Liturgjia e Orëve – 16 gusht – e premte, Java XIX gjatë vitit

Written by on July 16, 2024

JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË

 

Java III e Psalterit

 

E premte

 

Ftesa

 

DO Zot, hapi buzët e mia.

CDhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

 Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

 Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t’i këndojmë Zotit, *

 t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje, *

 t’i këndojmë këngë hareje!

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

 Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

 të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

 duart e tija e formuan tokën.

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

 të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

 ne jemi populli i kullosës së tij, *

 grigja që ai ruan.

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

 “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

 kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

 më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

 e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *

 që s’i njeh udhët e mia.’

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

 ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V Hyj, më eja në ndihmë!

P O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P si ka qenë në fillim,

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

 Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

 Himni

 

Ti, Njëni e Trinisë,

 që me pushtet sundon gjithë botën,

 mbaj vesh këngët e lavdeve

 që këndojmë në përgjime.

 

Pse ne nga shtrati ngrihemi

 në kohë të qetë të natës,

 nga ti me ngulm të lypim

 shërimin e të gjitha plagëve.

 

Ku gjithçka që gabuam

 ndër net nga gënjeshtra e djajve,

 atë e shleftë nga qielli

 pushteti i lavdisë sate.

 

Me besë të shpirtit të lusim,

 na mbush me dritën tënde,

 për çka në rrjedhë të ditëve

 të mos ngelim pa asnjë vepër.

 

Bëj, o Atë krejt i shenjti,

 dhe o Bir baras me Atin,

 me Shpirtin Ngushëllimtar,

 sundues për të gjithë shekujt. Amen..

 

 Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

O Krisht, gjendu pranë zemrave,

 dashuri e lartë e të shpërblyerve,

 diko ndër zërat tonë

 vajtim të zjarrtë, të lutemi.

 

Ty, Jezus, krejt i shenjti,

 me fe t’i drejtojmë lutjet,

 shlyej, o Krisht, me vepra,

 të keqen që bëjmë, të lutemi.

 

Me shenjë të Kryqit tënd,

 me trupin tënd hyjnor

 na mbro ne si bij

 të gjithë, kudo, Ty të lusim.

 

O Krisht, mbret i tërë shenjti,

 Ty e Atit ju qoftë lavdia

 me Shpirtin Ngushëllimtar

 ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

 Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim

 dhe duke pritur Hyjin tim.

 

Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37)

 

 Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot

 

 I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).

 

I (2-13)

 

Më shpëto, o Hyj, *

 sepse ujët më arriti deri në fyt!

 

Jam ngulur thellë në baltë, *

 s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:

kam rënë në pellgun e ujërave *

 e valët po më mbulojnë.

 

U këputa duke lëshuar kushtrim, †

 m’u tha krejtësisht gurmazi, *

 m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.

 

Më shumë se flokët e kresë sime *

 janë ata që më urrejnë pa të drejtë.

U forcuan ata që më salvuan,

 armiqtë e mi rrenacakë: *

 çka nuk vodha më duhej të ktheja?

 

O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *

 fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.

 

Mos lejo të skuqen në mua *

 ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,

mos lejo të turpërohen në mua *

 ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!

 

Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *

 marrja ma mbuloi fytyrën,

u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *

 i panjohur për bijtë e nënës sime.

 

Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *

 përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.

E ndëshkova veten me agjërim, *

 por kjo m’u kthye në çnderim;

 

për petk vesha grathoren, *

 përrallë e lodër u bëra për ta.

Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *

 pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim

 dhe duke pritur Hyjin tim.

 

Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer

 e në etje më dhanë të pi uthull.

 

 II (14-22)

 

E pra, unë ty të lutem, o Zot, *

 në kohën e përshtatshme, o Hyj,

më vështro pashë dashurinë tënde, *

 pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!

 

Më nxirr nga lymi të mos humbas, †

 më shpëto prej atyre që më urrejnë, *

 prej ujërave të thella!

 

Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †

 mos lejo të më përpijë thellësia, *

 të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!

 

Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *

 shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *

 sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!

Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *

 për shkak të armiqve të mi, më shpërble.

 

Ti e sheh çnderimin tim, †

 marrjen time e »nderimin« tim: *

 para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.

 

Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †

 prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *

 ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.

 

Në ushqim më qitën vrer *

 e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer

 e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

 III (30-37)

 

Mua të mjerin e të pikëlluarin: *

 më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!

 

Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *

 do ta lartësoj me këngë falënderjeje.

Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *

 më tepër se demi me brirë e me thundra!

 

Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *

 kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *

 s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

 

Le ta lavdërojnë qielli e toka, *

 detet dhe gjithçka lëviz në to.

 

Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †

 Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *

 aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

 

Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *

 në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

DZoti na i mësoftë udhët e veta:

Cdhe ne do t’i ndjekim shtigjet e tija.

 

Leximi i parë

 

Prej librit të Mikesë profet 6, 1-15

 

 Zoti e gjykon popullin e tij

 

Dëgjoni se çfarë thotë Zoti: “Në këmbë! Mbrohu në gjyq përpara Maleve edhe Kodrat le të ta dëgjojnë zërin!”

 Dëgjoni, Male, gjykimin e Zotit, vëni vesh, themelet e tokës, sepse Zoti me popull të vet po gjykohet, Izraelin Ai po e pandeh:

 “Çka të kam bërë, populli im? E me çka ty ta mërzita? Më përgjigj!

 Të nxora nga dheu i Egjiptit, të shpëtova prej shtëpisë së skllavërisë, para teje çova Moisiun, Aronin edhe Marinë!

 Populli im, të bie në mend, të lutem, ç’synoi Balaku, mbreti i Moabit? Ç’gjegje i dha Balaam Beori? Nga Setimi deri në Galgalë për t’i njohur veprat e drejta të Zotit.”

 “Çka kam të denjë t’i kushtoj Zotit kur bie në gjunjë para të Tejetlartit Hyj? T’i kushtoj, vallë, fli shkrumbimi ose viça që e mbushën vitin?

 A thua Zotit do t’i pëlqejnë? mijëra deshësh e përrenj vaji me miliarda? T’i kushtoj, thua, të parëlindurin si shpërblim për fajin tim, frytin e kraharorit tim për mëkat që bëra?”

 “T’është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: s’kërkon tjetër pos të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd!”

 Zëri i Zotit përhapet qytetit ‑ është urti të druhet emri yt ‑ : “Dëgjoni, fis e kuvendi i qytetit!

 A mund ta duroj batin e rremë, efin e zvogëluar, të mallkuarin?

 Mund t’i shfajësoj peshoret e rreme, qeset e peshave mashtruese?

 Plot paudhësi janë të pasurit e qytetit, sa herë flasin, banorët e tij rrejnë gjuhë gënjeshtare kanë në gojën e tyre.

 Prandaj zura të të godas, të të shkretoj për mëkate të tua!

 Do të hash, por nuk do të ngihesh, gjendja jote e mjerë në ty do të mbesë. Do të ndash mbanash, por s’do të shpëtosh gjë, po edhe nëse do të shpëtosh gjë, do t’ia fal shpatës.

 Do të mbjellësh e s’do të korrësh, do të shtrydhësh ullinj e me vaj s’do të lyhesh, do të shtrydhësh rrush e verë s’do pish”.

 

 Përgjigjja Krh. Mik 6, 8; Ps 37 /36/, 3

 

 C T’është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: * Zbatoje drejtësinë, duaje mirësinë, jeto kujdesshëm me Hyjin tënd.

 D Shpreso në Zotin e bëj mirë: kështu do të banosh Tokën e premtuar e do të jetosh në paqe.

 C Zbatoje drejtësinë, duaje mirësinë, jeto kujdesshëm me Hyjin tënd.

 

 Leximi i dytë

 

 Lexim nga “Fjalimi mbi pagëzimin” i shën Pacianit, ipeshkëv

 (Nr. 5-6; PL 13, 1092-1093)

 

 Le të ndjekim jetën e re në Krishtin me anë të Shpirtit

 

 Mëkati i Adamit ishte përçuar në mbarë gjininë njerëzore: “Për këtë arsye, sikurse me anë të një njeriu”, thotë Apostulli, “mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan” (Rom 5, 12) Pra është e nevojshme që edhe drejtësia e Krishtit të përçohet në të gjithë gjininë njerëzore dhe sikurse Adami me mëkatin e tij ka qenë shkak shkatërrimi për mbarë pasardhjen e tij, kështu Krishti do të jetë shkak shëlbimi në sajë të drejtësisë së tij. Mbi këtë gjë ngul këmbë apostulli: “Sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit – të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë. Sikurse dhe mëkati mbretëroi me vdekjen, po ashtu hiri të mbretërojë me drejtësi – për jetën e pasosur” (Rom 5, 19. 21).

 Ndokush ndoshta do të më thotë: Ishte e drejtë që mëkati i Adamit të binte mbi pasardhësit, sepse zbrisni prej tij nga prejardhja. Por a kemi lindur vallë prej Krishtit që të zbresë prej tij shëlbimi në ne? Në të vërtetë gjërat qëndrojnë kështu dhe do ta kuptojmë menjëherë.

 Në kohët e fundit Krishti mori prej Marisë frymën dhe mishin. Ky është mishi që ai ka ardhur për të shpëtuar, të cilin nuk e braktisi në ferr dhe që e bashkoi me shpirtin e tij dhe e bëri të vetin. Kjo është martesa e Zotit, e bërë me një mish të vetëm, që Krishti dhe kisha, sipas atij misteri të madh, të ishin të dy në një mish të vetëm.

 Nga kjo martesë lind populli i krishterë, ndërsa zbret nga lart Shpirti i Zotit. Fara qiellore hyn dhe bashkohet me substancën e shpirtit tonë; vazhdon pastaj të na zhvillojë në gjirin amnor e pra, duke dalë në dritë hyjmë në jetën që na dhurohet nga Krishti.

 Prandaj Apostulli thotë: “Njeriu i parë, Adami – u bë shpirt i gjallë, Adami i fundit – shpirt që jep jetën” (1 Kor 15, 45). Në këtë mënyrë Krishti lind në Kishë me anë të priftërinjve të tij, siç shprehet vetë Apostulli: “Unë ju linda në Jezu Krishtin (1 Kor 4, 15).

 Kështu Krishti, nëpërmjet Shpirtit të Hyjit, me anë të ministerit të meshtarit dhe forcës së fesë, nxjerr në dritë njeriun e ri, të formuar në gjirin e nënës dhe të pranuar në Kishë me lindjen e burimit pagëzimor.

 Duhet pranuar, pra, Krishti, që ai të mund të na rilindë. Këtë e pohon apostulli Gjoni: “Atyre që e pranuan u dhanë zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit” (Gjn 1, 12). Kjo linde nuk mund të ndodhë përveç se me anë të sakramentin të pagëzimit, të krezmimit dhe të meshtarit. Në të vërtetë me pagëzimin lahen mëkatet tona, me krezmimin derdhet në ne Shpirti Shenjt: qoftë njërën, qoftë tjetrën gjë ne e marrim nga goja e meshtarit. Në këtë mënyrë i gjithë njeriu rilind në Krishtin: “Sikurse Krishti u ngjallë në lavdin e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4), domethënë, pasi të kemi braktisur gabimet e jetës së kaluar, me anë të Shpirtit ndjekim një jetë të re, në bazë të shembullit të Krishtit.

 

Përgjigjja Krh. Mik 6, 8; Ps 36, 3

 

C Të është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: * të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd.

D Shpreso në Zotin e bëj mirë; banoje tokën e jeto me fe.

C të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd.

 

 Lutja

 

 O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, prej teje kemi guxim të të thërrasim Atë, përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË

 

Java III e Psalterit

 

E premte

 

Ftesa

 

DO Zot, hapi buzët e mia.

CDhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

 Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

 Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t’i këndojmë Zotit, *

 t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje, *

 t’i këndojmë këngë hareje!

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

 Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

 të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

 duart e tija e formuan tokën.

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

 të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

 ne jemi populli i kullosës së tij, *

 grigja që ai ruan.

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

 “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

 kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

 më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

 e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *

 që s’i njeh udhët e mia.’

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

 ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”

 

 Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:

 e amshuar është dashuria e tij.

 

 

Lavdet e mëngjesit

 

V Hyj, më eja në ndihmë!

P O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P si ka qenë në fillim,

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

 Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

 Himni

 

Lavdia e amshuar e Qiellit,

 fatbardha shpresë e vdekatarëve,

 i Vetmi Bir i Prindit t’Epër,

 pinjoll i së pastrës Virgjër,

 

të djathtën shtrijua të lindurve,

 dhe mendja e urtë të ngrihet

 e zjarrtë dhe në lavd të Hyjit

 shpërbleftë falënderje të duhura.

 

Shkëlqen Ylli i dritës

 dhe lajmëron vetë ndriçimin,

 bie errësira e netëve,

 të na shndrisë drita hyjnore.

 

Gjithnjë shqisave tona

 t’ua zbojë natën e shekullit,

 të gjithëve në fund të kohëve

 t’ua ruajë zemrat e pastra.

 

Më së pari feja e zgjedhur

 të ngulë rrënjë me ide të larta,

 me të bashkë gëzoftë shpresa:

 më e madhe atëherë duket dashuria.

 

O Krisht, mbret tërë i drejti,

 Ty e Atit ju qoftë lavdia

 me Shpirtin Ngushëllimtar,

 ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

 Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Kundër teje mëkatuam, ki mëshirë për ne, o Zot!

 

Psalmi 51 /50/ (3-21)

 

Ki mëshirë për mua, o Zot

 

 Përtërihuni në shpirtin e mendjes suaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).

 

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *

 pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

 

Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *

 e më pastro prej fajit tim!

Sepse e pranoj paudhësinë time: *

 mëkatin tim përherë e kam para sysh.

 

Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *

 dhe kam bërë ç’është keq para teje,

prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *

 dhe i paanshëm në dënimin tënd.

 

Ja, mëkatar unë leva, *

 madje në mëkate nëna ime më ngjizi,

por ti që e do çiltërinë e zemrës, *

 m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.

 

Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *

 më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.

Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *

 dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.

 

Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *

 e resiti të gjitha fajet e mia.

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *

 përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

 

Mos më flak larg fytyrës sate, *

 mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *

 dhe më forco me shpirt të gatshëm.

 

E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *

 e fajtorët do të kthehen te ti.

Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *

 dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.

 

Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *

 dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *

 e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.

Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *

 ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!

 

Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *

 ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.

 

Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, *

 flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet.

atëherë do të mund të kushtohen *

 mëzetër mbi lterin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kundër teje mëkatuam, ki mëshirë për ne, o Zot!

 

Ant. 2 E pranojmë, o Zot, fajin tonë:

 kundër teje mëkatuam.

 

Kënga Jer 14, 17-21

 

 Ankesat e popullit në kohën e urisë dhe të luftës

 

 Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit (Mk 1, 15).

 

Le të derdhin lot sytë e mi *

 natë e ditë e të mos pushojnë,

 

sepse me ndrydhje të rëndë u ndrydh

 virgjëra, bija e popullit tim, *

 me plagë të rëndë, të pashërueshme!

 

Nëse dal në fushë, ja, të grirë prej shpatës, *

 e nëse hyj brenda në qytet,

 asht e lëkurë të bërë prej urisë:

 

profet e prift enden nëpër vend *

 e më asgjë nuk marrin vesh.

 

Po a njëmend krejtësisht e përbuze Judën? *

 Po a aq fort t’u neverit Sioni?

Përse ne aq na godite, *

 sa të mos kemi shpresë shërimi?

 

Prisnim paqen, por të mirë s’ka, *

 kohë shërimi dhe, ja, tmerri!

 

E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë,

 mbrapshtinë e etërve tanë: *

 po, mëkatuam kundër teje!

 

Mos na dëbo, pash Emrin tënd,

 mos e turpëro fronin e lavdisë sate! *

 Të bie ndër mend e mos e prish

Besëlidhjen tënde me ne!

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E pranojmë, o Zot, fajin tonë:

 kundër teje mëkatuam.

 

Ant. 3 Zoti është Hyji ynë;

 ne jemi populli që ai e udhëheq.

 

Psalmi 100 /99/ (2-5)

 

Gëzimi i atyre që hyjnë në tempull

 

 Kur psalmi që vijon lutet në Ftesë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/, (fq 499).

 

 Zoti bën që të shëlbuarit ta këndojnë këngën e fitores (Shën Atanazi).

 

Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, †

 shërbeni Zotit me hare, *

 dilni para tij me brohoritje!

 

Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj: †

 Ai na krijoi e atij i përkasim: *

 jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.

 

Hyni nëpër dyert e tij duke i dhënë lavd, †

 hyni në treme të tij e këndoni himne, *

 lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!

 

Sepse i mirë është Zoti, †

 e amshuar dashuria e tij, *

 nga breznia në brezni besnikëria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti është Hyji ynë;

 ne jemi populli që ai e udhëheq.

 

 Leximi i shkurtër 2 Kor 12, 9b-10

 

 Me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit. Prandaj kënaqemnë ligështi,në sharje,në vështirësi,në salvime e ngushticaqë më bëhen për shkak të Krishtit!Sepse, kur jam i ligshtë ‑ atëherë jam i fortë.

 

 Përgjigjja e shkurtër

 

CNë mëngjes, o Hyj,

 * bëj që ta njohim dashurinë tënde.

 Në mëngjes, o Hyj, bëj që ta njohim dashurinë tënde.

DNa mëso udhën që duhet të ndjekim,

 bëj që ta njohim dashurinë tënde.

 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

 Në mëngjes, o Hyj, bëj që ta njohim dashurinë tënde.

 

 Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

 Ant. Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

 që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

 në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

 me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

 dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

 e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

 se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

 në shenjtëri e drejtësi para tij

 për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

 sepse do të shkosh përpara Zotit

 për t’ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

 se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

 që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

 dhe në hijen e vdekjes, *

 për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

 Ant. Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

 Lutjet e besimtarëve

 

Ta drejtojmë shikimin tonë drejt Krishtit, që lindi, vdiq dhe u ringjall për shëlbimin tonë. Ta thërrasim me besim:

 

 Shëlboje popullin tënd, o Zot.

 

Bekuar qofsh, o Krisht shpëtimtar i njerëzimit, që nuk u largove nga mundimet e kryqit:

dhe me gjakun tënd të çmuar na shpërbleve.

Ti u ke premtuar lumenj uji të gjallë atyre që besojnë në ty:

dërgoje Shpirtin tënd në të gjithë njerëzit.

Nxënësit i ke dërguar që popujve t’u predikojnë lajmin e gëzueshëm:

bëhu përkrahja dhe ndihma e tyre që ta kumtojnë fitoren e kryqit tënd.

Të sëmurëve dhe të varfërve, të cilët kryqit tënd ia bashkove

jepu fuqi dhe durim.

 

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

 Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

 Lutja

 

 O Hyj, ti u ke përgatitur të mira të panumërta atyre që të duan, ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, t’i arrijmë të mirat e premtuara që tejkalojnë çdo dëshirë. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË

 

Java III e Psalterit

 

E premte

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V Hyj, më eja në ndihmë!

P O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P si ka qenë në fillim,

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

 Himni

 

Tash për ne, o Shpirti i Shenjtë,

 me Atin një e me Birin,

 denjohu të ndërhysh i gatshëm

 në kraharorin tonë i shkrirë.

 

Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

 ta rrëfejnë me të madhe

 me zjarr dashuria të ndizet

 flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

Na bëj që ta kuptojmë Atin,

 të njohim edhe Birin,

 të dy edhe ty Shpirtin

 të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

 Himni

 

Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

 që sundon të gjitha sendet,

 me ndriçim pajis mëngjesin

 dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

 Shuaji flakët e shamatave,

 flake zjarrin e dëmprurësve,

 jepu trupave shërimin,

 dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

Bëj, o Atë tërë drejtësi,

 dhe ti Bir baras me Atin,

 bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

 që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

 Himni

 

Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

 i patrandur në ty mbahesh,

 kohët e dritës së përditshme

 përcakton me shumë mbarësi.

 

Dhe gjatë netëve lësho dritën,

 që të mos ndërpritet jeta,

 por çmimi i vdekjes shenjte

 lavdia e përjetshme të jetë.

 

Bëj, o Atë tërë drejtësi,

 dhe, o Bir, baras me Atin,

 bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

 të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

 Në këto Orë nuk bëhet asgjë prej përkujtimoreve të shenjtërve, as nga pjesa Përkatëse as nga Përbashkorja.

 

Ant. 1 E pamë të përbuzur:

 njeri mundimesh, i regjur me vuajtje.

 

Psalmi 22 /21/

 

Vështrimi i të drejtit, të provuar me vuajtje

 

 Jezusi klithi me zë të madh: Eli, Eli! Lema sabakthani? (Mt 27, 46).

 

 I (2-12)

 

O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? *

 Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime!

 

Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, *

 qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim.

 

E, pra, ti je Shenjti *

 që banon në lavditë e Izraelit.

Në ty shpresuan etërit tanë, *

 shpresuan e ti i shpëtove!

 

Ty të thirrën në ndihmë e gjetën shpëtim, *

 në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan!

 

Vërtet unë jam krimb e jo njeri, *

 turpëri e njerëzve, përbuzje e popullit.

Gjithkush më shikon, më përqesh, *

 shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:

»Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, *

 le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!«

 

E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, *

 ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.

Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës, *

 qysh se më mbante nëna , ti je Hyji im.

 

Mos qëndro larg meje †

 sepse rreziku është afër *

 e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 E pamë të përbuzur:

 njeri mundimesh, i regjur me vuajtje.

 

Ant. 2 Petkat e mia ndër vete i ndajnë,

 e mbi petkun tim hedhin short.

 

 II (13-23)

 

Më rrethuan dema të shumtë, *

 mëzetërit e Basanit më qarkuan,

përmnershëm e hapin gojën e vet në mua *

 si luani që shqyen e ulërin.

 

Si uji u derdha, *

 m’u zbërthyen eshtrat,

m’u bë zemra porsi dylli, *

 shkrihet brenda kraharorit tim;

 

porsi tjegull m’u tha qiellza, †

 gjuha më ngjitet për gurmaz: *

 e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes.

 

Më rrethuan qen me shumicë, *

 turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.

M’i shporuan duart e këmbët *

 mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,

 

e këta më këqyrin e nuk m’i ndajnë sytë. †

 Petkat e mia ndër vete i ndajnë *

 e mbi petkun tim qesin short.

 

Por ti, o Zot, mos rri larg meje, *

 fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

Ma shpëto jetën prej shpatës, *

 prej thonjve të qenit të vetmen të mirë që kam!

 

Më shpëto prej gojës së luanit, *

 prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin.

E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, *

 do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Petkat e mia ndër vete i ndajnë,

 e mbi petkun tim hedhin short.

 

Ant. 3 Mbarë popujt e botës do të përkulen para tij.

 

 III (24-32)

 

»Ju që e droni Zotin, lëvdojeni atë, †

 mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë! *

 Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë,

 

sepse nuk e përbuzi as s’e qiti në harresë *

 mjerimin e skamnorit,

nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, *

 por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi.«

 

Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut, *

 ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.

 

Do të hanë skamnorët e do të ngihen, †

 do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë: *

 ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’

 

Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti

 mbarë skajet e tokës, *

 do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.

 

Sepse Zoti është mbret! *

 Ai i sundon kombet!

Atë, vetëm atë do ta adhurojnë *

 të gjithë ata që pushojnë nën dhe,

para tij do të përmbysen *

 të gjithë ata që kthehen në pluhur.

 

Kurse shpirti im për të do të jetojë, *

 në shërbim të tij do të jetë fara ime,

 

breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, †

 për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: *

 »Kështu bëri Zoti!«

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Mbarë popujt e botës do të përkulen para tij.

 

 Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese

 

Ora e tretë

 

 Leximi i shkurtër Rom 1, 16-17

 

 Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e mandej për grekun. E njëmend në të zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘I drejti do të jetojë prej fesë.’

 

DZemra jonë gëzohet në Hyjin,

Cshpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.

 

 Lutja

 

 O Zot Jezu Krisht, ty në orën e tretë të çuan në mundimet e kryqit për shëlbimin e mbarë botës, në mirësinë tënde fali mëkatet tona të kaluara dhe në të ardhmen na mbro prej së keqes. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

 

Ora e gjashtë

 

 Leximi i shkurtër Rom 3, 21-22a

 

 Tani, pavarësisht nga Ligji, u dëftua vepra shëlbimtare e Hyjit, e dëshmuar prej Ligjit e prej Profetëve, vepra shëlbimtare e Hyjit me anë të fesë në Jezu Krishtin për të gjithë ata që besojnë.

 

DVendimet e Zotit janë të drejta, e gëzojnë zemrën;

Curdhërimi i Zotit është i qartë, i ndriçon sytë.

 

 Lutja

 

 O Zot Jezu Krisht, ti në orën e gjashtë, kur terri e mbulonte botën, qe gozhduar në kryq, fli e pafajshme për shëlbimin tonë, na e dhuro përherë atë dritë, që i udhëheq njerëzit në udhën e jetës së pasosur. Ti që jeton.

 

Ora e nëntë

 

 Leximi i shkurtër Ef 2, 8-9

 

 Me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet.

 

DPërmbi tokë le të njihet udha jote,

Cshëlbimi yt, në mbarë kombet.

 

 Lutja

 

 O Zot Jezu Krisht, ti që cubit të penduar i dhe hir të kalonte prej kryqit në lavdinë e mbretërisë sate, pranoje rrëfimin e përvuajtur të mëkateve tona dhe në çastin e vdekjes na e hap edhe neve derën e jetës së pasosur. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË

 

Java III e Psalterit

 

E premte

 

Mbrëmësorja

 

V Hyj, më eja në ndihmë!

P O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P si ka qenë në fillim,

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

 Himni

 

O Zot, krijuesi i njeriut,

 që vendos çdo gjë vetëm,

 u jep urdhër të prodhojë dheut,

 zvarranikëve e llojeve t’egra.

 

Që trupa të mëdhenj sendesh

 të gjallë me gojë t’urdhëruesit,

 që t’i shërbejmë me rregull

 ia dhe njeriut me urdhër.

 

Mbaj larg shërbëtorëve të tu

 çdo gjë të papastri,

 ja tu nënshtrohet ligjeve,

 ja të futet në vepra të mira.

 

Jep çmimet e gëzimeve

 jep shpërblimet e hireve,

 zgjidhi prangat e grindjes,

 forco lidhjet e paqes.

 

Bëj, o Atë krejt i drejti,

 dhe o Bir baras me Atin,

 me Shpirtin Ngushëllimtar,

 sundues në të gjithë shekujt. Amen.

 

 Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 I madh është Zoti, Hyji ynë, mbi të gjitha hyjnitë.

 

Psalmi 135 /134/ I (1-12)

 

 Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli

 

 Populli që Hyji e fitoi për vete, i shpall veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1 Pjt 2, 9).

 

Lëvdojeni Emrin e Zotit, *

 lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,

që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *

 në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!

 

Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *

 këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!

Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *

 Izraelin për pronën e vet.

 

Unë e di mirë se i madh është Zoti, *

 Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.

 

Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *

 në det e në të gjitha humnerat.

 

Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †

 me vetëtima e prodhon shiun, *

 erën e nxjerr nga vendet e strehimit.

 

Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *

 si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.

Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *

 kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.

 

Shfarosi një numër të madh paganësh, *

 vrau sa mbretër të fortë:

 Sehonin, mbretin e amorrenjve

e Ogun, mbretin e Basanit, *

 i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,

 

e tokën, pronën e tyre, *

 ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 I madh është Zoti, Hyji ynë, mbi të gjitha hyjnitë.

 

Ant. 2 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin,

 këndoji himne Emrit të tij.

 

Psalmi 135 /134/ II (13-21)

 

 Vetëm Zoti është i madh dhe i amshuar

 

 Fjala ishte Hyj… u bë njeri e banoi ndër ne (Krh. Gjn 1, 1. 14).

 

O Zot, Emri yt është i madhërueshëm, *

 kujtimi yt, o Zot, prej breznie në brezni!

 

Zoti e mbron popullin e vet, *

 ka mëshirë për shërbëtorët e vet.

Idhujt e paganëve janë ar e argjend, *

 prodhim i duarve të njerëzve:

e kanë gojën, por nuk flasin, *

 i kanë sytë, por nuk shohin,

 

i kanë veshët, por s’dëgjojnë, *

 as nuk kanë frymë në gojën e tyre.

Porsi ata do të jenë edhe ata që i punuan, *

 të gjithë ata që shpresojnë në ta.

 

Shtëpia e Izraelit, bekoje Zotin, *

 shtëpia e Aronit, bekoje Zotin,

shtëpia e Levit, bekoje Zotin, *

 bekojeni Zotin të gjithë ju, që e druani Zotin!

 

Nga Sioni qoftë bekuar Zoti *

 që banon në Jerusalem. Aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin,

 këndoji himne Emrit të tij.

 

Ant. 3 Mbarë popujt do të vijnë

 e do të të adhurojnë, o Zot.

 

Kënga Krh. Zb 15, 3-4

 

Himn adhurimi dhe lavdi

 

Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †

 o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *

 Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,

 o Mbreti i popujve!

 

Kush të mos të druajë ty, o Zot, †

 dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *

 Ti i vetmi je Shenjti!

 

Të gjitha kombet do të vijnë †

 dhe do të adhurojnë para Teje, *

 sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Mbarë popujt do të të vijnë

 e do të adhurojnë, o Zot.

 

 Leximi i shkurtër Jak 1, 2-4

 

 Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t’ju ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie, duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë. Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.

 

 Përgjigjja e shkurtër

 

CKrishti na do, * ai na liroi me gjakun e vet.

 Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.

DBëri prej nesh një mbretëri,

 dhe meshtarë për Hyjin tonë,

 ai na liroi me gjakun e vet.

 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

 Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.

 

 Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

 Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet

 duke sjellë ndër mend mëshirën.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

 qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

 ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

 për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

 hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

 i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

 e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

 duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

 Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet

 duke sjellë ndër mend mëshirën.

 

 Lutjet e besimtarëve

 

T’ia drejtojmë lutjen tonë Krishtit, të cilin Ati për mëkatet tona e dorëzoi dhe për shfajësimin tonë e ringjalli. T’i brohorasim:

 

 Ki mëshirë, o Krisht, ndaj popullit tënd!

 

Dëgjoje, o Krisht, lutjen që ta drejtojmë dhe na i fal mëkatet:

na jep falje dhe paqe.

Përmes apostullit ke thënë: “Ku është shumëzuar mëkati, fort dhe bollshëm mbizotëron hiri”:

na i fal neve të gjitha mëkatet.

Shumë kemi mëkatuar, o Krisht, por hirin tënd të pafund e dëshirojmë:

na kthe dhe do të shëlbohemi.

Shpëtoje, o Krisht, popullin tënd prej mosbesimit:

bëj që të pëlqejë ty në gjithçka.

Derën e parrizit ia ke hapur cubit, i cili të ka pranuar për shpëtimtar:

mos ua mbyll derën e parajsës të vdekurve tanë të dashur.

 

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

 Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

 Lutja

 

 O Hyj, ti na jep shëlbimin dhe na e dhuro bijësinë në shpirt; shiko me mirësi mbi bijtë e dashurisë sate, të cilët besojnë në Krishtin, e na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË

 

Pasmbrëmësorja

 

E premte

 

V Hyj, më eja në ndihmë!

P O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P si ka qenë në fillim,

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

 Në këtë moment është mirë të mbahet një kohë qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.

 

Puna e pendimit

 

O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!

 

 Himni

 

 Para fundit të dritës,

 ty duam, krijuesi i sendeve,

 me mirësinë e zakontë,

 të na kryesosh në roje.

 

 Ty ëndrofshin zemrat tona,

 në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,

 dhe gjithmonë lavdinë tënde

 këndofshin në ag të dritës.

 

 Na jep jetë të shëndetshme,

 ngrohtësinë tonë përtërije,

 mjegullën e zezë të natës

 ta sqarojë drita jote.

 

 Na jep, Atë fuqiplotë,

 me anë t’Hyjit Jezu Krisht,

 që me ty në amshim

 mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.

 

 Ose:

 

 O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë

 zbulon errësitë e natës,

 e ndriçim drite quhesh

 kur dritë u flet të lumëve.

 

 O Hy i Shenjtë të lutemi

 Ti në këtë natë na ruaj;

 në ty të gjejmë pushimin,

 na i bëj të qeta orët.

 

 Nëse sytë i zë gjumi,

 për ty zemra t’rrijë zgjuar;

 të mbrosh me dorën tënde

 besnikët që të duan.

 

 Shiko, o mbrojtësi ynë,

 na ruaj ndër prita e kurthe,

 sundo shërbëtorët tu

 që me gjak tënd shpërbleve.

 

 O Krisht, mbret shumë i drejtë,

 Ty e Atit iu qoftë lavdia,

 me Shpirtin Ngushëllimtar

 ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.

 

Psalmi 88 /87/ (2-19)

 

Lutja e një njeriu të sëmurë rëndë

 

 Kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).

 

O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *

 ditë e natë hedh kushtrim para teje.

Le të mbërrijë te ti urata ime, *

 vëru vesh dënesave të mia.

 

Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *

 jeta ime është në grykën e varrit;

po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *

 jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:

 

i lirë si ata që vdiqën, *

 porsi të vrarët që pushojnë në varre,

të cilët ti më nuk i kujton, *

 që janë shkëputur nga dora jote.

 

Më plandose në shpellë pa fund, *

 në errësirë e në hijen e vdekjes.

Felgrimi yt rëndon mbi mua, *

 valët e tua i hodhe mbi mua.

 

Prej meje i largove të njohurit e mi, *

 për ta më bëre të jem i neveritshëm,

jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *

 prej mjerimit sytë e mi po shteren.

 

Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *

 duart e mia drejt teje i shtrij.

Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *

 A thua hijet ngrihen për të lëvduar?

 

Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *

 për besën tënde në vendin e shkatërrimit?

Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *

 në vend të harresës drejtësia jote?

 

E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *

 urata ime në mëngjes mbërrin para teje.

Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *

 Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?

 

I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *

 më këputi barra e tmerrimeve të tua.

Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *

 përdhe më shtruan provat e tua!

 

Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *

 grumbullohen mbi mua njëherësh.

M’i largove mik e të afërm, *

 bëj shoqëri veç me errësirën.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.

 

 Leximi i shkurtër Jer 14, 9

 

 Mes nesh je ti, o Zot, emri yt u thirr mbi ne, deh, ti dore mos na lësho, o Zot, Hyji ynë.

 

 Përgjigjja e shkurtër

 

CO Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

 O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

DO Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:

 në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

 O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

 

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;

 na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin

 dhe të gjejmë prehje në paqe.

 

 Kënga e Simonit Lk 2, 29-32

 

 Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.

 

Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *

 shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,

 

sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *

 që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:

 

Dritën që bën të njohin Ty paganët *

 e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;

 na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin

 dhe të gjejmë prehje në paqe.

 

 Lutja

 

 Bëj, o Atë, që të bashkohemi në fe me vdekjen dhe varrosjen e Birit tënd, që të ringjallemi bashkë me të në jetën e re. Nëpër Zotin

 

 Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht

 

Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë

 dhe një mbarim të mirë.

CAmen.

 

 Antifona drejtuar Virgjrës Mari

 

 Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.

 

 Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend