Liturgjia e Fjalës – 17 nëntor – e diel – Java XXXIII gjatë vitit
Written by Radio Maria on October 17, 2024
JAVA E XXXIII GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 1, 1-4; 2, 1-5) (fq. 1733/4)
Kujtohu, pra, se prej ku ke ra! Kthehu dhe bëji veprat e mëparshme!
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
1 Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha Hyji Atij për t’i vënë në dijeni shërbëtorët e vet lidhur me ato që për së shpejti do të ndodhin. Ai i bëri të dihen duke ia dërguar engjëllin e vet Gjonit, shërbëtorit të vet, 2 i cili dëshmon se gjithçka ka parë është fjalë e Hyjit dhe dëshmi e Jezu Krishtit. 3 I lumi ai që i lexon edhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe i zbatojnë ato që janë të shkruara në të. Sepse, koha e caktuar është afër!
4 Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: paçi hir dhe paqe prej Atij që është, që ishte dhe që po vjen dhe prej shtatë shpirtrave që janë para fronit të Tij.
2, 1 Engjëllit të Kishës në Efes shkruaj: “Kështu thotë Ai që mban në të djathtën e vet shtatë yjet, Ai që ecën midis shtatë shandanëve të artë: 2 I njoh veprat e tua, mundin tënd dhe qëndresën tënde dhe e di se nuk mund t’i durosh të këqijtë. I vure në provë ata që mbahen për apostuj e nuk janë dhe i gjete gënjeshtarë. 3 Je i qëndrueshëm ke vuajtur për shkak të Emrit tim dhe nuk e humbe guximin. 4 Por kam diçka kundër teje: e le dashurinë tënde të mëparshme! 5 Kujtohu, pra, se prej ku ke ra! Kthehu dhe bëji veprat e mëparshme! Përndryshe do të vij te ti dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi i tij, nëse nuk kthehesh.
Fjala e Zotit
Psalmi 1 (fq. 659)
Ref. LUM NJERIU QË EC SIPAS LIGJIT TË ZOTIT
1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve
e nuk rri së bashku me përqeshës,
2 por kënaqet në Ligjin e Zotit
dhe e kujton atë ditë e natë.
Ref. LUM NJERIU QË EC SIPAS LIGJIT TË ZOTIT
3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Ref. LUM NJERIU QË EC SIPAS LIGJIT TË ZOTIT
4 Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
Ref. LUM NJERIU QË EC SIPAS LIGJIT TË ZOTIT
Aleluja!
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje do ta ketë dritën e jetës. (Gjn 8, 12)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 18, 35-43) (fq. 1492)
Çka dëshiron të bëj për ty? Zotëri, që të shoh.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Ndërsa35 Jezusi po i afrohej Jerihonit, një lypës ishte ulur në një skaj të rrugës e po lypte. 36 Kur dëgjoi se po kalonin shumë njerëz, pyeti ç’është. 37 Ata i thanë: »Po kalon këndej Jezusi prej Nazaretit.«
38 Ai zuri të bërtasë: »Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!«
39 Ata që ecnin përpara i bërtitnin të heshtte, por ai bërtiti edhe më të madhe: »Biri i Davidit, ki mëshirë për mua! 40 Jezusi zuri vend dhe urdhëroi t’ia sillnin para.
Kur ky u afrua, Jezusi e pyeti: 41 »Çka dëshiron të bëj për ty?«
Ai përgjigji: »Zotëri, që të shoh”«
42 »Shih! – i tha Jezusi – Të shpëtoi feja jote!«
43 Atij i erdhi aty për aty drita e syve dhe u nis pas tij duke i dhënë lavdi Hyjit. Edhe populli mbarë, kur pa këtë mrekulli, i dha lavdi Hyjit.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 72, 28
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
Ose Mk 11, 23-24
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
Lutja e kungimit
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.