Liturgjia e Orëve – 12 gusht – e hënë, Java XIX gjatë vitit
Written by RadioMariaAlb on July 12, 2024
JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Java III e Psalterit
E hënë
Ftesa
DO Zot, hapi buzët e mia.
CDhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
t’i këndojmë këngë hareje!
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Shërbesa e leximeve
V Hyj, më eja në ndihmë!
P O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.
Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,
braktisur shtratin, ngrihemi:
Neve, Atë, që ty të thërrasim
na u gjend pranë të lutemi.
Të parin ty këndoftë goja,
ty të lakmoftë afshi i zemrës,
ti, o i shenjtë, të jesh burimi
për ndjekësit e tu ndër vepra.
Terri t’ia lëshojë vendin dritës,
dhe nata yllit të ditës,
fajin që e sjell nata
ta zbusë dhurata e dritës.
Po ne lutësit të lypim
na i fal të gjitha fajet,
nga gojët që ty të këndojnë
n’amshim të lavdërohesh.
Na ruaj, Atë mëshirëploti
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.
Hyjni, drita e amshueshme,
në Trini e njësuar,
Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,
Ty nxehtësisht të lutemi.
Besojmë Prindin e epërm,
dhe të vetmin Bir të Atit,
dhe Shpirtin që i bashkon
lidhjet e dashurisë.
O dashuri, o e vërteta,
o qëllimi dhe mirësia,
bëj të shpresojmë, të besojmë,
na bëj të duam t’arrijmë.
Ti je mbarimi e nisja,
burimi i të gjitha sendeve,
ti vetëm je ngushëllimi,
shpresa e sigurt e besimtarëve.
Vetëm ti i bën të tëra,
veç ti u mjafton të gjithëve,
për të gjithë je drita e vetme
dhe çmimi i shpresëtarëve.
Lusim Krishtin dhe Atin,
e Krishtit e t’Atit Shpirtin;
Trini, fuqia e vetme
për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Hyji ynë po vjen,
nuk fshihet dhe nuk hesht.
Psalmi 50 /49/
Kulti që i pëlqen Zotit
Krishti nuk erdhi për ta asgjësuar Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta asgjësuar Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
I (1-6)
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
Hyji ndriçon!
Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †
para i shkon zjarri që përpin, *
përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
E thërret qiellin prej së larti *
edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
sepse Hyji është gjykatës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Hyji ynë po vjen,
nuk fshihet dhe nuk hesht.
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.
II (7-15)
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
unë Hyji jam, Hyji yt!
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
as cjap prej tufave të tua.
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
e pi gjak cjepsh?
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e tramvajit: *
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.
Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore:
jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.
III (16-23)
Mëkatarit Hyji i thotë: †
»Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
kur ti e urren disiplinën, *
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
Gojën tënde e përdor për fitme, *
gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
çnderon djalin e nënës sate.
Kështu veprove e unë heshta. †
A mendon ti se unë jam si ti? *
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
mëkatet e tua.«
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
mos me bëni t’ju fut në thonj *
se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
atij që ecën udhës së drejtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore:
jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.
DDëgjo, o populli im, dëshiroj të flas:
Cunë jam Hyj, Hyji yt.
Leximi i parë
Prej librit të Ozesë profet 14, 2-10
Ftesa në kthim. Premtimi i shpëtimit
Kështu thotë Zoti: “Kthehu, o Izrael, te Zoti, Hyji yt, faji yt që more në thua!
Bëni gati fjalët e uratës edhe kthehuni kah Zoti e thoni: ‘Na shlyej fajet, prano të mirën që mund të bëjmë e do të kushtojmë frytin e buzëve tona.
Asyria s’do të na shpëtojë, kalit në shpinë nuk do t’i hipim as s’do t’i thërrasim më ‘Hyjnitë tona!’ veprat e duarve tona, sepse në ty bonjaku e gjen mëshirën.’
“Do t’ua shëroj pabesnikërinë, do t’i dua me bujari, sepse m’u largua zemërimi prej tyre. Vesë do të jem për Izraelin, porsi lili do të lulëzojë, si cedri në Liban do të lëshojë rrënjët.
Hapët e drejtë do t’i shtrijë gemat, bukurinë do të ketë të ullirit, era e tij erë e Libanit.
Do të vijnë të rrinë nën hijen time, do të bëjnë të përparojë gruri, porsi vreshti do të ngallisë verë të përmendur si vera e Libanit.
Efraimi ç’ka më me idhuj të përbashkët? Unë e vështroj e kujdesem për të. Unë si bredhi gjithmonë i blertë: prej meje të vjen fryti yt!”
Kush është i urtë, t’i marrë vesh këto. Kush është i mençur, do t’i dijë këto! Të drejta janë rrugët e Zotit e të drejtët nëpër to ecin, ndërsa të këqijtë në to marrin në thua”.
Përgjigjja Krh. Oz 14, 5; Jl 4, 21
C Do t’ua shëroj pabesnikërinë, do t’i dua me bujari, * m’u largua zemërimi prej tyre.
D Gjakun e tyre do ta marr, s’do ta lë hupës t’u shkojë, në Sion Zoti do të banojë.
C M’u largua zemërimi prej tyre.
Leximi i dytë
Lexim nga “Traktati mbi mishërimin e Zotit” i Teodoretit, ipeshkëv i Çiros
(Nr. 26-27; PG 75, 1466-1467)
Unë do t ‘i çliroj nga ankthet e tyre
Jezusi vrapon vetvetishëm drejt atyre vuajtjeve që qenë parathënë për të; ai ua kishte paralajmëruar shpesh nxënësve të vet, madje edhe kishte qortuar Pjetrin që nuk e kishte pritur mirë lajmërimin e këtyre gjërave dhe kishte treguar se shëlbimi i botës realizohej nëpërmjet tyre. Prandaj ofroi vetveten për ata që vinin për ta marrë: unë jam ai që po kërkoni (krh. Gjn 18, 5).
Ai, kur e paditen nuk u përgjigj, edhe pse mund të fshihej, nuk deshi ta bënte, edhe pse disa herë në rrethana të tjera qe larguar kur i kishin vënë prita. Ndër të tjera qau mbi Jerusalemin që me mosbesimin e tij po i përgatiste vdekjen dhe dënoi me shkatërrim të plotë tempullin, edhe pse ishte shumë i famshëm. Pati durim kur e godiste në kokë një njeri që ishte servil i dyfishtë. E rrahën me shputa, e pështynë, e fyen, e torturuan, e rrahën me kamxhik dhe në fund e kryqëzuan. Pranoi si shokë vuajtjeje vjedhës nga njëra anë dhe nga tjetra dhe u quajt i barabartë me vrasësit dhe kriminel. Mori uthull dhe tëmth nga një hardhi e ligë dhe u kurorëzua me ferra në vend të shermendeve të hardhive dhe vileve të rrushit. I veshur me një pëlhurë të purpurt u bë mbret për tallje dhe u rrah me një kallam. Kraharori i tij u shporua me heshtë. E në fund e vendosen një varr.
Gjithë këto gjëra deshi t’i pranonte për shëlbimin tonë. Meqë ata që kishin pranuar të zotëroheshin prej mëkatit iu ishin nënshtruar ndëshkimeve të mëkatit, ai, i pastër për vete prej çdo mëkati, pasi përshkoi udhën e drejtësisë, iu nënshtrua dënimit të mëkatarëve, duke shkatërruar me kryqin e vet dekretin e mallkimit të vjetër. “Krishti”,na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit, duke u bërë Ai vetë Mallkim – sepse rri shkruan: “I mallkuar është gjithashtu varet në kryq” (Gal 3,13; krh. Lp 21,23) dhe me kurorën e ferrave u ka vënë fundin ndëshkimeve të Adamit, atyre ndëshkimeve lajmërimin e të cilëve kishte dëgjuar pas mëkatit: qoftë mallkuar toka për shkakun tënd: ferra dhe kallinj do të prodhojë për ty (krh. Zan 3, 17-18). Me tëmth ai mblodhi në vetvete hidhërimet dhe ndëshkimet e jetës së vdekshme dhe vuajtjet e njerëzve. Me uthullën mori mbi vete fajin e mbrapshtimit të njerëzve dhe u bëri atyre gati kthimin në kushte më të mira. Me purpurin simbolizoi mbretërinë, me kallamin simbolizoi dobësinë dhe shkatërrueshmërinë e pushtetit të djallit, me shuplakën shfaqi çlirimin tonë, gjithnjë duke marrë mbi vete ndëshkimet, korrigjimet dhe rrahjet që na duheshin bërë neve. Porse nga kraharori i hapur nuk zuri fill, sikurse ndodhi me Adamin, gruaja që me mëkatin e saj prodhoi vdekjen, por gurroi burimi i jetës që gjallëron botën me dy rrëkeza. Njëra na ripërtërin me pagëzimin dhe na jep një jetë të pavdekshme. Tjetra shërben për të na ushqyer pas lindjes sonë, dhe pikërisht në tryezën hyjnore, si qumështi që ushqen dhe rrit fëmijët.
Përgjigjja
C Ai është shporuar për fajet tona; dënimi që ne na jep shëlbimin ka rënë mbi të. * Prej plagëve të tij ne jemi shëruar.
D Ai i mori mëkatet tona mbi trupin e vet në drurin e kryqit, që, të vdekur për mëkatin, të jetonim për drejtësinë.
C Prej plagëve të tij ne jemi shëruar.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, prej teje kemi guxim të të thërrasim Atë, përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Java III e Psalterit
E hënë
Ftesa
DO Zot, hapi buzët e mia.
CDhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
t’i këndojmë këngë hareje!
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
para fytyrës së tij.
Lavdet e mëngjesit
V Hyj, më eja në ndihmë!
P O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Hiri i lavdisë atërore,
që nxjerr dritën nga drita,
dritë drite e gurrë ndriçimi,
ditë që i jep ndriçim ditës.
Diell i vërtetë, paprerë
zbrit me ndriçim shkëlqyes,
dhe zbraz ndër shqisat tona
dritën e Shpirtit Shenjt.
Atit me kushte i lutemi,
Atit të lavdisë s’amshuar,
Atit që jep hir të fuqishëm,
të shporrë fajet e rreme.
Të bëjë veprime të shkathta,
t’ia çmprehë dhëmbin smirëziut,
të përkrahë në raste të vështira
t’i japë për të kryer ndere.
Të drejtojë mendje e të sillet
me trup besnik të pastër;
të shkëlqejë me ngrohtësi feja,
të mos njohë helme mashtrimi.
Ushqimi ynë të jetë Krishti,
dhe pija jonë të jetë Feja;
të gëzueshëm të pimë t’urtën
dehje të Shpirtit Shenjt.
Kjo ditë të kalojë e këndshme;
si ag drite qoftë
pastria të jetë si agimi, feja si mesi i ditës,
errësirë të mos dijë mendja.
Agimi udhëheq udhëtimet:
Agimi të priftë përpara,
në Atin i tërë Biri,
dhe Ati i tërë në Fjalën. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Lum ai që banon në Shtëpinë tënde, o Zot!
Psalmi 84 /83/ (2-13)
Dëshira për tempullin e Zotit
Nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin (Heb 13, 14).
Sa të dashura janë banesat e tua, *
o Zoti i Rruzullimit!
Shpirti im shkrihet e meket *
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im *
i brohoritin Hyjit të gjallë.
Edhe trumcaku e gjen bunin e vet *
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive, *
Mbreti im e Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: *
do të të lavdërojnë për amshim.
Lum ai që në ty gjen forcën *
dhe vendos për shtegtim të shenjtë.
Kur kalojnë nëpër luginën e thatë †
e shndërrojnë në burim uji të gjallë, *
sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.
Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë *
derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.
O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo uratën time, *
më vështro, o Hyji i Jakobit.
Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, *
shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!
Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde *
se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, *
më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.
Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, *
ai dhuron hirin e nderin.
Zoti nuk ua mohon të mirat *
atyre që jetojnë të pafajshëm.
O Zot Sabaot, *
lum njeriu që shpreson në ty!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Lum ai që banon në Shtëpinë tënde, o Zot!
Ant. 2 Ejani të ngjitemi në malin e Zotit!
Kënga Is 2, 2-5
Qyteti i ri i Hyjit, qendra e mbarë njerëzimit
Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të përmbysen para Teje (Zb 15, 4).
Do të ndodhë në kohën e ardhshme: †
mali i Shtëpisë së Zotit *
do të vendoset mbi majën e maleve,
e do të ngallitë përmbi kreshta *
dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.
Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë: †
»Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, *
në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit
që të na i mësojë udhët e tija *
e të ecim shtigjeve të tija,«
sepse nga Sioni do të dalë Ligji *
dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.
Ai do të jetë gjykatësi i popujve *
dhe do t’i gjykojë fiset e shumta,
shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë *
e heshtat në drapërinj.
Një popull nuk do të ngritë shpatën
kundër një populli tjetër *
dhe më s’do të ushtrohen për luftë.
Eja, o shtëpia e Jakobit, *
të ecim në dritën e Zotit!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ejani të ngjitemi në malin e Zotit!
Ant. 3 Këndoni Zotit dhe bekojeni Emrin e tij.
Psalmi 96 /95/ (1-13)
Zoti mbret dhe gjykatës i gjithësisë
Këndonin një këngë të re para fronit të Qengjit (Krh. Zb 14, 3).
Këndoni Zotit një këngë të re! *
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij, *
shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, *
ndër mbarë popujt mrekullitë e tij!
Sepse i madh është Zoti,
– tejet i denjë për t’u lavdëruar, *
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve, *
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
Para tij është shkëlqimi e lavdia, *
në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria!
Jepni Zotit, familjet e popujve, †
jepni Zotit nder e fuqi, *
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij, *
adhuroni Zotin në stoli të shenjtë!
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! *
Shpallni ndër paganë: »Mbret është Zoti!«
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; *
i gjykon popujt me drejtësi.
Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! †
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, †
para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, *
sepse po vjen për të gjykuar tokën!
Do ta gjykojë botën me drejtësi, *
do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Këndoni Zotit dhe bekojeni Emrin e tij.
Leximi i shkurtër Jak 2, 12-13
Flitni e veproni si ata që do të gjykohen me ligjin e lirisë! Sepse, gjyqi nuk ka mëshirë për atë që nuk është i mëshirshëm; mëshira ngadhënjen mbi gjyqin.
Përgjigjja e shkurtër
CQë nga fillimi e deri në amshim,
* qoftë bekuar Zoti!
Që nga fillimi e deri në amshim, qoftë bekuar Zoti!
DVetëm ai bëri mrekulli:
qoftë bekuar Zoti!
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Që nga fillimi e deri në amshim, qoftë bekuar Zoti!
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë!
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t’ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë!
Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Zotit, i cili i krijoi njerëzit, që ata së bashku të veprojnë në nder e lavdi të Emrit të tij, dhe përzemërsisht t’i themi:
Bëj, o Zot, që të të lavdërojmë
Bekuar qofsh, Krijues i botës,
— të falënderojmë për të gjitha të mirat dhe për jetën që na jep.
Shikona ne, që nëpërmjet punës së përditshme, marrim pjesë në veprën tënde,
— bëj që të kryejmë gjithçka sipas vullnetit tënd.
Le të jetë puna e ditës së sotme në dobi të vëllezërve tanë,
— që me ta dhe për ta, të ndërtojmë një botë të re që të të pëlqejë ty.
Na jep gëzim dhe paqe,
— neve dhe të gjithë atyre që sot do t’i takojmë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Ndiko në ne, o Zot, Shpirtin e kuptimit dhe të dijes, që me zemër të çiltër të njohim çka të pëlqen ty, dhe ta zbatojmë me përpikëri. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Java III e Psalterit
E hënë
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V Hyj, më eja në ndihmë!
P O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirti i Shenjtë,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Në këto Orë nuk bëhet asgjë prej përkujtimoreve të shenjtërve, as nga pjesa Përkatëse as nga Përbashkorja.
Ant. 1 Ty, o Zot, të kërkoj,
fjala jote është jeta ime.
Psalmi 119 /118/ XII (89-96)
Meditim i fjalës së Zotit në ligj
Po ju jap një urdhër të ri: Doni njëri‑tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, doni edhe ju njëri‑tjetrin! (Gjn 13, 34).
E amshueshme është, o Zot, fjala jote, *
e qëndrueshme porsi qielli.
Brez pas brezi e vërteta jote; *
e themelove Tokën dhe ajo qëndron.
Me urdhrin tënd gjithçka qëndron deri më sot, *
sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
Po të mos ishte Ligji yt kënaqja ime, *
do të kisha mbaruar në mjerimin tim.
Kurrë e për këtë jetë s’do t’i harroj urdhërimet e tua, *
në saje të tyre ti më mban në jetë.
Yti jam: deh, ti më shpëto, *
sepse i kërkoj me zell urdhërimet e tua.
Të mbrapshtët mundohen të më humbasin; *
por unë i kujtoj porositë e tua.
Çdo përsosmërie unë i shoh kufirin: *
por Ligji yt kufi nuk ka.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ty, o Zot, të kërkoj
fjala jote është jeta ime.
Ant. 2 Ti je shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime!
Psalmi 71 /70/
Ti, o Zot, je shpresa ime që prej ditëve të rinisë
Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në uratë të qëndrueshëm! (Rom 12, 12).
I (1-13)
Në ndore tënde, o Zot, *
askurrë mos u turpërofsha.
Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde, *
prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
Ji për mua shkëmb mbrojtjeje, †
kullë e pamposhtur për të më shpëtuar, *
sepse ti je kështjella ime e strehimi im.
Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit, *
prej dorës së derhuzdit e të dinakut.
Sepse ti, o Zot, je shpresa ime, *
shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.
Në ty jam mbështetur qysh prej kraharorit të nënës, †
qysh prej prehrit të nënës ti je mbrojtësi im, *
mburrja ime është gjithmonë në ty.
Për shumë njerëz u bëra çështje habie: *
ti ishe mbrojtësi im i fuqishëm.
Goja ime të lavdëron pa pushim, *
gjithë ditën të madhëron.
Mos më lësho dore në pleqëri, *
kur të më lënë fuqitë, mos hiq dorë prej meje.
Sepse thonë armiqtë e mi për mua, *
e ata që më vërejnë zunë njëzëri të këshillohen:
»Hyji hoqi dorë prej tij, salvojeni, *
bini në të se s’ka kush i del zot.«
O Hyj, mos më rri larg, *
Hyji im, shpejto të më ndihmosh.
Le të turpërohen e le të shuhen
kundërshtarët e shpirtit tim, †
le të mbulohen me marre e me turp *
ata që ma dëshirojnë të keqen.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti je shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime!
Ant. 3 Mos më braktis, o Zot, as në pleqëri!
II (14-24)
E unë gjithmonë do të shpresoj në ty *
e unë do t’i shumoj gjithnjë lavdet e tua.
Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde, †
gjithë ditën shpëtimin tënd: *
që s’di të ketë masë në madhëri.
Do ta shpall pushtetin e Zotit, *
o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.
Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime *
dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.
E tani në pleqëri ngarkuar me vjet, *
o Hyj, mos hiq dorë prej meje,
derisa t’ia shpall pushtetin tënd *
mbarë breznisë që do të vijë.
Pushteti yt e drejtësia jote, o Hyj, †
arrijnë deri në qiell, sepse bëre punë të mrekullueshme! *
O Hyj, e kush është i ngjashëm me ty?!
Sepse ti më çove prova shumë të mëdha, †
por përsëri më kërthndeze në jetë *
e përsëri më ktheve nga thellësia e tokës.
Rrite madhërinë time, *
sillu prej meje e më ngushëllo.
Kështu edhe vetë do të të lavdëroj, †
me harpë do të këndoj, o Hyj, të vërtetën tënde, *
me cetër do të të këndoj ty, o Shenjti i Izraelit!
Do të galdojnë buzët e mia duke të kënduar ty, *
edhe shpirti im që e ke shëlbuar.
Gjuha ime gjithë ditën do të flasë për drejtësinë tënde, †
le të turpërohen e të marrohen *
ata që kërkojnë të keqen për mua.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Mos më braktis, o Zot, as në pleqëri!
Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese
Ora e tretë
Leximi i shkurtër 2 Kor 13, 11
Vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.
DSyri i Zoti është mbi të drejtët,
Cveshi i tij drejt klithmës së tyre.
Lutja
O Hyj, Ati ynë, ti ia besove veprimtarisë njerëzore detyrën që t’i ndjekë arritje gjithmonë të reja, bëj që të marrim pjesë në veprën e krijimit me pranimin bijësor të vullnetit tënd, në shpirt të vëllazërisë së vërtetë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Rom 6, 22
Tani, pasi jeni të liruar nga mëkati e u bëtë shërbëtorët e Hyjit, jepni fryte që ju çojnë në shenjtërim, e si rrjedhim është – jeta e pasosur.
DKthehu, o Hyj, dhe na e jep jetën:
Cdhe populli yt le të gëzohet në ty.
Lutja
O Hyj, ti që je zotëruesi i vreshtit dhe i të korrave, dhe çdonjërit ia jep punën e tij dhe shpërblimin e drejtë, na ndihmo ta mbajmë peshën e ditës sonë duke e pranuar me gëzim vullnetin tënd. Nëpër Krishtin.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Kol 1, 21-22
Ju që dikur ishit të përjashtuar dhe armiq për shkak të veprave tuaja të këqija, tani Hyji ju pajtoi me vete në saje të trupit të vdekshëm të Krishtit ‑ nëpër vdekje ‑ që t’ju qesë para Tij të shenjtë, të drejtë e të patëmetë.
DKëndojini himne Zotit, o besimtarët e tij,
Cle t’ju bjerë ndër mend Emri i tij i shenjtë.
Lutja
O Hyj, ti na thërret ta kremtojmë lavdinë tënde në orën në të cilën apostujt po ngjiteshin në tempull, pranoje lutjen tonë në emër të Birit tënd, dhe jepua shëlbimin tënd të gjithë atyre që e thërrasin në ndihmë. Që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Java III e Psalterit
E hënë
Mbrëmësorja
V Hyj, më eja në ndihmë!
P O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O Autori i madh i qiellit,
që të mos trazojnë të përzierat
ke ndarë rrjedhat e ujit,
dhe cak i vure qiellit.
Me qiellorë forcon vendin,
në një kohë përrenjtë e tokës,
që uji të zbusë flakët,
të mos çajë truallin e tokës.
Zbraz tash, o tejet i shenjti,
dhuntinë e hirit të pashtershëm,
të mos prishë gabimi i vjetër
me raste mashtrimesh të reja.
Besimi ta gjejë dritën,
të sjellë llambën ndriçuese,
të tmerrojë gjithë kotësitë,
mos ta shtypë asnjë gënjeshtër.
Shfaqe, o Atë krejt i shenjtë,
Ti, o Bir, baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
që mbretëron n’amshim. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Sytë tanë i lartësojmë drejt Zotit,
derisa të ketë mëshirë për ne.
Psalmi 123 /122/ (1-4)
Shpresa e popullit është në Zotin
Dy të verbër… ia filluan të bërtasin: Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! (Mt 20, 30).
Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, *
drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
drejt dorës së zotërinjve të vet, †
porsi sytë e shërbëtores *
drejt duarve të zonjës së vet,
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, *
derisa të ketë mëshirë për ne.
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, *
sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
me përqeshje të të ngopurve, *
me përbuzje të krenarëve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Sytë tanë i lartësojmë drejt Zotit,
derisa të ketë mëshirë për ne.
Ant. 2 Ndihma jonë është në Emër të Zotit,
që krijoi qiellin e tokën.
Psalmi 124 /123/ (1-8)
Ndihma jonë është në Emër të Zotit
Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb… sepse unë jam me ty! (Vap 18, 9-10).
Po të mos kishte qenë Zoti me ne *
– le ta pohojë ballafaqe Izraeli –
po të mos kishte qenë Zoti me ne, *
kur njerëzit u ngritën kundër nesh:
atëherë do të na kishin përpirë gjallë, *
kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.
Atëherë ujët do të na kishte marrë, *
rrjedha e përroit do të na kishte marrë,
do të na kishin mbytur *
valët e ujërave të tërbuara!
Qoftë bekuar Zoti
që s’na dha kafshatë *
për dhëmbët e tyre!
Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku †
prej gracke të gjuetarëve: *
laku u këput e ne shpëtuam!
Ndihma jonë është në Emër të Zotit, *
që krijoi qiellin e Tokën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndihma jonë është në Emër të Zotit,
që krijoi qiellin e tokën.
Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin, që të jemi bijtë e tij.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10
Hyji shpëtimtar
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin, që të jemi bijtë e tij.
Leximi i shkurtër Jak 4, 11-12
Mos flitni keq njëri për tjetrin, o vëllezër! Kush flet keq apo gjykon vëllain e vet, ai flet keq për Ligj dhe e gjykon atë. Po e gjykove Ligjin, nuk je zbatues i Ligjit, por gjykues. Vetëm Njëri është Ligjdhënës dhe Gjykues: Ai që mund të shpëtojë dhe të bjerrë. E ti kush je që gjykon të afërmin tënd?
Përgjigjja e shkurtër
CMë shëro, o Zot, * kam mëkatuar kundër teje.
Më shëro, o Zot, kam mëkatuar kundër teje.
DUnë thashë: Hyji im, ki mëshirë për mua,
kam mëkatuar kundër teje.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Më shëro, o Zot, kam mëkatuar kundër teje.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Shpirti im e madhëron Zotin:
Ai shikoi me pëlqim
mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Shpirti im e madhëron Zotin:
Ai shikoi me pëlqim
mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.
Lutjet e besimtarëve
Krishti dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen. Të lutemi që të përmbushet plani i mëshirës së tij:
Tërhiqi të gjithë tek vetja, o Zot.
Bekuar qofsh, o Zot, sepse na lirove nga robërimi i mëkateve me gjakun tënd të paçmueshëm:
— na jep lirinë dhe lavdinë e fëmijëve të Zotit.
Hirin tënd jepja ipeshkvit tonë E. dhe të gjithë ipeshkvijve të Kishës sate:
— që me gëzim dhe qëndrueshmëri t’i kremtojnë misteret e tua.
Të gjithë ata që përpiqen ta njohin të vërtetën:
— bëj që ta gjejnë dhe, kur ta gjejnë, edhe më tepër ta kërkojnë.
O Zot, bëhu mbrojtja e të varfërve, dhe e të braktisurve:
— le ta ndiejnë afërsinë tënde dhe të afrohen edhe më tepër te Ti.
Pranoji vëllezërit tanë të ndjerë në qytetin tënd të shenjtë:
— ku ti, me Atin dhe me Shpirtin Shenjt, do të jesh gjithçka në të gjithë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd dhe falja të gjitha mëkatet, që, çka merituam me anën e mëkateve tona, të na e largojë mëshira jote. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
JAVA E NËNTËMBËDHJETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Pasmbrëmësorja
E hënë
V Hyj, më eja në ndihmë!
P O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Në këtë moment është mirë të mbahet një kohë qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
Puna e pendimit
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!
Himni
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
Ty ëndrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
Ose:
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
na i bëj të qeta orët.
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i fal mëkatet,
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë.
Psalmi 86 /85/ (1-17)
Urata në vështirësi
Qoftë bekuar Hyji… që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
sepse te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
vështroje zërin e lutjes sime.
Në ditë të vështirë klitha te ti *
pse e di se ti më dëgjon.
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
ti je i vetmi Hyj.
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
që të eci sipas drejtësisë sate, *
mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
me gjithë zemrën time, *
për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
e për ty nuk kanë kujdes.
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
jepi fuqi shërbëtorit tënd *
dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i fal mëkatet,
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë.
Leximi i shkurtër 1 Sel 5, 9-10
Hyji nuk na ka caktuar për të qenë ndëshkuar me drejtësinë hakmarrëse të tijën, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, i cili vdiq për ne që – ende të gjallë ose të vdekur – të jetojmë bashkë me Të.
Përgjigjja e shkurtër
CO Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
DO Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe.
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32
Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe.
Lutja
O Zot, ndërsa do të flemë në paqe, bëj të mbijë dhe të rritet deri në korrje fara e Mbretërisë së qiejve, të cilën e kemi hedhur në tokë me punën e kësaj dite. Nëpër Zotin tonë
Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
dhe një mbarim të mirë.
CAmen.
Antifona drejtuar Virgjrës Mari
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.