Liturgjia e Fjalës – 27 nëntor – e mërkurë – Java XXXIV gjatë vitit

Written by on October 27, 2024

JAVA E XXXIV GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes Krh. Ps 84, 9
 
Zoti premton paqen për popullin e vet, për të dashurit e vet, e për ata që me gjithë zemër kthehen.
 
Kolekta
 
Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnetet e besimtarëve të tu, ta zbatojnë me kujdes frytin e misterit shpëtimtar, që të fitojnë hire të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Zb 15, 1-4) (fq. 1748)
 
Këndonin këngën e Moisiut dhe këngën e Qengjit.
 
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
 
Unë Gjoni, 1 pashë në qiell një tjetër shenjë, të madhe dhe të mrekullueshme: shtatë engjëj me shtatë plagët e fundit, sepse me to do të marrë fund zemërimi i Hyjit.
2 Pashë gjithashtu diçka si det qelqi të përzier me zjarr. Në këmbë, në detin qelqor, qëndronin ata që ngadhënjyen mbi Egërsirën, mbi truporen e saj dhe mbi numrin e emrit të saj. Ngadhënjyesit mbanin në dorë harpat e Hyjit. 3 Këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Hyjit, dhe këngën e Qengjit: “Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat tua, o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbreti i popujve! 4 Kush të mos të druajë ty, o Zot dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! Ti i vetmi, je Shenjti! Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë para Teje, sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!”
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 98 (97) (fq. 770)
 
Ref. TË MADHËRISHME JANË VEPRAT E TUA, O ZOT
 
1 Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
 
Ref. TË MADHËRISHME JANË VEPRAT E TUA, O ZOT
 
2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
ndaj shtëpisë së Izraelit.
 
Ref. TË MADHËRISHME JANË VEPRAT E TUA, O ZOT
 
7 Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e vet;
8 lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare.
 
Ref. TË MADHËRISHME JANË VEPRAT E TUA, O ZOT
 
9 Para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi.
 
Ref. TË MADHËRISHME JANË VEPRAT E TUA, O ZOT
 
Aleluja!
Qëndro besnik deri në vdekje, thotë Zoti; dhe do ta jap kurorën e jetës! (Zb 2, 10)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 21, 12-19) (fq. 1496)
 
Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë!
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në ato ditë Jezusi u tha nxënësve të vet: 12 »do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.
14 Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. 16 Do t’jua padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin. 17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 18 Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 19 Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!«
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat e shenjta, që urdhërove t’i kushtohen emrit tënd, e bëj që, në saje të tyre, t’i pëlqejmë mirësisë sate dhe t’i zbatojmë përherë urdhërimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 116, 1-2
 
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është mëshira e tij ndaj nesh.
 
Ose: Mt 28, 20
 
Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.
 
Lutja pas kungimit
 
Po të lutemi, o Zot, mos lejo kurrë të ndahemi prej teje, pasi na dhe mundësinë të marrim pjesë me gëzim në këto mistere hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend