Liturgjia e Fjalës – 20 nëntor – e mërkurë – Java XXXIII gjatë vitit

Written by on October 20, 2024

JAVA E XXXIII GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
 
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
 
Kolekta
 
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Zb 4, 1-11) (fq. 1737/8)
 
Shenjt është Zoti, Hyji i Gjithëpushtetshëm, Ai që ishte, Ai që është dhe Ai që do të vijë!
 
Lexim prej Librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
 
Unë Gjoni, 1pata një vegim: dhe ja, në qiell një derë e hapur! Edhe zëri që e dëgjova më parë, që fliste me mua si zë trumbete, më tha: “Hip këtu dhe do të tregoj çka do të ndodhë pas kësaj!” 2 Dhe menjëherë kalova në vegim me anë të Shpirtit Shenjt. Dhe ja, në qiell ishte froni dhe Dikush ndenjur në fron. 3 Atij që rrinte në fron i shkëlqente fytyra në përngjasim të gurit të paçmueshëm të jaspisit dhe të sardit. Rreth e rreth fronit ylberi që i ngjante smeraldit. 4 Përreth fronit edhe 24 frone të tjera. Mbi frone rrinin 24 udhëheqës të veshur me petka të bardha e në krye kezat e arta. 5 Nga froni dilnin vetëtima, zëra dhe rrufe. Para fronit digjeshin shtatë vravashka të ndezura, d.m.th. shtatë shpirtra të Hyjit. 6 Përpara fronit diçka si det qelqi në ngjasim të kristalit.
Në midis të fronit dhe përreth fronit katër Gjallorë plot me sy para dhe mbas. 7 Gjallori i parë i përngjante luanit, Gjallori i dytë i përngjante mëzatit, Gjallori i tretë kishte fytyrë njeriu dhe Gjallori i katërt ishte porsi shqiponja në fluturim. 8 Këta katër Gjallorë kishin secili nga gjashtë krahë gjithkah përreth dhe përbrenda ishin plot me sy. Ata nuk pushonin ditë as natë duke shpallur: “Shenjt! Shenjt! Shenjt! Zoti, Hyji i Gjithëpushtetshëm, Ai që ishte, Ai që është dhe Ai që do të vijë!”
9 Dhe kurdo që Gjallorët jepnin lavdi, nder dhe falënderime Atij që rri në fron, të Gjithëpushtetshmit të shekujve, 10 njëzet e katër udhëheqësit binin përmbys para Atij që rri në fron dhe e adhuronin Atë që jeton në shekuj të shekujve, dhe i ulin para fronit kezat e veta duke thënë: 11 “I denjë je, o Zot, Hyji ynë, të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin, sepse ti krijove gjithçka dhe me vullnetin tënd gjithçka u bë dhe u krijua!”
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 150 (fq. 830)
 
Ref. SHENJTË ËSHTË ZOTI, HYJI I TË GJALLËVE
 
1 Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij,
madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!
2 Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tija,
lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!
 
Ref. SHENJTË ËSHTË ZOTI, HYJI I TË GJALLËVE
 
3 Lavdërojeni me zë të borisë,
lavdërojeni me harpë e me cetër,
4 lavdërojeni me tupan e valle,
lavdërojeni me korda e me fyej!
 
Ref. SHENJTË ËSHTË ZOTI, HYJI I TË GJALLËVE
 
5 Lavdërojeni me cimbale tingëlluese,
lavdërojeni me cimbale brohorie!
Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!
 
Ref. SHENJTË ËSHTË ZOTI, HYJI I TË GJALLËVE
 
Aleluja!
Në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. (1 Kor 15, 10)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 19, 11-28) (fq. 1493)
 
Pse nuk e depozitove paranë time në bankë?
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë Jezusi ishte afër Jerusalemit dhe dhe e tregoi një shëmbëltyrë 11 për arsye se mendonin se do të vinte Mbretëria e Hyjit aty për aty.12 U tha: »Një njeriu prej familjes bujare iu desh të shkojë në një vend të largët për të marrë në dorëzim mbretërinë e vet e pastaj të kthehej.13 I thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mna dhe u tha: ‘Tregtoni derisa të kthehem!’
14 Por bashkëqytetarët e tij e urrenin dhe dërguan pas tij përfaqësues për të thënë: ‘Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne.’
15 Kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’ia sjellin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë të hollat, për të parë sa kishin fituar
16 Doli i pari dhe tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha dhjetë mna.’ 17 Ai iu përgjigj: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë! Pasi qe besnik në një send kaq të vogël, sundo mbi dhjetë qytete!’
18 Erdhi edhe i dyti e tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha edhe pesë mna. ‘19 Sundo – i tha edhe këtij – edhe ti mbi pesë qytete!’
20 Atëherë erdhi një tjetër e tha: ‘Zotëri, qe mnaja jote! E ruajta të mbështjellë në rizë. 21 U frikësova prej teje sepse je njeri i rreptë: merr çka nuk depozitove, korr çka nuk mbolle.’
22 Ai i përgjigji: ‘Të dënoj shi prej fjalëve të tua, shërbëtor i keq! E dite se jam njeri i rreptë, që marrë çka nuk depozitova, korri çka nuk mbolla! 23 Pse nuk e depozitove paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta merrja bashkë me kamatë? 24 Atëherë u tha të pranishmëve: ‘Merrjani mnanë e jepjani atij që ka dhjetë!’ 25 Ata i thanë: ‘Zotëri, ai i ka dhjetë mna!’26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 27 Ndërkaq armiqtë e mi – ata që nuk më deshën për mbret – sillni këtu dhe vritni para syve të mi!«
28 Si i tha këto, vazhdoi rrugën përpara duke u ngjitur në Jerusalem.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 72, 28
 
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
 
Ose Mk 11, 23-24
 
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
 
Lutja e kungimit
 
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend