Liturgjia e Fjalës – 9 gusht – Shën Tereza Benedikta e Kryqit

Written by on July 9, 2024

9 gusht
Shën Tereza Benedikta
(Edit Shtain)
 
Lutja e hyrjes
O Hyj i etërve, na jep urtinë e kryqit, me të cilën e pasurove në mënyrë të mrekullueshme Shën Tereza Benediktën e Kryqit, në çastin e martirizimit, bëj që me ndërmjetësimin e saj të kërkojmë gjithmonë Ty, të Vërtetën Supreme, besnik deri në vdekje ndaj besëlidhjes së amshuar të dashurisë, të vulosur me gjakun e Birit tënd për shëlbimin e botës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin.
 
Leximi I (Hoz 2, 16-17. 21-22)
Do të të bëj fatin tim të përhershëm.
 
Lexim prej librit të Ozesë profet
Kështu thotë Zoti: 6 Vetë do ta josh atë, do ta shpie në shkretëtirë e do t’i flas zemrës së saj. 17 Do t’i kthej vreshtat e saj, do ta shndërroj luginën Akor në derë shprese. Atje ajo do të përgjigjet porsi në ditët e rinisë së vet, porsi në ditët kur pati dalë prej tokës së Egjiptit! 21 Do të të bëj fatin tim të përhershëm, do të të fejoj në drejtësi e në të drejtë, me dhembshuri e dashuri. 22 Do të të fejoj në besnikëri e ti Zotin do ta njohësh!
 
Fjala e Zotit.
Ps (45/44, 11-12. 1-17)
Ja, dhëndri! Dilini përpara!
11 Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babait tënd,
12 atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote.
Ai është zotëria yt, nderoje atë!
 
14 E lavdishme është bija e mbretit përbrenda,
e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.
15 Në petka laralara ia sjellin mbretit,
përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
 
16 Me hare u prijnë e me brohori,
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
17 Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët,
do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.
 
Aleluia
Eja, nusja e Krishtit, merre kurorën, që Zotëria ta përgatiti për jetën e pasosur.
Aleluia.
 
Ungjilli (Mt 25, 1 – 13)
Dhëndri erdhi e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë
Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: 1”Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.
5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’
10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’
13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”
 
Fjala e Zotit.
Lutja mbi dhurata:
O Zot, që solle në plotësinë flijimet e ndryshme të Besëlidhjes së vjetër më një flijim të vetëm të përsosur, që ofroj Biri yt në gjakun e vet, pranoi me mirësi dhe shndërroj dhuratat që po ti paraqesim në Festën e Shën Tereza Benediktës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja pas kungimit
O Atë i mëshirshëm, neve që po e nderojmë Shën Tereza Benediktën, bëj që frytet e pemës së kryqit tu japin forcë zemrave tona, që duke u bashkuar me Krishtin besnikërisht këtu mbi tokë, të kemi mundësi të shijomë frytet e pemës së Jetës në amshim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 
 

Current track

Title

Artist

Send this to a friend