Liturgjia e Fjalës – 15 nëntor – e premte – Java XXXII gjatë vitit

Written by on October 15, 2024

JAVA E XXXII GJATË VITIT
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes Krh. Ps 87, 3
 
Të arrijë te Ti, o Zot, lutja ime; prirja veshin tënd uratës sime!
 
Kolekta
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboje prej nesh çdo pengesë për jetën tonë, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (2 Gjn 1.3-9) (fq. 1727)
 
Kush qëndron në mësimin e Krishtit, ka edhe Atin edhe Birin
 
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Gjonit apostull
 
1 Udhëheqësi, Zonjës së zgjedhur dhe fëmijëve të saj, të cilët unë i dua në të Vërtetën. 3 Qoftë me ne hiri, mëshira dhe paqja, që na vijnë prej Hyjit Atë, dhe prej Jezu Krishtit, Birit të Atit, në të vërtetë e në dashuri.
4 U gëzova pa masë pse ndër fëmijë të tu gjeta disa që ecin udhës së vërtetës, sipas urdhrit që morëm prej Atit.
5 Tani, po të bëj lutje, o Zonjë – jo sikurse të shkruaja një urdhër të ri, por atë që e patëm qysh prej fillimit – ta duam njëri-tjetrin! 6 Dhe ja, çka është dashuria: të ecim urdhërimeve të tija! Ky është urdhri që e dëgjuat qysh prej fillimit: që të jetoni në të!
7 Sepse shumë ngashënjyes morën dheun: këta nuk pranojnë se Jezu Krishti është bërë njeri i vërtetë. Kush mëson kështu është gënjyes, Antikrisht! 8 Kini kujdes vetveten që të mos humbisni çka keni fituar, por ta merrni shpërblimin e plotë. 9 Kush kalon përtej dhe nuk qëndron në mësimin e Krishtit, nuk ka Hyj. Kush qëndron në mësim, ka edhe Atin edhe Birin.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 119 (118) (fq. 797)
 
Ref. LUM NJERIU QË EC SIPAS LIGJIT TË ZOTIT
 
1 Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në Ligjin e Zotit!
2 Lum kush i mban dëshmitë e tija,
që e kërkon me gjithë zemër.
 
Ref. LUM NJERIU QË EC SIPAS LIGJIT TË ZOTIT
 
10 Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim:
mos lejo t’u shmangem urdhërimeve të tua.
11 Fjalët e tua i fsheha në zemrën time,
që të mos gaboj kundër teje.
 
Ref. LUM NJERIU QË EC SIPAS LIGJIT TË ZOTIT
 
17 Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:
që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.
18 M’i hap sytë të shikoj
mrekullitë e ligjit tënd.
 
Ref. LUM NJERIU QË EC SIPAS LIGJIT TË ZOTIT
 
Aleluja!
Çojeni kryet lart:do ta shihni Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri. (Lk 21, 28.27)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 17, 26-37) (fq. 1490)
 
Po vjen dita kur biri i njeriut do të dëftohet.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet : 26 dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ngjajë edhe në ditët e Birit të njeriut: 27 njerëzit hanin , pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë. 28 Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin, 29 por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhbiu të gjithë. 30 Ashtu do të ngjajë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.
31 Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e sendet t’i ketë në shtëpi, të mos zbresë t’i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa. 32 Le t’ju kujtohet gruaja e Lotit! 33 Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.
34 Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35 Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet.« (36)
37 Atëherë e pyetën: »Ku, o Zotëri?«
»Ku të jetë kufoma – u përgjigji – aty do të mblidhen edhe shqiponjat.«
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli, që të fitojmë me përkushti çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2
 
Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon; më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta.
 
Ose: Lk 24, 35
 
Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.
 
Lutja pas kungimit
 
Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë, dhe po i lutemi bujarisë sate që, nën ndikimin e Shpirtit tënd, të përshkuar me fuqinë qiellore, të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend