Liturgjia e Fjalës – 22 nëntor – e premte – Java XXXIII gjatë vitit

Written by on October 22, 2024

JAVA E XXXIII GJATË VITIT
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
 
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
 
Kolekta
 
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Zb 10, 8-11) (fq.1742/3)
 
E mora librin dhe e hëngra.
 
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
 
Unë Gjoni 8 dëgjova nga qielli zërin i cili foli rishtas me mua e tha: »Shko e merre librin e hapur prej dorës së engjëllit që qëndron mbi det dhe mbi tokë«.
9 U afrova dhe e luta engjëllin të ma japë librezën.
Ai më tha: »Merre dhe haje! Barkun do të ta prishë, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalti«.
10 E mora librezën nga dora e engjëllit dhe e hëngra: në gojën time ishte i ëmbël si mjalti, por, pasi e hëngra, m’u prish barku.
11 Atëherë më qe thënë: »Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër!«
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 119 (118) (fq. 797)
 
Ref. FJALËT TUA, O ZOT, JANË GËZIMI IM
 
14 Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua
se pasurisë tejet të madhe.
24 Sepse dëshmitë e tua janë kënaqësia ime,
rregulloret e tua këshilltarët e mi.
 
Ref. FJALËT TUA, O ZOT, JANË GËZIMI IM
 
72 Më i mirë është për mua Ligji yt
se me mijëra monedha ari e argjendi.
103 Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua,
më të ëmbla se mjalti për gojën time.
 
Ref. FJALËT TUA, O ZOT, JANË GËZIMI IM
 
111 Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm,
janë kënaqësia e shpirtit tim.
131 Hap gojën e marr frymë
i mallëngjyer për porositë e tua.
 
Ref. FJALËT TUA, O ZOT, JANË GËZIMI IM
 
Aleluja!
I shenjtë është Tempulli i Hyjit – e ky Tempull jeni ju. (1 Kor 3, 17)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 19, 45-48) (fq. 1494)
 
Ju e bëtë shtëpinë time shpellë cubash!
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
45 Kur hyri në Tempull, Jezusi zuri t’i dëbojë jashtë shitësit. 46 U tha: “Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi urate e ju e bëtë shpellë cubash!’“
47 Çdo ditë mësonte në Tempull. Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta vritnin, gjithashtu edhe krerët e popullit 48 por s’i gjetën assesi mënyrën, sepse mbarë populli e dëgjonte i rrëmbyer prej fjalëve të tij.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 72, 28
 
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
 
Ose Mk 11, 23-24
 
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
 
Lutja e kungimit
 
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend