Liturgjia e Fjalës – 30 nëntor – e shtunë – Java XXXIV gjatë vitit

Written by on October 30, 2024

30 nëntor
SHËN ANDREU APOSTULL
Festë
 
Antifona e hyrjes   Krh. Mt 4, 18-19
 
Zotëria i pa në bregun e detit të Galilesë dy vëllezërit Pjetrin e Andreun, e i thirri: Ejani me mua dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.
 
Thuhet Lavdi
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm, po të lutemi me përvujtëri, bëj që shën Andreu apostull sikurse ungjillëzoi dhe e udhëhoqi Kishën tënde, ashtu edhe të mos pushojë së ndërmjetësuari për ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë         (Rom 10, 9-18) (fq. 1600/1)
 
           Besimi vjen nga predikimi, e predikimi është shpallja e fjalës së Krishtit.
 
           Lexim prej Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve
 
Vëllai im, 9 në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh. 10 Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë. 11 Sepse, Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Kush beson në Të nuk do të turpërohet.’
12 Kështu, pra, nuk ka dallim mes hebreut e grekut: të gjithë kanë vetëm një Zot, të pasur kundrejt atyre që e thërrasin në ndihmë. 13 Sepse: ‘Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’
14 Por, si do ta thërrasin Atë, në të cilin nuk besuan? E si do të besojnë në Atë, për të cilin nuk dëgjuan? Si do të dëgjojnë, nëse ndokush nuk ua predikon? 15 E si do ta predikojnë pa qenë dërguar? Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Sa të bukura janë këmbët e atyre që sjellin lajmin e mirë!’
16 Por të gjithë nuk iu bindën Ungjillit. Sepse Isaia thotë: ‘O Zot, e kush i besoi predikimit tonë?’ 17 Kështu, pra, besimi vjen nga predikimi, e predikimi është shpallja e Fjalës së Zotit. 18 Atëherë pyes: A nuk dëgjuan? Po si jo! ‘Zëri i tyre mori mbarë dheun, e fjalët e tyre arritën deri në skajet e botës.’
 
           Fjala e Zotit
          
Psalmi 19 (18) (fq. 676)
 
Ref.    QIEJT E SHPALLIN LAVDINË E ZOTIT
 
2 Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit,
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!
3 Dita ditës ia përsërit këtë gjë
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
 
Ref.    QIEJT E SHPALLIN LAVDINË E ZOTIT
 
4 E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri,
po as zë që do të mund të dëgjohet,
5 megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona,
Fjala e tyre arrin deri në skaj të botës!
 
Ref.    QIEJT E SHPALLIN LAVDINË E ZOTIT
 
           Aleluja!
Ejani pas meje, thotë Zoti, e unë do tu bëj peshkatarë njerëzish! (Mt 4, 19)
           Aleluja!
 
           Ungjilli        (Mt 4, 18-22) (fq. 1387)
 
           Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij.
 
           Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
 
Në atë kohë, 18 ndërsa Jezusi po ecte përngjat Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. 19 E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”
20 Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. 21 Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat dhe i thirri. 22 Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.
 
           Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
 
Po ta paraqesim, o Zot, këtë fli eukaristike në festën e shën Andreut apostull, që me kushtimin e saj të të pëlqejmë e me kungimin e shenjtë të fitojmë jetën hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I APOSTUJVE – I
Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit
 
64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,
por me anën e apostujve të shenjtë
e ruan dhe e mbron vazhdimisht,
që të udhëhiqet nga ata
të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë
porsi barinj në emrin e tij.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate,
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I APOSTUJVE – II
Apostujt themeli dhe dëshmia e Kishës
 
65. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve dhe të ungjilltarëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti e ndërtove Kishën tënde mbi themelin e apostujve,
që ajo të jetë shenjë e përhershme e shenjtërisë sate në botë
dhe të gjithë njerëzve t’u japë dëshmitë qiellore.
Dhe prandaj, tani dhe në amshim
bashkë me ushtrinë engjëllore
po të këndojmë me përkushtim
duke thënë me zë të lartë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit   Krh. Gjn 1, 41-42
 
Andreu i tha Simonit, vëllait të vet: E kemi gjetur Mesinë, Krishtin! Dhe e çoi te Jezusi.
 
Lutja pas kungimit
 
O Zot, pjesëmarrja jonë në këtë sakrament na forcoftë e na bëftë të aftë ta marrim mbi vete, porsi shën Andreu apostull, kryqin e Krishtit, që të kemi pjesë me të në lavdinë e ngjalljes. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
 
Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 519

Current track

Title

Artist

Send this to a friend