Liturgjia e Fjalës – 3 dhjetor- e martë – Java I e Ardhjes
Written by Radio Maria on November 3, 2024
ARDHJA JAVA I
E MARTË
Antifona e hyrjes Ps 17, 50; 21, 23
O Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, e do t’ua shpall vëllezërve emrin tënd.
Kolekta
O Hyj, Ti me predikimin e shën Françeskut ktheve në fenë tënde shumë popuj; ndizi, po me atë zell feje, zemrat e të gjithë besimtarëve të tu që Kisha jote e shenjtë gjithkund në botë të fitojë bij të rinj. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 11, 1-10) (fq. 987)
Në të do të pushojë shpirti i Zotit.
Lexim prej librit të Isaisë profet
Në atë ditë, 1 një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. 2 Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. 3 Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit.
S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashethemeve, 4 por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvujtëve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin. 5 Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijët.
6 Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë.
7 Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. 8 Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija në gji dorën do ta futë. 9 S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi detet që mbulohen me ujë.
10 Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme.
Fjala e Zotit
Psalmi 72 (71) (fq. 737)
Ref. EJA, O ZOT, MBRET I DREJTËSISË DHE I PAQES
1 O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
Ref. EJA, O ZOT, MBRET I DREJTËSISË DHE I PAQES
7 Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia
dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.
8 Do të sundojë prej detit në det,
prej Lumit e deri në skajin e botës.
Ref. EJA, O ZOT, MBRET I DREJTËSISË DHE I PAQES
12 Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfrin që nuk ka ndihmëtar.
13 Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
Ref. EJA, O ZOT, MBRET I DREJTËSISË DHE I PAQES
17 Qoftë bekuar emri i tij në shekuj,
sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri!
Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut,
të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.
Ref. EJA, O ZOT, MBRET I DREJTËSISË DHE I PAQES
Aleluja!
Ja, po vjen Hyji ynë me fuqi të madhe, për të shndritur sytë e shërbëtorëve të vet.
Aleluja!
Ungjilli (Lk 10, 21-24) (fq. 1478)
Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit.
Leximi i ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Atëherë 21 Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare: “Të madhëroj, o Atë, Zotëruesi e qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve! Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu! 22 Gjithçka më dorëzoi im Atë! Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.”
23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht: “Lum sytë që shohin çka po shihni ju! 24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat që po t’i paraqesim në përkujtimin e shën Françeskut, i cili prej dëshirës për shpëtimin e njerëzve shtegtoi në tokat e largëta e bëj që edhe ne ta dëshmojmë me jetë Ungjillin, që bashkë me vëllezërit të vrapojmë drejt teje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I ARDHJES – I
Dy ardhjet e Krishtit
33. Ky prefacion thuhet: në Meshët e kohës nga e Diela e parë e Ardhjes deri më 16 dhjetor; në Meshët e tjera që kremtohen në këtë kohë dhe nuk kanë prefacionin e vet.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, me ardhjen e parë në përvujtërinë e natyrës sonë njerëzore,
e çoi në vend premtimin e vjetër
dhe na hapi rrugën e shpëtimit të amshuar,
që, kur të vijë së dyti me lavdinë e madhërisë së vet,
të mund të marrim të mirat e premtuara,
që tani guxojmë t’i shpresojmë duke i pritur me kujdes.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues
dhe me të gjithë aradhen e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
Antifona e kungimit Mt 10, 27
Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet.
Lutja pas kungimit
Kjo fli eukaristike, o Zot, e ndeztë në ne atë dashuri, me të cilën ndizej flakë shën Françesku për shëlbimin e shpirtrave; që sa më besnikë thirrjes sonë, të mund ta fitojmë, bashkë me të, shpërblimin e premtuar punëtorëve të mirë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.