Liturgjia e Fjalës – 15 shtator – e diel – Java XXIV gjatë vitit

Written by on August 15, 2024

JAVA E XXIV GJATË VITIT
 
E DIEL
 
B
 
Antifona e hyrjes Krh. Sir 36, 18
 
Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty, që profetët e tu të tregohen të vërtetë. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.
 
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
 
O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër, që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (Is 50, 5-9) (fq. 1032)
 
Shpinën iu ktheva atyre që më rrahnin.
 
Lexim prej Librit të Isaisë profet
 
5 Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. 6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. 7 Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. 8 Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua?
Le të dalim përballë njëri-tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë! 9 Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë? Të gjithë ata do të brishtohen si petku, tenja do t’i brejë!
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   115 (114) (fq. 792)
 
Ref.   DO TË ECI NË PRANINË E ZOTIT
 
1 E dua Zotin sepse e dëgjon
zërin e lutjes sime,
2 sepse mbi mua e priri veshin e vet
atë ditë që e thirra në ndihmë.
 
Ref.   DO TË ECI NË PRANINË E ZOTIT
 
3 Më kishin rrethuar leqet e vdekjes,
më kishin shtrënguar leqet e nëntokës,
më ndrydhën trishtime e dhembje,
4 Emrin e Zotit e thirra në ndihmë:
“Deh, o Zot, ma shpëto jetën”!
 
Ref.   DO TË ECI NË PRANINË E ZOTIT
 
5 I mirë e i drejtë është Zoti,
Hyji ynë është vetë mirësia!
6 Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve:
isha ngushtë e Ai më shpëtoi!
 
Ref.   DO TË ECI NË PRANINË E ZOTIT
 
8 Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes,
sytë e mi prej lotëve,
këmbët e mia prej rënies.
9 Do të eci në praninë e Zotit
në tokën e të gjallëve.
 
Ref.   DO TË ECI NË PRANINË E ZOTIT
 
Leximi i dytë   (Jak 2, 14-18) (fq. 1705)
 
Feja në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete.
 
Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull
 
14 Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? 15 Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, 16 dhe ndokush prej jush u thotë: »Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!«, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?! 17 Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete.
18 Por ndokush mund të thotë: »Ti ke fenë, kurse unë kam veprat. Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do ta tregoj prej veprave të mia fenë«.
 
Fjala e Zotit
 
Aleluja!
Mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota u kryqëzua e unë për botën. (Gal 6, 14)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Mk 8, 27-35) (fq. 1440/1)
 
Ti je Mesia, Birit të njeriut i duhet të pësojë.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
Në atë kohë, 27 Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?”
28 Ata i përgjigjën: “Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetët.”
29 Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?”
“Ti je Mesia!” iu përgjigj Pjetri.
30 Ai u urdhëroi rreptësishtë të mos ia tregojnë askujt këtë gjë për të.
31 Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. 32 Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. 33 Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
34 Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e tij dhe u tha: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 35 Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.
 
Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
 
Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu, që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 35, 8
 
Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote! Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.
 
Ose: Krh. 1 Kor 10, 16
 
Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, është bashkim me Gjakun e Krishtit dhe buka, të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit!
 
Lutja pas kungimit
 
E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë veprimi i kësaj dhurate qiellore, që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore, por veprimi i këtij sakramenti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend