Liturgjia e Fjalës – 16 nëntor – e shtunë – Java XXXII gjatë vitit
Written by Radio Maria on October 16, 2024
JAVA E XXXII GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 87, 3
Të arrijë te Ti, o Zot, lutja ime; prirja veshin tënd uratës sime!
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboje prej nesh çdo pengesë për jetën tonë, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (3 Gjn 5-8) (fq. 1728)
Pranoni vëllezërit që të jemi bashkëpunëtorë të së Vërtetës.
Lexim prej Letrës së tretë të Shën Gjonit apostull
5 Fort i dashur, vepro porsi besimtar i vërtetë në gjithçka që bën për të mirën e vëllezërve, madje edhe për të huaj. 6 Ata e dëshmuan dashurinë tënde para Kishës dhe do të bësh mirë nëse u jep çka lypet për udhëtim në mënyrë të denjë para Hyjit. 7 Sepse për dashuri të Emrit të Jezusit e morën rrugën pa marrë farë ndihme prej paganëve.8 Ne e kemi për detyrë t’i pranojmë njerëzit e tillë që të jemi bashkëpunëtorë të së Vërtetës.
Fjala e Zotit
Psalmi 112 (111) (fq. 790)
Ref. NË ZEMRAT E TË DREJTËVE NDRIÇON MIRËSIA E ZOTIT
Lum ai njeri që e druan Zotin,
që kënaqet në urdhërimet e tija.
2 Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë,
do të bekohet breznia e të drejtëve.
Ref. NË ZEMRAT E TË DREJTËVE NDRIÇON MIRËSIA E ZOTIT
3 Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij,
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.
4 Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë:
i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.
Ref. NË ZEMRAT E TË DREJTËVE NDRIÇON MIRËSIA E ZOTIT
5 I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon,
punët e veta i kryen me ndërgjegje,
6 ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti,
Ref. NË ZEMRAT E TË DREJTËVE NDRIÇON MIRËSIA E ZOTIT
Aleluja!
Hyji na grishi në fe më anë të Ungjillit, që ta fitojmë lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit. (Krh. 2 Sel 2, 14)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 18, 1-8) (fq. 1491)
Hyji do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi 1 u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.
2 Ai tha: »Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet. 3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ 4 Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vetë më vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë, 5 pasi kjo grua e vejë po më trazon do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore.’«
6 Zotëria vazhdoi: »Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! 7 Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? 5 Unë po ju them: do të ngritet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli, që të fitojmë me përkushti çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2
Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon; më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta.
Ose: Lk 24, 35
Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.
Lutja pas kungimit
Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë, dhe po i lutemi bujarisë sate që, nën ndikimin e Shpirtit tënd, të përshkuar me fuqinë qiellore, të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.