Liturgjia e Fjalës – 26 nëntor – e martë – Java XXXIV gjatë vitit

Written by on October 26, 2024

JAVA E XXXIV GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes Krh. Ps 84, 9
 
Zoti premton paqen për popullin e vet, për të dashurit e vet, e për ata që me gjithë zemër kthehen.
 
Kolekta
 
Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnetet e besimtarëve të tu, ta zbatojnë me kujdes frytin e misterit shpëtimtar, që të fitojnë hire të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Zb 14, 14-19) (fq. 1747)
 
Erdhi koha e korrjes, sepse fryti i tokës u poq.
 
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
 
Unë Gjoni 14 pata këtë vegim: Një re e bardhë dhe mbi re rrinte Dikush si Biri i njeriut. Në krye kishte një kurorë ari e në dorë një drapër të mprehtë.
15 Ndërkaq nga tempulli doli një engjëll tjetër dhe me zë të fortë i thërriste Atij që rri mbi re: “Sill me drapër dhe korr! Sepse erdhi koha e të korrave: të korrat e tokës u poqën!”
16 Atëherë Ai që rrinte mbi re e hodhi draprin e vet mbi tokë dhe toka u korr.
17 Po edhe një tjetër engjëll doli nga tempulli i qiellit. Edhe ai kishte një drapër të mprehtë. 18 Pastaj edhe nga Lteri doli një tjetër engjëll. Ky kishte pushtet mbi zjarr dhe i bërtiti me zë të madh atij që kishte draprin e mprehtë: “Sill me drapër tënd të mprehtë dhe vili vilet në vreshtin e tokës, sepse rrushi u poq!”
19 Engjëlli e hodhi draprin e vet në tokë dhe voli vreshtin e tokës. Të vjelat i qiti në shtrydhësin e madh të zemërimit të Hyjit.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 96 (95) (fq. 768)
 
Ref. EJA, O ZOT, PËR TA GJYKUAR TOKËN
 
10 Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
 
Ref. EJA, O ZOT, PËR TA GJYKUAR TOKËN
 
11 Galdo, o qiell! Gëzo, o Tokë!
Le të buçasë deti me ç’ka në të,
12 e të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve,
 
Ref. EJA, O ZOT, PËR TA GJYKUAR TOKËN
 
13 Para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen,
sepse po vjen për të gjykuar tokën!
Do ta gjykojë botën me drejtësi,
do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e vet.
 
Ref. EJA, O ZOT, PËR TA GJYKUAR TOKËN
 
Aleluja!
Vëreni me kujdes si jetoni: dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit. (Krh. Ef 5,15-16)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 21, 5-11) (fq. 1496)
 
Nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, kur 5 disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: 6 »Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.«
7 E pyetën: »Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?»
8 Ruajuni – u përgjigji – të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.«
10 Atëherë u tha: »Do të ngritet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat e shenjta, që urdhërove t’i kushtohen emrit tënd, e bëj që, në saje të tyre, t’i pëlqejmë mirësisë sate dhe t’i zbatojmë përherë urdhërimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 116, 1-2
 
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është mëshira e tij ndaj nesh.
 
Ose: Mt 28, 20
 
Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.
 
Lutja pas kungimit
 
Po të lutemi, o Zot, mos lejo kurrë të ndahemi prej teje, pasi na dhe mundësinë të marrim pjesë me gëzim në këto mistere hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Continue reading

Current track

Title

Artist

Send this to a friend