër të lavdishëm.
 
Ant. 3 Kush mbjell në lot,
 do të korrë me gëzim.
 
Psalmi 125 /124/ (1-5)
 
Hyji e mbron popullin e vet
 
 Mbarë Izraeli i Hyjit, pastë paqe e mëshirë prej Hyjit! (Gal 6, 16).
 
Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: *
 s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim!
 
Malet e rrethojnë Jerusalemin: †
 edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet *
 qysh tash e për amshim.
 
Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve †
 mbi trashëgimin e të drejtëve *
 që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi.
 
Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë *
 edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë.
 
Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë †
 le t’i zhbijë Zoti bashkë me keqbërësit. *
 Paqja qoftë mbi Izraelin!
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Kush mbjell në lot,
 do të korrë me gëzim.
 
 Leximi i shkurtër Jak 1, 12
 
 Lum ai njeri që pëson tundim, sepse, mbasi t’i qëndrojë provës, do të fitojë kurorën e jetës të premtuar atyre që e duan Hyjin.
 
 D Shpresoj në Zotin dhe nuk kam frikë:
 C kush mund t’më bëj keq?
 
 Lutja
 
 Hyji i etërve tanë, ti që e udhëhoqe shenjtën martire Tereza e Bekuar (e Kryqit) ta njihte Birin tënd të kryqëzuar dhe ta ndiqte me besnikëri deri në vdekje, bëj që me ndërmjetësinë e saj, të gjithë njerëzit ta njohin Krishtin Shpëtimtar dhe të arrijnë, nëpërmjet tij, ta kundrojnë në amshim dritën e fytyrës sate. Nëpër Zotin.
 
 Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Ora e nëntë
 
 Himni
 
 Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
 i patrandur në ty mbahesh,
 kohët e dritës së përditshme
 përcakton me shumë mbarësi.
 
 Dhe gjatë netëve lësho dritën,
 që të mos ndërpritet jeta,
 por çmimi i vdekjes shenjte
 lavdia e përjetshme të jetë.
 
 Bëj, o Atë tërë drejtësi,
 dhe, o Bir, baras me Atin,
 bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
 të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Në luftën e ashpër,
 Zoti i dha atij (asaj) fitoren,
 sepse më e fortë se gjithçka
 është dashuria e tij.
 
Psalmi 126 /125/ (1-6)
 
 Prej Zotit gëzimi ynë, në të mbështetet shpresa jonë
 
 Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).
 
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
 na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
 e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
 
Asohere thuhej ndër paganë: *
 »Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
 e zemrat na u mbushën me gëzim!
 
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
 porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
 deh, le të korrin me gëzim!
 
Në të shkuar ecnin e qanin *
 duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
 duke mbartur dorëzat e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në luftën e ashpër,
 Zoti i dha atij (asaj) fitoren,
 sepse më e fortë se gjithçka
 është dashuria e tij.
 
Ant. 2 I dhe martirit (martires) tënd (sate), o Zot,
 kurorën e të drejtëve dhe një emër të lavdishëm.
 
Psalmi 127 /126/ (1-5)
 
 Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit
 
 Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1 Kor 3, 7. 9).
 
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
 kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
 kot rri zgjuar ai që e ruan.
 
Kot e keni të çoheni para drite *
 dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
 të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
 
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
 fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
 të tillë janë djemtë e rinisë.
 
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
 s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 I dhe martirit (martires) tënd (sate), o Zot,
 kurorën e të drejtëve dhe një emër të lavdishëm.
 
Ant. 3 Kush mbjell në lot,
 do të korrë me gëzim.
 
Psalmi 128 /127/ (1-6)
 
 Paqja e Zotit në familjen që i është besnike
 
 “Zoti të bekoftë prej Sionit” domethënë prej Kishës së tij (Arnobi).
 
Lum njeriu që e druan Zotin, *
 që ecën udhëve të tij!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, *
 i lumi ti, mirë do të kalosh!
 
Gruaja jote: vresht plot fruta *
 në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri *
 përreth tryezës sate!
 
Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin! *
 Të bekoftë Zoti prej Sionit
e pafsh lumturinë e Jerusalemit *
 në të gjitha ditët e jetës sate
 
dhe i pafsh djemtë e djemve të tu! *
 Paqja qoftë mbi Izraelin!
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Kush mbjell në lot,
 do të korrë me gëzim.
 
 Leximi i shkurtër Urt 3, 1-2a. 3b
 
 Shpirtrat e të drejtëve janë në dorën e Hyjit dhe ata s’do t’i prekë asfarë vështirësie e vdekjes. Syve të të marrëve u dukën se vdiqën: kurse ata janë në paqe.
 
 D Kthehen në gëzimin e korrjes,
 C u këndojnë mrekullive të Zotit.
 
 Lutja
 
 Hyji i etërve tanë, ti që e udhëhoqe shenjtën martire Tereza e Bekuar (e Kryqit) ta njihte Birin tënd të kryqëzuar dhe ta ndiqte me besnikëri deri në vdekje, bëj që me ndërmjetësinë e saj, të gjithë njerëzit ta njohin Krishtin Shpëtimtar dhe të arrijnë, nëpërmjet tij, ta kundrojnë në amshim dritën e fytyrës sate. Nëpër Zotin.
 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


 
LUTJET E MBRËMJES
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Himni
 
 Bir i Virgjëreshës dhe krijues i Nënës,
 që zuri Virgjër dhe Virgjër lindi,
 ne këndojmë festën ngadhënjimtare t’virgjërës:
 pranoje kushtin.
 
 Kjo vashë e jotja është dyfish fatlume,
 ndërsa u gëzua shumë që arriti të frenojë ndjenjën
 e brishtë të trupit, prapë me trup përshkoi
 botën e përgjakur.
 
 Prandaj as vdekjen dhe as mike e vdekjes,
 pa u trembur nga të tmerrshmet lloje të torturave,
 duke derdhë gjakun meritoi të ngjitet
 në qiell të shenjtë.
 
 N’fitore t’ saj, o Zot jetëdhënës, mëshirona
 për fajet tona, duke na i shkulur veset,
 edhe për ty ndër shekuj t’ ushtojë himni
 i zemrës s’ pastër. Amen.
 
 Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Nëse ndokush do të vijë pas meje,
 le t’i bjerë mohit vetvetes,
 ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë.
 
Psalmi 116 /114/ (1-9)
 
E dua Zotin sepse e dëgjon *
 zërin e lutjes sime,
sepse mbi mua e priri veshin e vet *
 atë ditë që e thirra në ndihmë.
 
Më kishin rrethuar leqet e vdekjes, *
 më kishin shtrënguar leqet e Nëntokës,
 
më ndrydhën trishtime e dhembje, †
 Emrin e Zotit e thirra në ndihmë: *
 »Deh, o Zot, ma shpëto jetën!«
 
I mirë e i drejtë është Zoti, *
 Hyji ynë është vetë mirësia!
Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve: *
 isha ngushtë e Ai më shpëtoi!
 
Kthehu, shpirti im, në qetësinë tënde, *
 sepse Zoti është bamirësi yt!
 
Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes, †
 sytë e mi prej lotëve, *
 këmbët e mia prej rënies.
 
Do të eci në praninë e Zotit *
 në tokën e të gjallëve.
 
Ant. 1 Nëse ndokush do të vijë pas meje,
 le t’i bjerë mohit vetvetes,
 ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë.
 
Ant. 2 Kush do të më jetë shërbëtor besnik,
 Ati im do ta ngrisë në lavdi.
 
Psalmi 116 /115/ (10-19)
 
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
 »Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
 »Rrenacak është çdo njeri!«
 
Si do t’ia shpërblej Zotit *
 për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
 e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
 në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
 vdekja e shenjtërve të tij.
 
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
 shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
 Ti i këpute hekurat e mi:
 
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
 me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
 në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
 midis teje, o Jerusalem!
 
Ant. 2 Kush do të më jetë shërbëtor besnik,
 Ati im do ta ngrisë në lavdi.
 
Ant. 3 Kush e humb jetën e vet për mua,
 do ta gjejë në amshim.
 
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a
 
Po të falënderojmë, o Zotëri,
 Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
 ty që je, ty që ishe,
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
 dhe e more mbretërimin!
 
Paganët u hidhëruan, †
 por arriti zemërimi yt! *
 Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
 
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
 profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druajnë Emrin tënd *
 – për të vegjël e të mëdhenj.
 
Ja, tani koha e shëlbimit, †
 e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
 dhe e sundimit të Krishtit të tij!
 
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
 që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
 
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit †
 dhe në saje të dëshmisë së vet: *
 nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
 
Prandaj galdo, o qiell, *
 galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
 
Ant. 3 Kush e humb jetën e vet për mua,
 do ta gjejë në amshim.
 
 Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14
 
 Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.
 
 Përgjigjja e shkurtër
 
 C O Hyj, ti na vure në sprovë * dhe na dhé fuqi.
 O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.
 D Ti na sprovove me flakë, sikurse argjendin,
 dhe na dhé fuqi.
 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
 O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.
 
 Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
 
 Ant. Në Mbretërinë e qiellit
 është vendbanimi i shenjtërve,
 pushimi i tyre është amshimi.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
 qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
 ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
 për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
 hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
 i lartësoi të përvuajturit.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
 e të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
 duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
 në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Ant. Në Mbretërinë e qiellit
 është vendbanimi i shenjtërve,
 pushimi i tyre është amshimi.
 
 Lutjet e besimtarëve
 
Në orën në të cilën Krishti, mbreti i martirëve, e dhuroi jetën e vet në darkën e Pashkëve dhe në fli të përgjakur përmbi kryq, le t’i ngritet atij lavdi i Kishës:
 
 Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
 
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Krisht, shkaku dhe shembulli i çdo martirizimi, sepse na deshe deri në fund,
ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i thirre mëkatarët e penduar në shpërblimin e jetës së pasosur,
ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i urdhërove Kishës sate që të kushtonte gjakun e besëlidhjes së re dhe të amshuar, të derdhur për shpërblimin e mëkateve,
ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse në këtë ditë na dhe hirin që të qëndrojmë në fe,
ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse shumë vëllezër e motra i bëre pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse,
ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
 
 Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
 Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
 Lutja
 
 Hyji i etërve tanë, ti që e udhëhoqe shenjtën martire Tereza e Bekuar (e Kryqit) ta njihte Birin tënd të kryqëzuar dhe ta ndiqte me besnikëri deri në vdekje, bëj që me ndërmjetësinë e saj, të gjithë njerëzit ta njohin Krishtin Shpëtimtar dhe të arrijnë, nëpërmjet tij, ta kundrojnë në amshim dritën e fytyrës sate. Nëpër Zotin.
 

 Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


 
PASMBRËMËSORJA
PAS LUTJES SË MBRËMJES II TË SË DIELËS DHE TË KREMTEVE
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Në këtë moment është mirë të mbahet një kohë qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
Puna e pendimit
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!
 
 Himni
 
 Para fundit të dritës,
 ty duam, krijuesi i sendeve,
 me mirësinë e zakontë,
 të na kryesosh në roje.
 
 Ty ëndrofshin zemrat tona,
 në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
 dhe gjithmonë lavdinë tënde
 këndofshin në ag të dritës.
 
 Na jep jetë të shëndetshme,
 ngrohtësinë tonë përtërije,
 mjegullën e zezë të natës
 ta sqarojë drita jote.
 
 Na jep, Atë fuqiplotë,
 me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
 që me ty në amshim
 mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
 O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
 zbulon errësitë e natës,
 e ndriçim drite quhesh
 kur dritë u flet të lumëve.
 
 O Hy i Shenjtë të lutemi
 Ti në këtë natë na ruaj;
 në ty të gjejmë pushimin,
 na i bëj të qeta orët.
 
 Nëse sytë i zë gjumi,
 për ty zemra t’rrijë zgjuar;
 të mbrosh me dorën tënde
 besnikët që të duan.
 
 Shiko, o mbrojtësi ynë,
 na ruaj ndër prita e kurthe,
 sundo shërbëtorët tu
 që me gjak tënd shpërbleve.
 
 O Krisht, mbret shumë i drejtë,
 Ty e Atit iu qoftë lavdia,
 me Shpirtin Ngushëllimtar
 ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit
 dhe do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Psalmi 91 /90/ (1-16)
 
 Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
 
 Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
 do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
 kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
 dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
 do të strehohesh nën fletët e tij,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
 Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
 as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
 as prej shfarosjes që shkreton në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
 dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
 ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
 shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
 dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
 dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
 të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
 
Do të të mbartin para duarsh *
 që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
 do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
 do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
 në vështirësi do të jem me të, *
 do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
 do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
 do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
 Leximi i shkurtër Zb 22, 4-5
 
 Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
 Përgjigjja e shkurtër
 
 C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
 në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
 O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
 na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
 dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
 Kënga e Simonit Lk 2, 29-32
 
 Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
 shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
 që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
 e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
 na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
 dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
 Lutja
 
 Le të ngrihet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, në të cilën e kujtojmë ngjalljen e Zotit: bëj dhe një mbarim të mirë, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Ti, që jeton
 
 Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
 Lutja
 
 Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
 Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
 Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
 dhe një mbarim të mirë.
 C Amen.
 
 Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
 Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
 
 Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend