Liturgjia e Fjalës – 4 dhjetor – e mërkurë – Java I e Ardhjes

Written by on November 4, 2024

ARDHJA JAVA I
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes Krh. Ez 34, 11.23-34
 
Do të kujdesem për grigjën time, thotë Zoti;
vetë do t’i zgjedh bariun që do ta kullosë:
e unë, vetë Zoti, do të jem Hyji saj (K.P. aleluja).
 
Ose: Krh. Lk 12, 42
 
Ky është ai mbarështues besnik e i mençur
që Zoti e vuri përmbi familjen e vet
për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit (K.P. aleluja).
 
Kolekta
 
Bëj, po të lutemi, o Zot, të na vijnë në ndihmë lutjet e shën Gjonit meshtar, që feja e vërtetë, të cilën ai aq mirë e mësoi, të na jetë gjithmonë forcë e dritë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 Leximi i parë (Is 25, 6-10) (fq. 1000)
 
 Zoti i fton të gjithë në tryezën e vet dhe nga çdo fytyrë e fshin lotin.
 
 Lexim prej librit të Isaisë profet
 
 Në atë ditë, 6 Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti. 7 Në këtë mal ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt. 8 Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë.
 9 Dhe do të thuhet po atë ditë: »Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, 10 sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!«
 
 Fjala e Zotit
 
 Psalmi 23 (22) (fq. 681)
 
Ref. DO TË ULEMI ME HARE NË TRYEZËN E ZOTIT
 
1 Zoti është bariu im,
 asgjë nuk më mungon.
2 Nëpër fusha të gjelbra, ai më jep pushim,
 më prin në ujëra të qeta,
3shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së emrit të vet.
 
Ref. DO TË ULEMI ME HARE NË TRYEZËN E ZOTIT
 
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’ trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
 
Ref. DO TË ULEMI ME HARE NË TRYEZËN E ZOTIT
 
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
 
Ref. DO TË ULEMI ME HARE NË TRYEZËN E ZOTIT
 
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
 
Ref. DO TË ULEMI ME HARE NË TRYEZËN E ZOTIT
 
 Aleluja!
 Ja po vjen Zoti për të shpëtuar popullin e vet: të lumët ata që janë të përgatitur për ardhjen e tij.
 Aleluja!
 
 Ungjilli (Mt 15, 29-37) (fq. 1405)
 
 Jezusi shëroi shumë të sëmurë dhe i shumëzon bukët.
 
 Leximi i ungjillit të shenjtë sipas Mateut
 
 Në atë kohë, 29 Jezusi ra bregut të detit të Galilesë, u ngjit në një kodër dhe u ul të rrijë atje. 30 Iu afrua turmë e madhe e popullit që sillte me vete të shqepët, të verbër, dorëcungë, memecë e shumë të tjerë. I ulën para tij dhe ai i shëroi. 31 Populli u mrekullua duke parë se si memecët flisnin, dorëcungët u shëruan, të shqepëtit ecnin drejt, të verbrit shihnin dhe i dha lavdi Hyjit të Izraelit.
 32 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes nxënësit e vet e u tha: »Më dhimbset ky popull se, ja, tash tri ditë rri me mua e nuk ka çka të hajë. Nuk dua t’i lëshoj të uritur që të mos paken udhës.
 33 Nxënësit i përgjigjën: »Po ku të gjejmë këtu në shkreti aq bukë sa të ngijmë gjithë këtë popull?«
 34 Jezusi pyeti: »Sa bukë keni?«
 »Shtatë bukë e pak peshq të vegjël« – i përgjigjën ata.
 35 Atëherë i dha urdhër popullit të ulej për tokë. 36 Pastaj mori shtatë bukët dhe peshqit, u falënderua Hyjit,i theu, ua dha nxënësve të vet e nxënësit popullit. 37 Të gjithë hëngrën deri sa u nginë, e me copa që tepruan, çuan plotë shtatë shporta.
 
 Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Shikoji me mirësi, o Zot, dhuratat që sollëm në altar në përkujtimin e shën Gjonit meshtar: për ne e fitofshin faljen e mëkateve dhe emrit tënd i dhënçin nderimin e duhur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I ARDHJES – I
Dy ardhjet e Krishtit
 
33. Ky prefacion thuhet: në Meshët e kohës nga e Diela e parë e Ardhjes deri më 16 dhjetor; në Meshët e tjera që kremtohen në këtë kohë dhe nuk kanë prefacionin e vet.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, me ardhjen e parë në përvujtërinë e natyrës sonë njerëzore,
e çoi në vend premtimin e vjetër
dhe na hapi rrugën e shpëtimit të amshuar,
që, kur të vijë së dyti me lavdinë e madhërisë së vet,
të mund të marrim të mirat e premtuara,
që tani guxojmë t’i shpresojmë duke i pritur me kujdes.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues
dhe me të gjithë aradhen e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit Krh. Gjn 15, 16
 
Ju nuk më zgjodhët mua, thotë Zoti, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt dhe fryti juaj të qëndrojë (K.P. aleluja).
 
Ose: Krh. Lk 12, 36-37
 
Lum shërbëtori që, kur kthehet zotëria e të trokëllit, e gjen zgjuar (K.P. aleluja).
 
Lutja pas kungimit
 
Të përtërirë me misteret e shenjta, me përvujtëri po të lutemi, o Zot, që sipas shembullit të shën Gjonit meshtar, të shpallim çka ai besoi e të zbatojmë me vepra çka ai mësoi. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist