Liturgjia e Fjalës – 21 nëntor – e enjte – Java XXXIII gjatë vitit

Written by on October 21, 2024

JAVA E XXXIII GJATË VITIT
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
 
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
 
Kolekta
 
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Zb 5, 1-10) (fq. 1738)
 
Qe prerë Qengji dhe me gjakun vet na shpërbleu.
 
Lexim prej Librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
 
Unë Gjoni pashë: 1 Në dorën e djathtë të Atij që rri në fron një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.
2 Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të madh: “Kush është i denjë ta hapë librin dhe t’ia zgjidhë vulat?” 3 Dhe askush, as në qiell, as në tokë, as në Nëntokë nuk ishte i zoti ta çelë librin e të shikojë në të.4 Atëherë unë ia plasa vajit, sepse nuk u gjet asnjë i denjë ta hapë librin e të shikojë në të.
5 Atëherë njëri prej udhëheqësve më tha: “Mos qaj! Ja, ngadhënjeu Luani nga fisi i Judës – rrënja e Davidit: Ai do ta hapë librin dhe shtatë vulat e tija.”
6 Atëherë vura re: në midis të fronit dhe të katër Gjallorëve, në midis të udhëheqësve, qëndronte – si i prerë – Qengji, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë shtatë shpirtrat e Hyjit të dërguar në mbarë tokën.7 Ai u afrua për të marrë librin prej të djathtës së Atij që rri në fron. 8 Kur e mori librin katër Gjallorët e njëzet e katër udhëheqësit ranë përmbys para Qengjit. Secili kishte harpën dhe një kupë ari plot me kem, d.m.th. me urata të shenjtërve.
9 Këndonin një këngë të re dhe thoshin: “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe t’ia zgjidhësh vulat, sepse qe prerë dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie, 10 dhe i bëre për Hyjin tonë mbretëri dhe priftërinj dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.”
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 149 (fq. 829)
 
Ref. GALDOJNË SHENJTËRIT NË LAVDINË E ZOTIT
 
1 Këndoni Zotit një këngë të re,
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
2 Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet,
bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!
 
Ref. GALDOJNË SHENJTËRIT NË LAVDINË E ZOTIT
 
3 Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle,
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
4 sepse Zoti kënaqet në popullin e vet,
të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Ref. GALDOJNË SHENJTËRIT NË LAVDINË E ZOTIT
 
5 Le të galdojnë të drejtët në lumturi,
le të brohorisin nga shtrojat e veta!
6 E paçin lavdinë e Zotit në gojë,
– Ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Ref. GALDOJNË SHENJTËRIT NË LAVDINË E ZOTIT
 
Aleluja!
S’do ti dëgjojmë urdhrat e mbretit, t’i shmangemi besimit tonë as djathtas as majtas. (Krh. Jer 29, 10-11)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 19, 41-44) (fq. 1494)
 
O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 41 kur Jezusi u afrua Jerusalemit dhe e pa qytetin, qau mbi të 42 e tha: »O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu! 43 E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Do të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do ta lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e çmove kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë.«
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 72, 28
 
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
 
Ose Mk 11, 23-24
 
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
 
Lutja e kungimit
 
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend