Liturgjia e Fjalës – 16 shtator – e hënë – Java XXIV gjatë vitit – Shën Korneli & Shën Çipriani

Written by on August 16, 2024

16 shtator
Shën Korneli, papë e Shën Çipriani, ipeshkëv, martirë
Përkujtim
 
Përbashkorja për martirë: për shumë martirë (fq. 760) ose për barinj: për ipeshkvinj (fq.777).
 
Kolekta
 
O Hyj, Ti popullit tënd i dhe shën Kornelin e Çiprianin bbarinj të zellshëm dhe martirë të guximshëm;nbëj, me ndërmjetësinë e tyre, të forcohemi në fe dhe në qëndresë  dhe me zell të angazhohemi për bashkimin e krishterimit.  Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (1 Kor 11, 17-26) (fq. 1619)
 
Kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.
 
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 17 pasi jam duke i dhënë këto vërejtje, nuk mund t’ju lavdëroj: bashkimet tuaja nuk po ju sjellin dobi shpirtërore, por më tepër dëm. 18 Më së pari po dëgjoj e pjesërisht e besoj se kur bashkoheni në Mbledhje paska midis jush mosmarrëveshje. 19 Njëmend, duhet të jenë ndër ju ndarje, në mënyrë që të dalin në shesh edhe ata që ndër ju janë të krishterë të vërtetë.
20 Kur ju, pra, mblidheni së bashku kështu, kjo gjë nuk do të thotë se hani Darkën e Zotit, 21 pasi, secili, kur merr pjesë në Darkë, kërkon të hajë një herë ushqimin që ka sjellë me vete, kështu që, dikush mbetet i uritur e tjetri dehet. 22 Po a thua nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? A mos doni të përbuzni Kishën e Hyjit e t’i turpëroni ata që nuk kanë? Çka t’ju them? T’ju lavdëroj? Në këtë gjë s’ju lavdëroj.
23 Vërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, 24 u falënderua, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” 25 Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” 26 Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   40 (39) (fq. 702)
 
Ref.   ZOTI NA SHËLBOI ME GJAKUN E BIRIT TË VET
 
7 Fli e dhurata ti nuk do,
vetë ma zbulove vullnetin tënd:
fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon,
8 atëherë thashë: “Ja, po vij unë.
 
Ref.   ZOTI NA SHËLBOI ME GJAKUN E BIRIT TË VET
 
Në Librin e Ligjit shkruan për mua:
9 Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj,
Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime”.
 
Ref.   ZOTI NA SHËLBOI ME GJAKUN E BIRIT TË VET
 
10 Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut,
shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.
 
Ref.   ZOTI NA SHËLBOI ME GJAKUN E BIRIT TË VET
 
17 Kurse le të gëzohen e le të galdojnë me ty,
të gjithë ata që të kërkojnë ty
e të thonë vazhdimisht: “I madhërishëm është Zoti!”,
të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd.
 
Ref.   ZOTI NA SHËLBOI ME GJAKUN E BIRIT TË VET
 
Aleluja!
Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin vet, që secili që beson në të ta ketë jetën e pasosur. (Gjn 3, 16)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Lk 7, 1-10) (fq. 1470)
 
As në Izrael nuk e gjeta një fe kaq të madhe.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 1 pasi Jezusi i kreu të gjitha këto fjalë të drejtuara popullit, hyri në Kafarnaum. 2 Një centurion e kishte shërbëtorin të sëmurë në fill të vdekjes. Shërbëtorin e kishte fort për zemër. 3 Centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, dërgoi disa kryepleq judenj që ta lusin të vijë e t’ia shërojë shërbëtorin. 4 Ata, kur arritën te Jezusi, zunë t’i luten e t’i përluten: “Meriton t’ia kryesh këtë nder 5 sepse e do popullin tonë. Ai na e ndërtoi edhe sinagogën.”
6 Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo fort larg shtëpisë, centurioni dërgoi miqtë e vet për t’i thënë: “Zotëri, mos u mundo më tepër se nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim 7 prandaj edhe nuk e çmova veten të denjë të dal përpara, por vetëm jep urdhër me një fjalë e do të shërohet shërbëtori im.
8 Sepse edhe unë, ndonëse vetëm njeri që varem prej tjetërkujt, prapë kam nën urdhër ushtarë dhe i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon, një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen; shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën.”
9 Jezusi, kur i dëgjoi këto fjalë, u mrekullua, u kthye kah populli që po e ndiqte dhe i tha: “Po ju them: as në Izrael nuk e gjeta një fe kaq të madhe.”
10 Kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, e gjetën shërbëtorin shëndoshë e mirë.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Në përkujtimin e martirëve të shenjtë të tu po t’i paraqesim, o Zot, këto dhurata; pranoji, dhe bëj që, si ato u dhanë forcë shën Kornelit e Çiprianit në mundimet e tyre, ashtu të na bëjnë të qëndrueshëm në vështirësitë e jetës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja pas kungimit
 
Me anë të sakramentit që morëm, o Zot, bëj, po të lutemi, të jemi të fortë shpirtërisht si shën Korneli e Çipriani, që ta dëshmojmë me jetë të vërtetën e Ungjillit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend