Liturgjia e Fjalës – 23 nëntor – e shtunë – Java XXXIII gjatë vitit
Written by Radio Maria on October 23, 2024
JAVA E XXXIII GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 11, 4-12) (fq. 1743)
Këta dy profetë i munduan banuesit e tokës.
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
Mua Gjonit më qe thënë: 4 «Ja dy dëshmitaret e mi. Ata janë dy ullinj dhe dy shandanë që qëndrojnë para Zotëruesit të dheut. 5 Nëse ndokush do t’u bëjë keq, nga goja e tyre del zjarr dhe i përpin armiqtë e tyre. Për të vërtetë, nëse ndokush do t’i dëmtojë, do të mbarojë në këtë mënyrë!
6 Këta kanë pushtet ta mbyllin qiellin të mos bjerë shi në ditët kur ata profetizojnë; gjithashtu kanë pushtet ta shndërrojnë ujin në gjak dhe të sjellin mbi dhe çdo plagë, sa herë të duan. 7 Kur ta kryejnë dëshmimin e vet, Egërsira që del nga Humnera, do të bëjë luftë me ta, do t’i mundë dhe do t’i vrasë. 8 Kufomat e tyre do të rrinë mbi dhe në tregun e qytetit të madh që simbolikisht quhet Sodoma dhe Egjipti, ku edhe Zotëria i tyre qe kryqëzuar. 9 Njerëzit prej të gjithë popujve, prej të gjitha fiseve, prej të gjitha gjuhëve dhe prej të gjitha kombësive do t’i shikojnë kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë; nuk do të lejojnë të varrosen kufomat e tyre.
10 Banuesit e tokës do të gëzohen dhe do të galdojnë për të keqen e tyre dhe njëri-tjetrit do t’i ndajnë dhurata, sepse këta dy profetë i munduan banuesit e tokës. 11 Por pas tri ditësh e gjysmë, shpirti që sjell jetën, i ardhur prej Hyjit, hyri në ta dhe ata u ngritën në këmbë.
Atëherë një frikë e madhe i kapi të gjithë ata që i shihnin. 12 Dëgjuan një zë të madh që prej qiellit u thoshte profetëve: »Ngrituni këtu!« Ata përmbi re u ngritën në qiell në sy të armiqve të vet.
Fjala e Zotit
Psalmi 144 (143) (fq. 823)
Ref. TI, O ZOT, JE NDIHMA IME DHE SHËLBIMI IM
1 Qoftë bekuar Zoti, shkëmbi im
që m’i mëson duart për luftim
e gishtërinjtë për luftë.
Ref. TI, O ZOT, JE NDIHMA IME DHE SHËLBIMI IM
2 Dashuria ime dhe kështjella ime,
strehimi im dhe çlirimtari im,
shqyti im pas të cilit fshihem,
ai që popullujt i vë nën sundimin tim.
Ref. TI, O ZOT, JE NDIHMA IME DHE SHËLBIMI IM
9 O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re,
për ty do të luaj në lirë me dhjetë telash,
10 sepse mbretërve ti u jep fitoren,
e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd.
Ref. TI, O ZOT, JE NDIHMA IME DHE SHËLBIMI IM
Aleluja!
Ngjallja e të vdekurve mbillet në shkatërrueshmëri e ngjallet në pashkatërrueshmëri; sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor. (1 Gjn 3, 2-3)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 20, 27-40) (fq. 1495)
Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 27 Jezusit iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje: 28 “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. 29 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. 30 Edhe i dyti 31 edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatit nuk lanë fëmijë e vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e cilit do të jetë, sepse të shtatit e patën grua?”
34 Jezusi u përgjigj: “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. 35 Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. 36 Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit.
37 E se të vdekurit do të ringjallen vetë Moisiu e shënoi në fragmentin ‘mbi kaçubën’, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit.’ 38 Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.”
39 Atëherë disa skribë u përzinë në bisedë e thanë: “Mësues, mirë the!” 40 S’patën më guxim të rragaten me të për asgjë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 72, 28
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
Ose Mk 11, 23-24
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
Lutja e kungimit
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.