Liturgjia e Fjalës – 22 shtator – e diel – Java XXV gjatë vitit

Written by on August 22, 2024

JAVA E XXV GJATË VITIT
 
E DIEL
 
B
 
Antifona e hyrjes
 
Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti; për çdo nevojë të më thërrasin në ndihmë, unë do t’i dëgjoj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.
 
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
 
O Hyj, Ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit; bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, të arrijmë jetën e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (Urt 2, 12.17-20) (fq. 888)
 
E dënuan të drejtin me vdekje të turpshme.
 
Lexim prej Librit të Urtisë
 
Thanë të paudhët: 12 t’i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë. 17 Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta dhe të shqyrtojmë çfarë mbarimi do të ketë: 18 Nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit, Ai patjetër do ta ketë kujdes dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve.
19 Ta vëmë në sprovë me fyerje e me mundime e ta shohim butësinë e sedrës së tij, ta sprovojmë durimin e tij. 20 Ta dënojmë me vdekje të turpshme: sepse, siç thotë ai, shpëtimi do t’i vijë”!
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   54 (53) (fq. 717)
 
Ref.   TI, O ZOT, JE MBUROJA IME
 
3 Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd,
me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.
4 O Hyj, vështroje lutjen time,
prire veshin nga fjalët e gojës sime!
 
Ref.   TI, O ZOT, JE MBUROJA IME
 
5 Sepse krenarët u çuan kundër meje,
mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin:
për Hyjin ata s’kanë kujdes.
 
Ref.   TI, O ZOT, JE MBUROJA IME
 
6 Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë,
shpirtin tim ai po e merr ndore.
8 E unë me ëndje do të të kushtoj fli,
do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë,
 
Ref.   TI, O ZOT, JE MBUROJA IME
 
Leximi i dytë   (Jak 3, 16 – 4, 1-3) (fq. 1706)
 
Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.
 
Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull
 
Fort të dashur, 16 ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe. 17 Kurse urtia që vjen prej së larti më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtiracake. 18 Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.
4,1 Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? 2 Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; griheni e luftoni.
Nuk keni pse nuk luteni. 3 Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja.
 
Fjala e Zotit
 
Aleluja!
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. (Krh. Mt 11, 25)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Mk 9, 30-37) (fq. 1442)
 
Biri i njeriut do tu dorëzohet njerëzve. Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtori i të gjithëve.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
Në atë kohë, Jezusi dhe nxënësit e tij 30 kaluan nëpër Galile, por ai nuk donte ta dinte kush, 31 sepse i mësonte nxënësit e vet.
U thoshte: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh”
32 Ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesnin.
33 Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?”
34 Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. 35 Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”
36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në midis të tyre, e mori ngrykë dhe u tha: 37 “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”
 
Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
 
Pranoji, o Zot, po të lutemi, dhuratat e popullit tënd dhe bëj që, çka me fe të gjallë dëshmojmë, ta fitojmë me sakramente qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 118, 4-5
 
Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikmërisht; oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.
 
Ose: Gjn 10, 14
 
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
 
Lutja pas kungimit
 
O Zot, Ti na përtërin me sakramentet e tua; na e jep vazhdimisht ndihmën tënde, që në saje të sakramenteve dhe me jetën tonë të fitojmë frytin e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist