Liturgjia e Fjalës – 21 shtator – Shën Mateu, apostull e ungjilltar

Written by on August 21, 2024

21 shtator
SHËN MATEU, APOSTULL E UNGJILLTAR
Festë
 
Antifona e hyrjes   Mt 28, 19-20
 
Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, pagëzoni e mësoni të zbatojnë  gjithçka ju kam urdhëruar, thotë Zoti.
 
Thuhet Lavdi
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
 
O Hyj, Ti me mëshirën tënde të patregueshme u denjove të zgjedhësh tagrambledhësin Mate dhe e bëre apostull të Ungjillit; bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e shembullin e tij, të të ndjekim ty e të qëndrojmë ngushtë të lidhur me ty. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (Ef 4, 1-7.11-13) fq. 1649/50)
 
            Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profet disa prapë ungjilltarë.
 
            Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
 
Vëllezër, 1 ju përbej, unë i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: 2 me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri‑tjetrin me dashuri! 3 Bëni çmos ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. 4 S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj. 5 Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim;  6 një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.
7 Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. 11 E Ai i ‘dha’ të jenë disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, 12 që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, 13 deri që të gjithë t’ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.
 
            Fjala e Zotit
 
Psalmi 19 (18) (fq. 676)
 
Ref.   FJALA E SHËLBIMIT JEHON NË MBARË BOTËN
 
2 Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit,
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
3 Dita ditës ia përsërit këtë gjë
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
 
Ref.   FJALA E SHËLBIMIT JEHON NË MBARË BOTËN
 
4 E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri,
po as zë që do të mund të dëgjohet,
5 megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona,
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
 
Ref.   FJALA E SHËLBIMIT JEHON NË MBARË BOTËN
 
            Aleluja!
Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtit, por mëkatarët. (krh. Mk 2, 17)
            Aleluja!
 
Ungjilli   (Mt 9, 9-13) (fq. 1394/5)
 
            Jezusi i tha: »Eja mbas meje!« Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.
 
            Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
 
            Në atë kohë, 9 Jezusi, si shkoi prej andej pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: »Eja mbas meje!« Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.
                   10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, qe se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij: »Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?«
            12 Jezusi, kur i dëgjoi, përgjigji: »Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flija!’ Sepse unë nuk erdha të ftojë të drejtët, por mëkatarët.«
 
            Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Duke kremtuar përkujtimin e shën Mateut, po t’i drejtojmë lutjet e kushtet tona ty, o Zot, e po të lutemi me përvujtëri:  shikoje me dashuri Kishën tënde dhe ruaje në fenë që e përhapën apostujt me predikimin e Ungjillit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I APOSTUJVE – I
Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit
 
64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,
por me anën e apostujve të shenjtë
e ruan dhe e mbron vazhdimisht,
që të udhëhiqet nga ata
të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë
porsi barinj në emrin e tij.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate,
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I APOSTUJVE – II
Apostujt themeli dhe dëshmia e Kishës
 
65. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve dhe të ungjilltarëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti e ndërtove Kishën tënde mbi themelin e apostujve,
që ajo të jetë shenjë e përhershme e shenjtërisë sate në botë
dhe të gjithë njerëzve t’u japë dëshmitë qiellore.
Dhe prandaj, tani dhe në amshim
bashkë me ushtrinë engjëllore
po të këndojmë me përkushtim
duke thënë me zë të lartë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit   Mt 9, 13
 
Thotë Zoti: Nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.
 
Lutja pas kungimit
 
O Zot, në këtë kungim të shenjtë e përjetuam edhe ne gëzimin që sprovoi shën Mateu kur e pranoi Shpëtimtarin në shtëpinë e vet: bëj që të ushqehemi vazhdimisht në gostinë e atij që erdhi të ftojë për shpëtim jo të drejtët, por mëkatarët. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
 
Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 519

Current track

Title

Artist

Send this to a friend