Liturgjia e Fjalës – 19 nëntor – e martë – Java XXXIII gjatë vitit

Written by on October 19, 2024

JAVA E XXXIII GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
 
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
 
Kolekta
 
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Zb 3, 1-6.14-22) (fq. 1736/7)
 
Nëse ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua.
 
Lexim prej Librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
 
Unë Gjoni dëgjova zërin që më tha: 1 Shkruaj edhe engjëllit të Kishës në Sard: ‘Kështu thotë Ai që ka shtatë shpirtrat e Hyjit dhe shtatë yjet:
I di veprat e tua: thuhet se jeton, por je i vdekur! 2 Rri zgjuar dhe forcoje tepricën që posa nuk ka vdekur! Sepse nuk i gjeta veprat e tua të përsosura para Hyjit tim.3 Të bie në mend, pra, si e ke marrë fjalën dhe e ke dëgjuar, ashtu edhe ruaje – dhe kthehu! Po nuk qëndrove zgjuar, do të vij si vjedhësi dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij kundër teje. 4 Megjithatë i ke në Sard disa njerëz që nuk i përlyen petkat e veta. Ata do të më përcjellin të veshur me petka të bardha, sepse janë të denjë.
5 Kështu edhe ngadhënjyesi do të mbartë petka të bardha; nuk do ta fshij emrin e tij prej Librit të jetës dhe do ta dëshmoj emrin e tij para Atit tim dhe para engjëjve të tij. 6 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave.”
14 Shkruaj edhe engjëllit të Kishës në Laodice: “Kështu thotë Ameni, Dëshmitari, Besniku i vërtetë, Fillimi i krijesës së Hyjit. 15 I di veprat e tua: nuk je as i ftohtë as i nxehtë! Oh, të ishe i ftohtë ose i nxehtë! 16 Por, pasi je i vakët – as i ftohtë as i nxehtë – do të vjell prej gojës sime! 17 Dhe mbasi thua: “Jam i pasur! U bëra pasanik! Asgjë nuk më mungon!” e, mbasi nuk di se je i mjerë, i ngratë, skamnor, i verbët, i zhveshët, 18 po të këshilloj: blej prej meje ar të pastruar në zjarr që të pasurohesh, blej petka të bardha që të vishesh dhe të mos shihet turpi i cullakisë sate; blej edhe barin për të lyer sytë që të shohësh! 19 Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që i dua. Ji, pra, i zellshëm dhe kthehu!
20 Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj tek ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua. 21 Ngadhënjyesin do ta vë të rrijë me mua në fronin tim, sikurse edhe vetë ngadhënjeva dhe ndenja bashkë me Atin tim në fronin e tij. 22 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!”
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 15 (14) (fq. 671)
 
Ref. DO TË NA PRANOSH , O ZOT, NË LAVDINË E MBRETËRISË SATE
 
1 O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde?
2 Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën.
 
Ref. DO TË NA PRANOSH , O ZOT, NË LAVDINË E MBRETËRISË SATE
 
3 Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton, që shokun nuk e çnderon:
4 ai që bakeqin e mban për asgjë
e i çmon ata që e druajnë Zotin’.
 
Ref. DO TË NA PRANOSH , O ZOT, NË LAVDINË E MBRETËRISË SATE
 
5 Nuk jep të holla me kamatë
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
 
Ref. DO TË NA PRANOSH , O ZOT, NË LAVDINË E MBRETËRISË SATE
 
Aleluja!
Hyji na deshi ne dhe e dërgoi Birin e na vet si fli pajtuese për mëkatet tona. (Krh. 1 Gjn 4, 10)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 19, 1-10) (fq. 1492)
 
Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 1 Jezusi hyri në Jerihon dhe po kalonte nëpër qytet.
2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte.
5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: »Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!« 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin: »Ktheu të rrijë te një mëkatar!«
8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë: »Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!«
9 Atëherë Jezusi i tha:» Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! 10 Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.«
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 72, 28
 
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
 
Ose Mk 11, 23-24
 
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
 
Lutja e kungimit
 
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend