Liturgjia e Fjalës – 17 shtator – e martë – Java XXIV gjatë vitit

Written by on August 17, 2024

JAVA E XXIV GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes Krh. Sir 36, 18
 
Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty, që profetët e tu të tregohen të vërtetë. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.
 
Kolekta
 
O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër, që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (1 Kor 12, 12-14.27-31) (fq. 1620/1)
 
Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush gjymtyrët e tija.
 
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 12 sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë nuk trajtojnë por një trup të vetëm ashtu edhe Krishti. 13 Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
14 E trupi nuk është prej një gjymtyre, por prej shumë gjymtyrësh. 27 Tashti, ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tij.
28 Kështu Hyji disa në Kishë i caktoi: më parë apostujt, së dyti profetët, së treti mësuesit; pastaj vjen dhurata e mrekullive, pastaj ajo e shërimeve, e kujdesimit, e drejtimit shpirtëror, dhurata e gjuhëve të ndryshme. 29 A thua të gjithë janë apostuj? Të gjithë profetë? Të gjithë mësues? A thua të gjithë bëjnë mrekulli? 30 A thua të gjithë e kanë dhuratën e shërimeve? A thua të gjithë flasin gjuhët? Të gjithë shpjegojnë?
31Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshmet!
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   100 (99) (fq. 772)
 
Ref.   POPULLI YT, O ZOT, E LAVDËRON EMRIN TËND TË SHENJTË
 
2 Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,
shërbeni Zotit me hare,
dilni para tij me brohoritje!
 
Ref.   POPULLI YT, O ZOT, E LAVDËRON EMRIN TËND TË SHENJTË
 
3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:
Ai na krijoi e atij i përkasim:
jemi populli i tij dhe delet e kullosës së tij.
 
Ref.   POPULLI YT, O ZOT, E LAVDËRON EMRIN TËND TË SHENJTË
 
4 Hyni nëpër dyert e tija duke i dhënë lavdi,
hyni në treme të tij e këndoni himne,
lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
 
Ref.   POPULLI YT, O ZOT, E LAVDËRON EMRIN TËND TË SHENJTË
 
5 Sepse i mirë është Zoti,
e amshuar dashuria e tij,
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
 
Ref.   POPULLI YT, O ZOT, E LAVDËRON EMRIN TËND TË SHENJTË
 
Aleluja!
Ti, o Zot, ke dhembshuri ndaj të gjithëve dhe asgjë nuk përbuz prej atyre që vetë i krijove. (Krh. Ur 11, 23-26)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Lk 7, 11-17) (fq. 1470)
 
Djalosh, ty po të them: çohu!
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 11 Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënësit e tij dhe turmë e madhe e popullit. 12 Kur iu afrua dyerve të qytetit, qe se po sillnin përjashta qytetit një të vdekur djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit. 13 Kur e pa Zotëria, pati dhimb për të dhe i tha: “Mos qaj”
14 U afrua, preku vigun ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha: “Djalosh, ty po të them: çohu!”
15 I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës.
16 Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë: “Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!”
17 Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap zëri për të.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu, që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 35, 8
 
Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote! Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.
 
Ose: Krh. 1 Kor 10, 16
 
Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, është bashkim me Gjakun e Krishtit dhe buka, të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit!
 
Lutja pas kungimit
 
E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë veprimi i kësaj dhurate qiellore, që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore, por veprimi i këtij sakramenti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend