Liturgjia e Fjalës – 25 nëntor – e hënë – Java XXXIV gjatë vitit
Written by RadioMariaAlb on October 25, 2024
JAVA E XXXIV GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 84, 9
Zoti premton paqen për popullin e vet, për të dashurit e vet, e për ata që me gjithë zemër kthehen.
Kolekta
Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnetet e besimtarëve të tu, ta zbatojnë me kujdes frytin e misterit shpëtimtar, që të fitojnë hire të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 14, 1-5) (fq. 1746)
E mbanin të shkruar mbi ballin e vet Emrin e Krishtit e të Atit të tij.
Lexim prej Librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni1 pashë: Qengji qëndronte mbi malin Sion e me Të 144.000 që mbartnin të shkruar mbi ballin e vet Emrin e tij dhe Emrin e Atit të tij.
2 Dëgjova një zë që vinte nga qielli porsi ushtima e ujërave të mëdha dhe si gjëma e bubullimës së madhe.
Zëri që dëgjova ishte porsi zëri i harpëtarëve që u bien harpave të veta. 3 Këndonin si një këngë të re para fronit, para katër Gjallorëve dhe para udhëheqësve. Askush s’mund e kuptonte atë këngë përveç atyre 144.000 të shpërblyerve nga toka. 4 Këta janë ata që nuk u përlyen me gra: vërtet janë virgjër! Këta e përcjellin Qengjin kudo shkon. Ndër njerëz këta qenë shpërblyer si fryti i parë për Hyjin dhe Qengjin. 5 Në gojën e tyre nuk u gjet rrenë: janë të patëmetë.
Fjala e Zotit
Psalmi 24 (23) (fq. 682)
Ref. LUM AI QË E KA ZEMRËN E PASTËR SEPSE KA PËR TA PARË HYJIN
1 E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
2 Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Ref. LUM AI QË E KA ZEMRËN E PASTËR SEPSE KA PËR TA PARË HYJIN
3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ref. LUM AI QË E KA ZEMRËN E PASTËR SEPSE KA PËR TA PARË HYJIN
5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
Ref. LUM AI QË E KA ZEMRËN E PASTËR SEPSE KA PËR TA PARË HYJIN
Aleluja!
Kush mbjell me horrjati, pak do të korrë. Hyji e do atë që jep më gëzim. (2 Kor 9, 6.7)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 21, 1-4) (fq. 1496)
Pa edhe një grua të vejë, skamnore ku qiti dy lepta
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
1 Jezusi shikonte se si të pasurit po qitnin dhuratat e veta në arkëzën e lëmoshës. 2 Pa edhe një grua të vejë, skamnore ku qiti dy lepta 3 dhe tha: »Për të vërtetë, po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë. 4 Sepse të gjithë tjerët qitën ndër dhurata aq sa u tepron prej pasurisë, kurse ajo qiti prej skamit të vet gjithçka pati për jetesë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat e shenjta, që urdhërove t’i kushtohen emrit tënd, e bëj që, në saje të tyre, t’i pëlqejmë mirësisë sate dhe t’i zbatojmë përherë urdhërimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 116, 1-2
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është mëshira e tij ndaj nesh.
Ose: Mt 28, 20
Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, mos lejo kurrë të ndahemi prej teje, pasi na dhe mundësinë të marrim pjesë me gëzim në këto mistere hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.